Nga Kreshnik Kuçaj
Me 15 mars të vitit 1925 u nënshkrua akti themeltar i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, si pjesë e një paketë të madhe investimesh. Firmëtar për palën shqiptare do të ishte Myfit Libohova,ministër i Financave dhe zëvëndësministër i jashtëm. Në fund të procesit për të cilin firmosi, Libohova do të hetohej nga parlamenti shqiptar.
Praktikisht marrëveshja parashikonte dy lloje aksionesh. Aksionet themeluese që do të hidheshin nga grupi financiar italian, dhe aksionet e zakonshme, që do të ndaheshin me pjesë mes aksionerëve të huaj dhe atyre shqiptarë. Italianët do të investonin në projekt fondin e nevojshëm për 100 mijë aksionet themeluese.
Për aksionet e zakonshme, për 495 mijë të tilla nis një betejë e vërtetë, në fund të të cilës Shqipëria do të humbiste peshën vendimmarrëse që kishte në bankën që do të emetonte për herë të parë monedhën zyrtare e që parashikohej të udhëhiqte zhvillimin ekonomik të vendit.
Projekti parashikonte që 49 % të aksioneve të zakonshme, pra rreth 247 mijë aksione, të zotëroheshin nga shqiptarët.
Fillkimisht qeveria shqiptare u bën thirrje shqiptarëve të thjeshtë që të blejnë aksionet e bankës kombëtare, duke e lënë këtë iniciativë të lirë. E në fakt, impakti është i vogël. Shqiptarët hezitojnë të blejnë aksionet për një serë shkaqesh, që nisin që nga paqartësia e procesit, ashtu edhe nga mungesa e besimit se banka mund të bëhej. Një faktor i këtij refuzimi, asokohe u vlerësua edhe fakti se interesi bankar konsiderohej si një veprim që binte ndesh me normat fetare të kohës.
Në këtë mënyrë, qeveria shqiptare nis një mobilizim, duke kërkuar që çdo nëpunës i shtetit të detyrohej për të blerë aksionet e Bankës Kombëtare, ku secili kushtonte 25 franga ari.
Me 18 maj të vitit 1925 u miratua ligji “Mbi detyrimin e blemjes s’aksioneve të Bankës Kombëtare”.
Ligji parashikonte se çdo ministër, nëpunës i shtetit dhe oficer me pagë mujore 100 franga ari e lart, senator e deputetë, te detyroheshin të blinin aksione të Bankës Kombëtare së pagu për shumën e pagës së një muaji. Pra, mesatarisht çdo nëpunës duhej të blinte 4 aksione të zakonshme të bankës.
Po ashtu, ligji detyronte çdo qytetar që paguante taksa 100 franga ar në vit të blinte 1 aksion të bankës ndërsa ata që paguanin më tepër se 100 franga ar taksa në vit, duhej të blinin të paktën 1 aksion për çd0 100 franga ar që paguanin si taksë.
Për herë të parë, emisioni DOSJA E në SCAN ka publikuar emrat e 1500 shqiptarëve që kontribuan që në fillim për ngritjen e Bankës Kombëtare.
Çfarë ndodhi me aksionet e Bankës Kombëtare?
Ligji do të hynte në fuqi, por do të haste në probleme zbatimi. Shkresat e kohës dhe diskutimet parlamentare të korrikut të vitit 1925 dëshmojnë shumë problematika në detyrimin e nëpunësve për blerjen e aksioneve. Mes shqiptarëve kishte shumë hezitim për të investuar në projektin e ri; një paralajmërim që e kishte dhënë më herët edhe Albert Calme, i dërguari i Lidhjes së Kombeve që kishte studiuar pak vite më parë opsionet e hapjes së Bankës Kombëtare.
Hezitimi i shqiptarëve për të blerë aksionet e Bankës Kombëtare, pamundësia financiare e shtetit shqiptar për t’u futur në operacion e humbjet e mëdha që po shkakonte kjo vonesë, u shoqëruan nga një lëvizje surprizë.
Një grup shqiptarësh të pasur bashkohen dhe blejnë direkt në Romë 150 mijë aksione duke plotësuar kuotën e munguar për palën shqiptare.
- Eqerem Bej Vlora 20 mijë aksione
- Ajet Bej Libohova 20 mijë aksiomne
- Neshat Pashë Vlora 20 mijë aksione
- Vasil Truja 16 mijë aksione
- Luka Eftimjadhi 16 mijë aksione
- Mikel Lambro 8 mijë aksione
- Filip Guraziu 6 mijë aksione
- Zef Guraziu 6 mijë aksione
- Gjon Daragjati 20 mijë aksione
- Gjon Mislocja 6 mijë aksione.
Përfshirja e ‘lojtarëve’ të mëdhenj në atë që mund të cilësohet si gara e aksioneve u përshëndet nga shteti shqiptar duke u cilësuar si një akt patriotik në raportin e mëvonshëm hetimor që parlamenti ngriti për këtë qëllim.
