KELMENT BAÇI/ Mazhoranca socialiste kaloi dje me “dhunë” dhe nxitim marrëveshjen mes qeverisë dhe kompanisë për t’i hapur rrugë projektit të investimit strategjik për ndërtimin e portit të Durrësit “Marina dhe Jahtet e Durrësit”.
Pas përplasjeve me opozitën për 10 orë në dy komisione parlamentare, me forcën e kartonëve deputetët e shumicës dhanë dritën jeshile ndërsa opozita e kundërshtoi ashpër, duke hedhur akuza të forta në drejtim të qeverisë. Në Komisionin e Ligjeve, pas 5 orë debatesh ligjvënësit socialistë ngritën duart duke mbrojtur projektin ndërsa demokratët demonstruan në mënyrë të ashpër kundërshtitë e tyre për mënyrën e shpalljes së statusit të investitorit strategjik dhe origjinën “ofshore” të kompanisë që do të zbatojë projektin.
Por, PS-ja e mbron projektin pasi atë sipas saj do ta ndërtojë një kompani me famë botërore, teska disa herë kërcënoi me mbyllje komisioni dhe votimi direkt. Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, i hoqi mikrofonin kryetares së Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka dhe i hodhi marrëveshjen mbi tavolinë socialistëve pasi t’i akuzonte se qeveria po e fal portin e Durrësit, pasi po investon dhe nuk merr asgjë mbrapsht. Ky ishte një reagim i ashpër ndaj sjelljes së mazhornacës që i mohoi të drejtën e fjalës opozitës.
I ashpër dhe kritik ishte edhe deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili u shpreh se mazhoranca po e trajton portin e Durrësit si mall pa zot, ndërsa shteti investon rreth 8 herë më shumë se privati, por merr vetëm 1/3 e fitimit. Më herët, në Komisionin e Ekonomisë dy deputetë të PD-së u larguan, pasi përgjigjet e përfaqësuesve të qeverisë ishin të për pyetjet e tyre duke shkaktuar përplasje të forta. Edmond Sapho la seancën pasi kërkoi përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërsa Agron Shehaj pasi ai u njoh në Komision vetëm me vetëdeklarimin e Muhammed El Alabbar. Ndërkohë që, Konferenca e Kryetarëve vendosi dje që seanca parlamentare për debatin për projektligjin e miratimit të marrëveshjes së portit të Durrësit të mbahet më 24 nëntor dhe të zgjasë 6 orë, duke mos humbur asnjë ditë kohë.
DEBATI TE LIGJET
Enkelejd Alibeaj: Si ka mundësi që ky investitori i madh vjen për të investuar me vetëm 80 milionë euro në xhep dhe 80 milionë euro kredi, ndërsa shteti shqiptar krunde fare hedh në këtë projekt (taksat që hiqen për infrastrukturën, strehimin social dhe 812 mijë metra katrorë truall) 630 milionë euro?! Ndërsa kur vjen puna të fitimi, privati merr 67 për qind të fitimit, ndërsa shteti 33 për qind? Në të njëjtën situatë si sot janë duke u trajtuar edhe amnistia fiskale dhe pasaportat e arta. Me portin e Durrësit jo vetëm vijnë, por gjejnë parajsën për t’u larë dhe për t’u pastruar. Kjo është çfarë Parlamenti do të duhet të mendojë.
Janë këto sensibilitete që ne duhet të kemi parasysh. Sa kohë që nuk kemi garanci , bëhet gjithçka me shpejtësi, shteti fiton shumë më pak se çfarë jep, për sa kohë që pushtetit lokal nuk fiton asgjë, askush nuk duhet të ketë dilemë sepse këto janë arsye që ky ligj të mos miratohet. Ky është një projekt pa garë. Kanë shkuar dhe kanë gjetur këtë investitor, por nuk është ai. Sepse nëse njëri do të vij me 2.1 vjen tjetri me 2.2 dhe tjetri me 2.3. Pasuria publike nuk duhet të konsiderohet si mall pa zot. Porti i Durrësit po trajtohet si mall pa zot dhe po falet. Sa probleme kushtetuese ka një ligj që nuk duhet të vinte fare, por që në fakt erdhi. Nga momenti që vijnë ligje të posaçme, ligje personale, janë afera korruptive. Kjo nuk është ndërmarrje për të rritur aftësinë turistike të vendit, por një iniciativë kriminele.
