Festa e 31 vjetorit të Partisë Socialiste ishte një prej eventeve të rëndësishme të kësaj të diele, por ajo u realizua si një ceremoni private dhe nuk u lejua transmetimi i saj nëpër media.
Pritja në oborrin e Partisë Socialiste ishte organizuar në masa të rrepta të forcave të gardës, ku të ftuarit janë kontrolluar fizikisht dhe me metal-detektor për sende metalike.
Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri dhe Erion Veliaj dhe disa nga deputetët prisnin të ftuarit nga njëra anë e selisë, ndërkohë që nga krahu tjetër pritës, ishte Sekretari Organizativ, Blendi Klosi dhe Deputeti Etjen Xhafaj.
Në festë ka mbërritur ish-kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes së socialistëve, ndërkohë që nuk kanë munguar dhe fotot e shumta me Taulant Ballën, i cili kishte marrë me vetë dhe djalin e tij.
Ndërkohë që më pas janë vendosur këngët e “Queen – We Are The Champions” dhe këngët e “U2 – With Or Without You”.
PS shfaqi një dokumentar të shkurtër për aktivitetin politik të kësaj force, ndërkohë që në sfond u dëgjua vetëm fjalimi i shkurtër i Damian Gjiknurit, i cili çeli festimet, shpërtheu fishekzjarrët dhe tha: “Rroftë Partia Socialiste dhe rroftë Shqipëria!”.
“Dua t’ju uroj të gjithë socialistëve, 31 vjetorin paçi gjithçka të mirë në familjet tuaja. Të rrojë PS dhe të rrojë Shqipëria. Le të argëtohemi. Nëse kryetari do le të thotë ndonjë gjë”, tha Gjiknuri.
Ai ka ftuar Edi Ramën të ngjitet në podium, por ky i fundit ka bërë me shenjë refuzuese, duke vijuar takimet bisedat me shoqëruesit.
NGA OPOZITA
Në ketë festë ra në sy Lëvizja Socialiste për Integrim ishte e përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Endrit Braimllari dhe deputetja Erisa Xhixho. Ndërkohë që prezent ka qenë dhe kryetari i Partisë Agrare Ambientliste, Agron Duka.
Burime nga Brenda festës bënë me dije se kryeministri Rama kur është future në festë ka shmangur takimet me ‘mysafirët’ e LSI-së. Ai u ka kaluar pranë, por nuk i ka takuar ata.