Profil/ Nga karriera ushtarake tek President i vendit. Kush është Bujar Nishani, i cili sot u nda nga jeta


Sot u nda nga jeta ish-Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili prej disa kohësh ishte i shtruar në një spital në Gjermani.

Nishani ishte dërguar para një muaji për përkujdesje intensiv pas rëndimit të gjendjes së tij shëndetësore. Ai po ashtu vuante nga një sëmundje auto-imune.

Po kush ishte Bujar Nishani?

Bujar Nishani u lind më 29 shtator 1966 në qytetin e Durrësit.

Nishani u zgjodh president i Shqipërisë në vitin 2012 dhe shërbeu në këtë post përgjatë një mandati të plotë deri në vitin 2017.

Në këtë post erdhi nga një karrierë akademike pranë Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe angazhimit disa vjeçar në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në dekadën e parë të tranzicionit demokratik.

Nishani ishte anëtar i lartë i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe ka shërbyer si deputet nga radhët e kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2005.

Ai ka mbajtur pozitën e ministrit të Brendshëm në vitin 2007 dhe në vitin 2011, ndërsa atë të ministrit të Drejtësisë në vitin 2009.

Nishani ishte presidenti i gjashtë i Shqipërisë.