Klotilda Bushka: Si mund të gënjeni, keni thënë sa e sa gënjeshtra. Rast si ky në Shqipëri nuk ka pasur ndonjëherë. Është sa dyfishi i investimit të TAP-it.
Gazment Bardhi: Një nga kolegët më tha që quhen tani rezidenca, nuk quhen pallate. Ju jeni mësuar të jetoni në rezidenca, sepse unë ashtu i njoh. Përjashtime nga takska për apartament që ky investitor do të shesë a ndikojnë te konkurrenca?
Klotilda Bushka: Ju thanë jo, sepse nuk ka investim tjetër si ky as në Durrës dhe as në Shqipëri.
Gazment Bardhi: Nuk po flas për tipologji zhvillimi, por veprimtari ekonomike, shitje apartamentesh, ka kompani të tjera që kryejnë të njëjtën veprimtari. Kontributi i shtetit do jetë i shtrirë në 20 vjet. Kush është kontributi? Sepse mesa kuptoj nga marrëveshja i vendosni në dispozicion pronën publik kundrejt vlerës 1 euro dhe pasi kalon në llogari. Kush janë kontributet që shteti i jep të shtrira në 20 vite?
Besart Kadia: Qeveria ka përjashtuar subjektin nga taksën e infrastrukturës 8 për qind dhe nga taksa për strehim social, 3 për qind që janë kontribute të shtetit si ortak në zhvillim. Shteti nuk ka detyrim të investojë në këtë projekt. Kur thoni që leja e ndërtimit merret menjëherë, ndikimi në infrastrukturë vijon. Dua të kuptoj shqetësimin tuaj. Kontributi shtetëror shtrihet në 20 vite se 20 vjet shtrihet zhvillimi i projektit.
Gazment Bardhi: Leja do merret pas 20 vitesh, ndaj taksa do paguhet pas 20 vitesh? Ky do ndërtojë në ajër dhe kontributi do merret pas 20 vitesh.
Klotilda Bushka: Punë forcë vijoni. Mos bëni si i indinjuar tani. Gazment Bardhi: Shqetësimi im është që shteti shqiptar ka vendosur të bëjë biznes dhe humb, del i humbur. Ajo që ke sjellë ti me firmën që nuk është e Kryeministrit se ai ve e Belindën të firmosë e ka praktikë pune. Ti mbyllë gojën se del jashtë ndryshe. Nuk na urdhëron ti këtu. Gënjeshtra e vetme është e juaja.
Klotilda Bushka: Përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, nuk po i jepet zhvilluesit të huaj, por një shoqërie të përbashkët mes investitorit të huaj dhe një shoqërie 100% shqiptare.
Gazment Bardhi: Po japim 630 milionë euro dhe marrim mbrapsht 280 milionë euro.
Klotilda Bushka: Sigurisht në këtë shoqëri, shteti ka 33%. Shteti shqiptar në këtë marrëveshje futet pa dhënë asnjë para.
Gazment Bardhi: Si asnjë para? Pronat kujt të janë. Si gënjen kështu. Prona publike nuk ka vlerë kështu. Klotilda Bushka: Kompania do investojë në Shqipëri 2.1 miliardë euro për të bërë një zonë turistike.
Gazment Bardhi: Nuk do i investojë ai, mos gënje. Do i investojnë njerëz ku Edi Rama dhe banda në pushtet ka fshehur lekët e korrupsionit. Gjeje ku do i investojë 2.1 miliardë euro. Gjeje në marrëveshje.
Klotilda Bushka: Zoti Bardhi mos më ndërpre. Ju folët, tani e kam unë radhën. Tokën ia japim në pronësi? Më gjeni një rresht ku thuhet se tokën e japim në pronësi. Ne e japim në përdorim. @Panorama.al