Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar kryenegociatorin me BE-në, Zef Mazi nga kjo detyrë. Ai do të zëvendësohet me Majlinda Dhukën.
Këtë e ka bërë të ditur kreu i qeverisë me anë të një postimi në Twitter. Rama thotë se Dhuka është një profil i lartë Teknik që do të zëvendësojë një profil diplomatik të ambasadorit Zef Mazi.
Gjithashtu Dhuka do të marrë edhe postin e MInistres së Shtetit për Rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, duke zëvendësuar kështu, Arben Ahmetajn.
Ky i fundit u shkarkua edhe nga posti i zëvendëskryeministrit, teksa Rama nuk ka sqaruar se çfarë posti do mbajë tashmë Ahmetaj.
Postimi i plotë i Edi Ramës në Twitter:
Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE,ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka,një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore& Ministre Shteti pranë kryeministrit.
Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha.
Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre. Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon.