Komisioni i Ekonomisë ka rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për kthimin në Kuvend të ligjit për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Gjatë mbledhjes ishte fillimisht përfaqësuesi ligjor i presidentit Meta, Bledar Dervishaj, ai i cili parashtroi argumentet pse duhet të pranohej nga parlamenti dekreti i kreut të shtetit. Dervishaj u kërkoi ligjvënësve që të respektojnë interesin publik në lidhje me menaxhimin e pasurive kombëtare.
“Nëse shumica zgjedh të rrëzojë dekretin dhe të vijojë me hyrjen në fuqi, nuk do t’i shërbente interesave të larta të vendit, por do të përkeqësonte dhe një marrëdhënie të organit të shtetit me shoqërinë civile, ekspertët dhe qytetarëve në përgjithësi”, tha Dervishaj.
Edhe deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa i kërkoi kolegëve socialist që të pranojnë dekretin dhe të mos thyejnë Konventën e Parisit për Trashëgiminë kulturore.
“Nuk ka në asnjë fjalë në Konventën e Parisit që thotë se fondacionet mund të menaxhojnë, apo të marrin në administrim koncesionar pasuritë kulturore”, tha Zhupa.
Por në përfundim të mbledhjes, mes debatesh dhe vetëm me votat e maxhorancës dekreti i Presidentit u rrëzua.
DEPUTETJA E PS
Gjylameti deklaroi se privatët mund të kenë në dispozicion më shumë fonde për të investuar në ekspertizë më të mirë. Ajo e cilësoi idenë se shteti mbron më mirë se privat një atavizëm (mendim i të kaluarës).
“Shteti po krijon një formë administrimi që synon rritjen e donacioneve. Krijimi i fondacionit të posaçëm bën të mundur që të ardhurat të përdoren për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Ky nen nuk vendos kufizime për formën e subjektit që duhet t’i kalojë në administrim një pasuri e tillë. Marrëveshja e administrimit kalon për miratim në Kuvend. Konventa nuk vendos asnjë kusht për pjesëmarrjen e shtetit në organet vendimmarrëse të fondacionit. Kjo për faktin se procesi i ruajtjes është i orientuar drejt realizimit të objektivave.
Në shtetet diktatoriale mund të mos ketë fare forma të subjekteve private të interesuara për menaxhimin e pasurive kulturore. Kjo nuk do të thotë se menaxhimi është më i mirë se në vendet perëndimore. Privatët duke pasur më shumë fonde në dispozicion kanë mundësi të investojnë në ekspertizë më të mirë. Ideja se shteti mbron më mirë pasuritë kulturore është një atavizëm”, tha ajo.
Deputetja e PD
Zhupa atakoi deputetët e Partisë Socialiste se ata nuk kanë kurajo për t’i dalë në krah interesit publik dhe të kundërshtojnë axhendën personale të kryeministrit Rama.
“Ishte e pritshme që do të vazhdonit në paligjshmëri duke rrëzuar dekretin e Presidentit. Ju duhet të kishit reflektuar për ta pranuar dekretin, jo për t’i dhënë të drejtë Ilir Metës, por për të mos shkel Kushtetutën, të mos shkelni Konventën e Parisit dhe të zgjidhnin mënyrën më të mirë për të administruar një pasuri kombëtare siç është Butrinti.
Ju nuk keni me sa duket këllqe t’i dilni kundër Edi Ramës në vendimmarrjen e tij personale. Me sa duket interesi publik është dorë e dytë përpara interesit partiak”, tha Zhupa.
Deputetja e PD shtoi gjithashtu se Konventa e Parisit nënvizon se pasuritë kulturore nuk mund të merren në menaxhim me koncesion nga fondacionet, pasi duhet të jetë shteti ai i cili duhet të ketë rol kryesor në administrim.
“Konventa e Parisit është e qartë për rolin që duhet të ketë shteti dhe jo për monopolin që duhet të ketë ai. Unë asnjëherë kam thënë që shteti duhet të jetë i vetëm për administrimin e pasurisë kulturore. Jo! Shteti duhet të jetë kryesor dhe aksioner maxhoritar në administrimin e pasurisë kulturore. Po! Ai duhet po mund të ndihmohet dhe të ftojë fondacione të ndryshme, por pa humbur rolin kryesor. Konventa e Parisit në nenin 4 thotë se detyra për të siguruar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm i takon atij, shtetit. Sovraniteti ku ndodhet pasuria kulturore duhet të respektohet. Theksohet se nuk mund të merret asnjë masë direkte apo indirekte që mund të dëmtojë pasurinë kulturore.
Nuk ka në asnjë fjalë në Konventën e Parisit që thotë se fondacionet mund të menaxhojnë, apo të marrin në administrim koncesionar pasuritë kulturore”, tha Zhupa.