Pse një qytetar i thjeshtë dënohet për një mur dhe oligarkët i amnistoni? Rama gjen alibinë: Drejtësia nuk i dënon. Nëse unë do doja të bëja pazare e kisha të thjeshtë

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sot drejtësinë, teksa u pyet për ndërtimin e kullave dhe VKM për legalizimin e kateve pa leje. Një qytetar e pyeti se pse amnistohen oligarkët, kurse qytetarët përballen me drejtësinë për një mur pa leje.

“Kur vjen puna të drejtësia, unë dhe ti jemi në një anë, nuk jemi në anë të ndryshme. Nuk jam unë që nuk lejoj të merrem me ta, por është drejtësia që nuk më lejon mua, ty, qeverinë tonë, që t’i bëjë gjërat deri në fund. Se fjala e fundit është drejtësia. Ky vend sot nëse drejtësia do të ishte si policia e Shtetit do të ishte më mirë se sa sot.

Te drejtësia e kanë kollaj. Keni dëgjuar shumë përralla për inceneratorët. Lidhur me ato TVSH-të e paguara, ose e devijuara, ose lidhur me ata të vdekurit, atë skemë e kanë zbuluar Tatimet e Republikës së Shqipërisë dhe ajo skemë është denoncuar në Prokurori dhe për atë skemë prokuroria nuk ka bërë asgjë dhe po atë skemë prokuroria e ka çuar te nëndaja, te këta që me doku e prokurorisë dalin çorodisin miletin. SPAK-u është një institucion i ri që merret me gjërat e tjera, me zyrtarët e lartë, por prokuroria e Tiranës, prokuroritë e rretheve merren me këto. prokuroritë e rrethet në bashkëpunim me inspektorë policie plotësojnë dosje dhe mbushin statistikat duke çuar para drejtësisë njerëz për një mur. Këta që ndërtojnë pa leje për të shitur, këta e blejnë prokurorinë, e blejnë gjykatësin dhe para këtyre prokuroria dhe drejtësia është e pafuqishme, të gjithë të tjerat janë poshtërsira të njerëzve vemje me gjak jeshil që nuk lënë gjë pa thënë për mua, për ne, ne një ves nuk e kemi nuk i bëjmë gabimet me qëllim dhe nuk e përdorim pushtetin.

Nëse unë do doja të bëja pazare me oligarkë, do e kisha të thjeshtë. VKM vjen si nevojë për të kapërcyer këtë ngërç të krijuar me vite. Ligji është aty me vite. Ejani më tregoni se sa të pasur janë vendosur para ligjit.