Megjithatë këto aksione u nënshkruan direkt në Romë, dhe jo si aksionet e tjera që duhej të nënshkrueshin fillimisht në ministrinë e Financave në Shqipëri e më pas të paraqiteshin në Itali. Kjo pikë që zhbllokoi ngërçin për krijimin e Bankës Kombëtare do t’i rëndonte në akuzë më vonë ministrit të Financave, që po negocionte procesin.
Në asamblenë themeluese të Bankës Kombëtare që u mbajt me 2 shtator të vitit 1925 në Romë, 10 aksionerët e mëdhenj shqiptarë u përfaqësuan nga vetëm 3 prej tyre, përkatësisht Ajet bej Libohova, Neshat pashë Vlora dhe Eqerem Bej Vlora.
Komisioni parlamentar për Ministrin e Financave
21 ditë pas konkretizimit të bankës së Shqipërisë, me 23 shtator të vitit 1925 ministri i Financave që kishte negociuar marrëveshjen për bankën u lirua nga detyra, ashtu sikurse vëllai i tij, Ekrem Libohova që drejtonte misionin diplomatik shqiptar në Romë.
Ndaj ministrit të Financave do të ngrihej një komision i posaçëm hetimor ku akuza e parë ishte fshehja e akteve zyrtare, më konkretisht e dokumenteve që lidheshin me afatin e blerjes së aksioneve nga shtetasit shqiptarë.
Ministri i Financave u akuzua se kishte fshehur dokumentacionin dhe se kishte frenuar shtyrjen e afatit që do t’u jepte mundësi edhe emigrantëve shqiptarë që të blinin aksionet e bankës dhe të plotësonin kuotën 49 % të aksioneve të bankës.
Në listën e akuzave, mbi ministrin rëndonte edhe fakti se aksionerët e mëdhenj shqiptarë, i kishin blerë aksionet direkt në Romë, dhe jo përmes ministrisë së Financave sikurse parashikonte ligji.
Komisioni parlamentar i fundvitit 1925, pak muaj pas krijimit të bankës, e hetoi ministrin jo vetëm për humbjen e akteve origjinale, por edhe për rolin e tij shpenzimin e të hollave që ishin mbledhur nga shitja e aksioneve të shqiptarët e thjeshtë.
Komisioni hetimor parlamentar kishte në përbërje deputetet Rauf Fico, Maliq Bushati, Ndrekë Kiçi, Kasem Radovicka, Fiqiri Rusi, Kristo Floqi dhe Vasil Bamiha. Drejtues i Komisionit ishte Rauf Fico.
Raporti përfundimtar i komisionit tregon për një proces hetimi të nxituar, ku synimi ishte që hetimet të mbylleshin brenda 2 muajve, me argumentin se kishte shumë interes publik dhe se në dhjetor do të mbyllej sesioni parlamentar.
Vetë ish ministri Libohova për akuzën se nuk u kishte dhënë kohë shqiptarëve brenda dhe jashte vendit që të blinin aksionet argumentonte në komisionin hetimor se pavarësisht se ishin bërë të gjitha apelet e duhura brenda dhe jashtë vendit, përsëri interesi i shqiptarëve të thjeshtë për blerjen e aksioneve kishte qenë shumë i ulët. Po ashtu, ajo që kuptohet është se ish ministri refuzon të flasë për çështjen, ku madje në një prej temave të hetimit ku kërkohej llogari për mënyrën sesi ishin shpenzuar paratë e mbledhura nga shqiptarët e thjeshtë që kishin blerë aksionet, ai thotë se nuk mund të flasë pa marrë autorizimin e kryetarit të Republikës, që në atë kohë ishte Ahmet Zogu. Argumenti i dhënë nga ministrit për të mos folur, ishte se ‘Këto ishin çështje e sekretit shtetëror’.
Ajo që bie në sy në këtë komision është qendrimi i një prej anëtarëve të tij; Kasem Radovickës.
Radovicka është i vetmi që këmbëngul se në veprimet e tij, ministri Libohova nuk ka pasur qëllim mashtrimin e kabinetit qeveritar por “këto punë rrjedhin prej ngushticës financjare dhe nga mosmarrja pjesë e popullit ndër akcjone”.
Në fund të hetimit, një element tjetër që bie në sy është se anëtari i Komisionit Kasem Radovicka nuk i firmosi 5 nga 6 hapitujt që përmbante raporti, me argumentin “se ishte sëmurë”.
Si përfundim, komisioni hetimor parlamentar e shpalli fajtor ish ministrin Mufid Libohova për shkelje në procedurat e krijimit të Bankës Kombëtare. Në fakt, edhe pse akuza ishte e rëndë, ish ministri i Financave mori si ndëshkim vetëm largimin e tij nga postet zyrtare. Përtej kësaj ngjarje të pasqaruar mirë të karrierës së tij, Mufid Libohova mbahet mend si njeriu që i dha Shqipërisë Bankën dhe monedhën e parë kombëtare, krahas kontributeve të tjera në shtetndërtimin e Shqipërisë së pas 1912.
Në vitet pasuese Banka Kombëtare nisi të funksionojë duke i dhënë vendit edhe monedhën e parë kombëtare e duke aplikuar politika në zhvillim të ekonomisë.