Policia operacion blic në një servis në Lezhë, gjen 1.2 kg kokainë. Pranga 50-vjeçares, në kërkim ish-bashkëshorti


Policia e Lezhës, me anë të një lajmërimi për mediat, bën me dije se ka zhvilluar një operacion blic të titulluar “Stacioni”.

Uniformat blu të qytetit verior lajmërojnë se kanë arrestuar një 50-vjeçare, ndërsa kanë shpallur në kërkim ish-bashkëshortin e saj, pasi në një servis gjetën 1.2 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si kokainë.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “Balkanweb” se shtetasja e arrestuar për posedim kokaine quhet Vera Preka.







Njoftimi i policisë:

Lezhë

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Stacioni”.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Lezhë dhe Komisariatin e Policisë Lezhë.

Sekuestrohen rreth 1.2 kg lëndë narkotike e dyshuar kokainë.  Vihet në pranga një 50-vjeçare, shpallet në kërkim ish-bashkëshorti i saj.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Stacioni”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetases:

– Vera Preka, 50 vjeçe, banues në Ishull, Lezhë.

Gjithashtu u shpall në kërkim ish-bashkëshorti i saj, shtetasi D. M., 52 vjeç, banues në Ishull, Lezhë, i dënuar më parë për vjedhje, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Mbi bazën e informacioneve të siguruara së në Ishull, Lezhë, këta shtetas posedonin lëndë narkotike, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në servisin në pronësi të shtetasit D. M., që ishte i përshtatur si banesë për ish bashkëshorten shtetasen V. P. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1.184 kg lëndë të dyshuar kokainë dhe një peshore elektronike.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim./Bw