Kryetari i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi është plagosur me thikë, raporton News24.
Kryebashkiaku është plagosur nga një person i cili më parë ka qenë punonjës i sektorit të IT-së në Bashkinë e Divjakës.
Sipas News24, autori i ngjarjes është Ergest Xhelili i cili është ndaluar nga forcat e policisë.
Burimet thonë se edhe shoferi i tij është plagosur nga po i njëjti person, pas një sherri që ka ndodhur në Poliklinikën e qytetit.
Teksa nuk ka ende shumë detaje nga ngjarja e ndodhur, informacionet të pakta janë edhe për gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut dhe shoferit të tij.
Ata janë dërguar në spitalin e Lushnjes për të marrë ndihmë mjekësore.
Ngjarja vjen në një kohë kur vendi ndodhet pak muaj nga zgjedhjet lokale të 14 majit 2023 dhe kryeministri Rama ka nisur të konfirmojë emrat e parë të kryebashkiakëve që do të rikandidojnë. Deri më tani, Rama nuk e ka bërë këtë me Kokoneshin dhe nuk dihet nëse do i besojë edhe një tjetër mandat.
POLICIA DHE PROKURORIA
Policia dhe Prokuroria e Lushnjës kanë bërë një deklaratë për mediat nga ambientet e Spitalit, ku aktualisht ndodhet kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi, i cili u plagos me thikë Orgest Xhelili.
DEKLARATA E POLICISE
Rreth orës 09:30, në afërsi të bashkisë Divjakë, shtetasi O. Xh., 46 vjeç, dyshohet ka goditur me mjet prerës, shtetasin F. K., me detyrë Kryetar i bashkisë Divjakë dhe shoferin e tij, shtetasin G. B., 45 vjeç. Të dëmtuarit janë transportuar menjëherë dhe po marrin ndihmë mjekësore, në Spitalin Rajonal Lushnjë.
Falë veprimeve të shpejta operacionale të shërbimeve të Policisë, është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, shtetasi O. Xh., si autor i dyshuar i plagosjes.
Në vendngjarje ndodhen drejtuesit më të lartë të DVP Fier.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
TAULANT BALLA
Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar për plagosjen me thikë të kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi. Në një komunikim për mediat, Balla tha se kjo është si pasojë e ndasive, për të cilën tha se duhen të marrin fund urrejtjet.
Balla e konsideroi autorin si një të “çmendur”, ndërsa bëri thirrje që drejtësia dhe policia të bëjnë punën e vetë. “Mjaft duke vrarë njëri tjetrin”, theksoi Balla.
“Ngjarja është shumë e rëndë dhe shpresoj që kolegu ynë dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë t’ja hedhin kësaj gjendje të vështirë. Sipas mjekeve ata i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.
Është një ngjarja e rëndë që më vjen keq ta them është produkt i kësaj ndasisë që mbillet cdo ditë. Shpresoj që cdo qytetar ta kuptojë që në këto ditë të vështira lufte të jemi të bashkuar apo të ndarë.
Lëreni policinë dhe drejtësinë të bëjë punën e vet. Ti marrësh jetën tjetrit nuk ta justifikon për asgjë. Pra dy persona sot luftojnë për jetën. Nuk e dimë kush është arsyeja, por di që një i çmendur ka marrë thikën dhe ka shkuar të godasë. Unë di që kjo ndasia dhe urrejtje duhet të ndalet. Ne shqiptarët jemi pak nuk jemi shumë dhe mjaft më duke vrarë njëri-tjetrin”.
DEPUTETI I PD
Deputeti i PD për qarkun e Fierit, Luan Baçi e konsideron plagosjen e kryebashkiakut socialist të Divjakës, Fredi Kokoneshi si një “gjyq që socialistët po i bëjnë njëri-tjetrit”.
Reagimi i Luan Baçit
Vazhdojnë kryetaret e bashkive, te godasin njeri tjerin, me bomba dhe me thika, ashtu si ne Lushnje, ku kryetari u godit me granata ne zyren e tij dhe tani eshte ne burg per korrupsion!
Edhe ne Divjak sot, kryetari i emeruar dhe i kontestuar forte nga banoret, per menyren e drejtimit dhe i akuzuar shpesh here per korrupsion, goditet me thike nga pjestar te ekipit te tij dhe mazhorances qe perfaqeson!
Vjedhjet, padrejtesite, abuzimet, arroganca e ketyre viteve, si ne pushtetin qendror dhe ate vendor, ku çdo gje eshte ne doren e tyre, kane bere qe situata te jete jashtë kontrollit dhe ti bejne gjyqin njeri tjetrit vet!
Gjithesesi i uroj sherim te shpejte z Kokoneshi, me shpresen, qe drejtesia te veproj shpejte dhe te vihen para pergjegjesise ligjore fajtoret, duke pasur parasysh, shkaku dhe pasoja!
Keta jane kryetaret qe ka emeruar KM, te pa zgjedhur, te pa votuar nga qytetaret, jane thjesht hajdut te bandes se KM!
Ne 12 Nentor, neser ne oren 16.00.
Te gjithe ne shesh, per ti shporrur njehere e mire dhe ti shpetojme te mos vrasin njeri tjetrin!