Kanë hyrë në fuqi ligjet për legalizimin e kanabisit mjekësor, studentët e Mjekësisë dhe për Akademinë e Shkencave.
Ligji që kushtëzon studentët e Mjekësisë për të marrë diplomat është botuar në fletoren zyrtare në datën 16 Gusht.
Ndërsa dy ligjet e tjera, ai për përdorimin e kanabisit për arsye mjekësore dhe për Akademinë e Shkencave, u botuan më 21 Gusht.
Presidenti, Bajram Begaj nuk ushtroi të drejtën për dekret për ligjet e diskutueshme të qeverisë duke i kaluar në heshtje.
Të tre ligjet u miratuan në seancën e fundit të parlamentit në të gdhirë të datës 21 korrik, pavarësisht kontestimeve nga opozita dhe shoqëria civile.
Ligji për mjekët e rinj i detyron studentët e Mjekësisë që të punojnë deri në pesë vite në Shqipëri, përpara se të marrin diplomën, ose në të kundërt do të duhet të paguajnë tarifat e studimeve. Përmes një vale protestash, studentët e Mjekësisë e kundërshtuan këtë ligj si diskriminues dhe të pakonsultuar.
Ligji me të cilin qeveria pretendon se do të ndalojë eksodin e mjekëve për punësim në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani, u fut me procedurë të përshpejtuar në parlament.
Duke përdorur terminologjinë “Trajtimi i veçantë” dhe “Punësim me prioritet”, qeveria parashikon klauzola detyruese për gjithë studentët e rinj dhe për ata që janë aktualisht duke ndjekur studimet.
Edhe ligji për legalizimin e kanabisit mjekësor, një tjetër projekt i debatueshëm i qeverisë, ka kaluar në heshtje nga presidenti.
Ndërsa ligji i tretë për Akademinë e Shkencave, i jep mundësinë kryetarit Skënder Gjinushi që të kandidojë për një mandat të dytë.
Sipas Kushtetutës, Presidenti është hallka e fundit e procesit të miratimit të një ligji të ri. Ai ka të drejtë t’i kthejë ligjet për diskutim në parlament, kur ka argumente ligjore kundër tyre, ose të dekretojë shpalljen e tyre që i paraprin si akt ligjor hyrjes në fuqi.
Që nga zgjedhja e tij si president para një viti, presidenti Begaj ka kthyer vetëm një ligj të qeverisë në Kuvend, atë për dekoratat, ku prekeshin drejtpërdrejt kompetencat e tij në dhënien e dekoratave.