“Po sikur të silleshim me politikanët si me futbollistët tanë…”, gazetari reagon pas kritikave ndaj Kombëtares: Sa ministra janë shkarkuar për mungesë rezultatesh?

Gazetari dhe pedagogu i njohur Lutfi Dervishi ka reaguar pas sulmeve dhe kritikave ndaj Kombëtares shqiptare që mori barazim në ndeshjen me Islandën.

Ai krahason futbollin me politikën dhe pyet po sikur të silleshim me politikanët si me lojtarët e Kombëtares?

Dervishi shkruan më tej se sa mirë do të ishte që edhe demokracia t’i ngjante më shumë futbollit.

“Sa ministra/zyrtarë janë shkarkuar për mungesë rezultatesh në 10 vitet e fundit?”, pyet ai.

POSTIMI I PLOTË
Po sikur të silleshim me politikanët ashtu si me lojtarët e Kombëtares?
Meritokraci, përgjegjshmëri, gjykim i drejtë, transparencë, konkurrencë e lirë, rezultate, kontrata, media e lirë dhe profesionale- këto fjalë janë të lidhura me demokracinë, por sot i shkojnë më shumë futbollit.

Meritokraci. Çdo njeri në vendin e vet me meritë dhe jo për shkak të njohjes apo se babai është milioner apo me ndikim. Është aty ku është sepse është më i zoti.

Përgjegjshmëri: puna jote matet me rezultatet dhe jo me premtime dhe justifikime.

Transparencë veprimet e tua janë në sy të të gjithëve!
Gjykimi është i drejtë dhe profesional.
Rezultatet: janë të dukshme, të prekshme dhe të matshme për të gjithë!

Kontrata: vendi i punës është i sigurt sa kohë që plotëson detyrimet. Në rast se kontrata prishet para kohe ka penalitete financiare.

Po sikur të funksiononte edhe demokracia si futbolli?
Ashtu si në futboll ku nuk ka fitues të përhershëm edhe në demokraci nuk fitues të përjetshëm. Ashtu si në futboll ku publiku gjykon lojtarët, trajnerët dhe gjyqtarët, ashtu edhe në demokraci publiku gjykon, ministrat, zyrtarët, kryeministrin dhe gjykatat.

Në futboll raportimi mediatik është i saktë (një ndeshje që del 1-1 raportohet 1-1 nga të gjithë gazetarët dhe komentatorët) Ideale do të ishte që media të ishte po kaq e saktë edhe në raportimin jashtë sportit.
Ashtu si në futboll ku trainerët, kapiteni dhe lojtarët mbajnë përgjegjësi direkte për rezultatet edhe në një demokraci ideale kryeministri mban përgjegjësi direkte për rezultatet.

Ashtu si në futboll që ka transparencë për milionat në merkato edhe në një qeverisje ideale publiku dhe media di çdo qindarkë qe shpenzohet dhe merret borxh.

Ashtu si në futboll kur gjyqtari gabon është sistemi VAR edhe në një demokraci ideale gabimet e qeverisë dhe kujtdo i korrigjon gjykata!
Ashtu si në futboll kur ndodh një gafë/skandal, veprimi i parë është kërkimi i ndjesës dhe shpesh dorëheqja edhe në një demokraci ideale publiku pret kërkimin e ndjesës dhe dorëheqjen. Ashtu si mbrëmë kapiteni Cikalleshi për barazimin me Islandën.

Ashtu si në futboll tifozët nxehen, dalin nga vetja dhe u hakërrehen lojtarëve të Kombëtares ashtu edhe në një demokraci ideale njerëzit revoltohen dhe kërkojnë dorëheqjen e qeverisë kur nuk ka rezultate, apo kur ka skandale të mëdha.

Lojtarët mbrëmë me kokën ulur u afruan te tifozët. Të gjithë që folën kërkuan ndjesë. E megjithatë ndaj tyre u hodhën jo vetëm fjalë të padenja, por edhe shishe.

Sot nuk guxon të hapësh portalet dhe facebook se ndeshesh vetëm me një kërkesë: dorëheqjen e trajnerit. Imagjino të ishte humbur ndeshja mbrëmë. Do të kërkonim ta varnim.
Sa trajnerë janë shkarkuar që nga nisja e sezonit për mungesë rezultatesh në 10 ndeshjet e para?

Sa ministra/zyrtarë janë shkarkuar për mungesë rezultatesh në 10 vitet e fundit?
Sa mirë do të ishte që edhe demokracia t’i ngjante më shumë futbollit.

P.S. Dikush me të drejtë mund të kujtohet për skandalet në futboll, për shit-blerjet e ndeshjeve, për faktin se rezultatin disa e marrin vesh para se të nisë loja. Ekzaktësisht kështu ndodh ndonjëherë në demokraci: ndeshja është e shitur.