Meta dekoron me titullin “Mjeshtër i Madh” koreografin dhe valltarin Ibrahim Roçi!
Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” Koreografin dhe valltarin e njohur Kavajas Ibrahim Roçi: “Në vlerësim të talentit të spikatur në interpretimin e valleve tradicionale, për kontributin në lartësimin e kulturës popullore e folklorit të trevës së Kavajës, si dhe në formimin dhe përgatitjen artistike të mjaft valltarëve të rinj”.
Të dashur miq të shoqatës ‘Durrësi’ dhe Qendrës Kulturore të qytetit Kavajë.
Të nderuar zonja dhe zotërinj, miq e të ftuar!
Sot është një ditë e veçantë dhe kënaqësi për mua, që së bashku të vlerësojmë disa prej qytetarëve dhe personaliteteve të shquara nga jeta publike e artistike e trevës tuaj.
Personalisht vlerësoj pa masë, rolin e shoqatave qytetare, kurajon dhe angazhimin e tyre në adresë të mirës së përbashkët, sidomos të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, por njëkohësisht edhe të promovimit të vlerave, më të mira qytetare.
Sepse qytetet ku ne banojmë, duhet të reflektojnë pikërisht interesat, aspiratat, dëshirat dhe angazhimin e qytetarëve më të mirë dhe më të dalluar.
Shoqatat tuaja janë forume të rëndësishme të zërit qytetar, prandaj edhe kemi bashkëpunuar në mënyrë të ngushtë me shoqatën ‘Durrësi’.
Sot nderojmë disa personalitete të veçanta, me propozimin tuaj, si mjeku i përkushtuar dhe personaliteti humanist doktor Mihal Todi Muka.
Violinisti i njohur e virtuoz zoti Enver Qerimi; koreografi dhe interpretuesi i njohur i valles së Shqipërisë së Mesme zoti Ibrahim Roçi; Pedagogu dhe sipërmarrësi me vizion i industrisë së qumështit zoti Nazif Tivari; si dhe një prej figurave të njohura të mbrojtjes së rendit dhe jetës së qytetarëve, zotin Alfred Golgota.
Shoqëria shqiptare megjithëse vështirësitë e kohërave ka ditur të evidentojë shembuj të spikatur të përkushtimit, të kontributit dhe të pasionit.
Sot në ditët e pandemisë botërore po spikat edhe roli i mjekëve, si asnjëherë tjetër, por dhe angazhimi i doktor Mukës!
Edhe pse kanë ka kaluar dekada në shërbim të qytetarëve të emocionon përkushtimi, humanizmi dhe aftësia e lartë profesionale e doktor Mihal Todi Mukës, një nga emblemat e shëndetit publik, jo vetëm të Durrësit.
Mes nesh sot është edhe valltari e koreografi i përkushtuar, Ibrahim Roçi, artisti i dalluar në mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore jo materiale në zonat e Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës e Peqinit.
Në karrierën e tij të gjatë ai është laureuar në shumë festivale folklorike kombëtare dhe ndërkombëtare.
Pas viteve ‘90-të, zoti Roçi krijoi Ansamblin Folklorik “Besa”, që e ka mbajtur dhe po e mban me pasionin e tij modest, duke krijuar kështu një shembull të lartë qytetarie dhe atdhedashurie.
Për të mbyllur këtë përshëndetje do të vlerësoja po ashtu propozimin e Shoqatës “Durrësi Autokton” për zotin Alfred Golgota, një nga emblemat e punonjësve të ruajtjes së rendit publik dhe të jetës së qytetarëve durrsakë.
Ai ka punuar me ndershmëri e pasion për më shumë se 30 vite në Policinë e Shtetit, pa u tërhequr kurrë nga misioni i tij, deri duke rrezikuar jetën për të mirën e komunitetit.
Të nderuar miq,
Këto vlerësime kanë të bëj në pikërisht, me disa personalitete të fushave të ndryshme, të mjekëve, artistëve, sipërmarrësve, profesionistëve dhe gjithë punonjësve të ndershëm, të shtetit shqiptar ndër vite.
Ato janë një mesazh për brezin e ri për t’i dashur e nderuar traditat dhe personalitetet e këtij populli.
Ky dekorim përbën gjithashtu një thirrje për institucionet e shtetit tonë, për të rritur mbështetjen dhe vëmendjen ndaj qytetarëve të përkushtuar të këtij vendi.
Paqe, begati dhe harmoni në familjet tuaja dhe të gjithë durrsakëve dhe shëndet mbi të gjitha.
Kujtojmë që Koreografi dhe Valltari Ibrahim Roçi u nderua edhe me titullin “Qytetar Nderi” i Kavajës.