KELMENT BAÇI/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, nuk ka vonuar asnjë ditë dhe ka dekretuar dy ndryshimet më të fundit në qeverinë “Rama 3”.
Në ditën e dytë të punës së tij, kreu i shtetit ka hedhur për herë të parë 3 herë radhazi firmën e tij, duke pranuar një shkarkim dhe dy emërime në kabinetin qeveritar. Presidenti Begaj ka pranuar propozimin për shkarkimin e Arben Ahmetajt nga posti i zëvendëskryeministrit dhe emërimin në këtë detyrë të Belinda Ballukut.
Bajram Begaj ka pranuar me dekret propozimin për emërimin e zonjës Majlinda Dhuka si ministër Shteti dhe kryenegociatore. “Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, pas administrimit të propozimeve të Kryeministrit dhe shqyrtimit të tyre, ka dekretuar shkarkimin e z. Arben Ahmetaj nga detyra si Zëvendëskryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave. Presidenti i Republikës ka pranuar propozimin duke dekretuar emërimin e zonjës Majlinda Dhuka si ministër Shteti dhe kryenegociatore, si dhe emërimin e zonjës Belinda Balluku edhe në detyrën e Zëvendëskryeministres, përpos detyrës që mban të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë”, thuhet në njoftimin e Presidentit, i pari pas marrjes së detyrës 3 ditë më parë.
Pas Presidentit, edhe Kuvendi nuk është vonuar aspak për të aprovuar ndryshimet e fundit në qeveri. Kuvendi do të mblidhet ditën e enjte në orën 17:00, në një seancë të jashtëzakonshme për të miratuar vendimet.
Ndonëse Kuvendi e kishte mbyllur sesionin parlamentar për të sezon, ai do të mblidhet në një seancë të posaçme për miratimin e këtyre ndryshimeve në kabinetin qeveritar përpara se deputetët të ikin me pushime.
Në njoftimin e Kuvendit, me urdhër të Kryetares Lindita Nikolla, seanca e thirrur për nesër në orën 17:00 do të ketë në rend dite vetëm ndryshimet e qeverisë, ndërsa opozita është ankuar pse është hequr debati nga kjo seancë.
“Dekret i Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 13835, datë 26.7.2022 ‘Për shkarkim Zëvendëskryeministri dhe ministri’; Dekret i Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 13836, datë 26.7.2022 ‘Për emërim ministri’; Dekret i Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 13837, datë 26.7.2022 ‘Për emërim Zëvendëskryeministri’”, është rendi i ditës së seancës së jashtëzakonshme ku do të miratohet shkarkimi i Arben Ahmetajt nga detyra e zëvendëskryeministrit dhe emërimi e Belinda Ballukut në vend të tij.
Po ashtu, në seancë do të miratohet edhe emërimi i ministres së Shtetit, Majlinda Dhuka, e cila do të jetë kryenegociatore e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE.
“Falënderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falënderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon”, ishte mesazhi i Kryeministrit Rama pasi kishte njoftuar shkarkimin e tyre dhe bërë publik emrat që do t’i pasonin. Kreu i qeverisë i argumentoi dy ndryshimet, me ndryshimin e prioriteteve të saj, që nga tani do të jenë infrastruktura dhe integrimi.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, dorëzoi në Kuvend një kërkesë për mocion me debat në seancën parlamentare të ditës së enjte, ku pritet të miratohen ndryshimet në qeveri të firmosura nga Kryeministri Edi Rama.
Alibeaj shprehet se ashtu si ndodh në çdo rast kur i duhet të përballet me faktet, Rama urdhëron votimin pa debat, pasi sipas tij i trembet përballjes me faktet dhe të vërtetën. Kreu i Grupit të PDsë thotë se Rama dhe makijazhi i tij nuk bindi më asnjë qytetar, prandaj ai u ofron shqiptarëve debate shterpë që u intereson vetëm klaneve brenda PS.
“Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së, kam paraqitur pranë Kuvendit kërkesën për debat në seancën plenare të së enjtes, ku do të votohet për ndryshimet e fundit në qeveri. Siç ndodh rëndom në të gjitha rastet kur i duhet të përballet me faktet, Edi Rama urdhëron votimin pa debat. Është e qartë se kreu i qeverisë dhe marionetat me të cilat ai lëviz fijet e pushtetit i tremben debatit, përballjes me faktet dhe të vërtetën.
Është po kaq e qartë se Edi Rama dhe makijazhi i qeverisë së tij nuk bindin më askënd në Shqipëri. Madje as me besnikët e tij. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet që në këtë krizë të thellë që ka përfshirë Shqipërinë në vend të përballjes me faktet, me problemet dhe hallet e përditshme, shqiptarëve u ofrohen debate shterpë që i interesojnë vetëm klaneve të etura për pushtet brenda PS-së”, thotë Alibeaj.
Teksa komenton ndryshimet në qeveri, kreu i Grupit të PD-së e cilëson Kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor për vjedhjet galopante dhe korrupsionit që sipas tij synon të largojë vëmendjen nga vetja.
“Ndryshimet e qeverisë të shpallura në ‘Twitter’, betejat e brendshme në kupolën drejtuese të PS-së për të përfituar dhe abuzuar në kurriz të shqiptarëve janë dhe mbeten mënyra që Edi Rama ka zgjedhur për të larguar vë mendjen nga vetja. Ai është përgjegjës kryesor i varfërisë së shkaktuar nga korrupsioni, i vjedhjes galopante që ka zbrazur xhepat e qytetarëve. Për këtë ai përdor çdo mënyrë për të shmangur debatin publik, përballjen me faktet dhe të vërtetën që shqiptarët e kuptojnë çdo ditë e më shumë”,shkruan Alibeaj.
Në kërkesën e tij drejtuar Kuvendit, kreu i grupit të PD-së thotë se Kuvendi nuk mund të sillet si noter i qeverisë dhe Presidentit, por në të sipas Kushtetutës duhet të zhvillohet debat.
“Me dekret është shkarkuar z. Arben Ahmetaj nga detyra e zëvendëskryeministrit dhe është erëuar në këtë detyrë znj. Belinda Balluku. Po ashtu, me dekret është emëruar në detyrën e ministrit të Shtetit dhe kryenegociatorit znj. Majlinda Dhuka. Këto dekrete lidhen drejtpërdrejt me përbërjen e Këshillit të Ministrave dhe dy pozicione shumë të rëndësishme. Kuvendi nuk mund të sillet si noter i akteve të Këshillit të Ministrave dhe Presidentit të Republikës, por si organi kushtetues nga i cili buron legjitimiteti i qeverisë dhe Presidentit, dhe në kuadër të përmbushjes së funksioneve të tij kushtetuese, ku mbikëqyrja dhe kontrolli i qeverisë është një detyrë parësore”, thuhet në letrën e Alibeaj./ Gazeta Panorama