Portieri vlerëson prapavijën, Mehidri: Besa luan për trepikësh në çdo ndeshje

I ardhur nga Vllaznia në këtë merkato vere, portieri Jurgen Mehidri ka fituar deri tani postin e titullarit, ku në garë është me “gardianin” e ri Dorant Ahmeti, i cili vjet ishte titullar. Për Jurgen Mehidrin, sekreti qëndron te prapavija, që sipas tij ka futbollistë me përvojë, që e bëjnë atë më të qetë, dhe të sigurt.

“Të kesh përpara futbollistë si Nuredini, Goxhaj, Frashëri, Nurja e Perja, natyrisht që ke më pak punë dhe të japin qetësi e siguri të madhe. Vështirë që dikush në dyluftimet 1 me 1 të dalë i vetëm para portës time. Një tjetër “armë” mbetet edhe konkurrenca me kolegun Ahmeti, një portier gjithashtu me vlera. Prandaj këto dy motive më bëjnë të punoj më fort”, u shpreh fillimisht portieri. Besa, të dielën do të presë Korabin në stadiumin e Rrogozhinës. Për Mehidrin, ky do jetë sezoni verdhezi. “Është fakt që grupi me afrimet e fundit nuk është ende në formën e tij më të mirë, kryesisht sulmuesit duan pak kohë të shkrihen me lojën e ekipit.

Por kjo nuk na ka penguar dhe as na pengon të synojmë fitore kudo ku luajmë. Në shtëpi e quajmë detyrim të mos lëmë asnjë pikë. Korabi mbetet ekip ekspert i Kategorisë së Parë, por nëse vjet përballë te Besa pati djem të rinj, këtë radhë do ketë Mazrakajn, Goxhajn, Mëllugjën e Frashërin me shokë. Kështu që, po përgatitemi me impenjim maksimal për ta marrë fitoren e dytë në kampionat. Normale, që as Korabi as Pogradeci, Erzeni e Kukësi, apo kushdo nuk mundet nëse nuk sakrifikojmë e japim maksimumin në fushë. Ne e dimë çfarë kërkojmë këtë kampionat dhe kjo mund të arrihet vetëm duke çmuar çdo kundërshtar si të barabartë me ne”, u shpreh portieri Mehidri.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL