Plagosja në Tiranë/ Vocaj: Polici nuk donte që ta vriste! Fola me të, është në gjendje të rënduar

Drejtuesi i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka dhënë një prononcim për mediat nga terreni në lidhje me atentatin e regjistruar mesditën e sotem tek Komuna e Parisit, ku efektivi i Policisë Erjon Goxhara plagosi 45-vjerçarin Lorenc Kosta.

Vocaj deklaroi se nga hetimet paraprake, rezulton se efektivi Erjon Goxhara nuk ka dashur që ta vrasë “shënjestrën” pasi e ka qëlluar në pjesën e poshtme.

Ai tha se ka biseduar me autorin dhe ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike. Vocaj i bëri thirrje kolegut të tij që të vetëdorëzohet, teksa konfirmoi se i plagosuri nuk është në rrezik për jetln.

“Siç jeni në dijeni rreth orës 14:00, E.G punonjës policisë në strukturat për Migracionin në Tiranë ka plagosur një 45-vjeçar. Policia po kryen veprimet e domosdoshme hetimore. Po punojmë për ta lokalizuar. Mundësia me e madhe është të ketë qëlluar me armën e shërbimit. Motivet janë motive të dobëta. Jemi duke zhvilluar hetim, mund të themi se autori e ka qëlluar në pjesën e poshtme gjë që nuk tregon se ka dashur ta vrasë. Jemi duke kryer hetimet. Nuk e dimë nga është i plagosuri. Besoj në orët e pasdites do të kemi një komunikatë të plotë. Punonjësi i policisë ka qenë jashtë orarit të punës. Kam komunikuar me efektivin është në gjendje të rënduar psikologjike, po e kontaktojmë që mos të kryejë ndonjë veprim tjetër ndaj vetes. Jemi duke shpenzuar energjitë ta kapim. I bëjmë thirrje dhe nëpërmjet medias që të dorëzohet. Siç duket i plagosur nuk është në rrezik për jetën”, tha Tonin Vocaj.