Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Rrogozhinës, Shkëlqim Hoxha në një lidhje telefonike për “Panorama TV” ka reaguar pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, i cili vendosi që në këtë bashki të përsëriten zgjedhjet. Sipas tij prisnin edhe më shumë, pasi kërkesa ishte që të hiqej tabela me rezultatin e burgut dhe të shpallej rezultati me pjesën tjetër, por theksoi se e drejta shkoi në vend.
Hoxha tha gjithashtu se qytetarët e Rrogozhinës janë gati që të dalin sërish në zgjedhje, ndërsa u shpreh i bindur në fitore.
“Prisnim edhe më shumë, por e drejta shkoi në vend sepse ajo ishte diçka shumë e hapur dhe flagrante dhe kryetari i bashkisë nuk mund të vendosej nga një kuti e krijuar jashtë rregullave dhe pa vendim KQZ.
Kërkesa jonë ishte që të hiqej tabela me rezultatin e burgut dhe të shpallej rezultati me pjesën tjetër, por siç duket Kolegji e ka gjykuar kështu dhe u vendos që të përsëriten zgjedhjet duke e quajtur të pavlefshme kutinë e burgut dhe duke përsëritur zgjedhjet në gjithë bashkinë.
Unë deri këtu kam ardhur me mbështetjen e qytetarëve dhe kanë qenë ata që më kanë mbështetur çdo ditë. Mendoj se ata janë gati të dalin edhe njëherë në zgjedhje për të zgjedhur kryetarin e bashkisë.
Ne problemin kryesor e kemi pasur me kutinë e burgut sepse është ngritur pa vendim KQZ dhe KZAZ. Është njëlloj sikur të mblidhen një grup njerëzish dhe të thonë hajde të ngremë një qendër votimi. Kjo ka qenë shkelje flagrante. Pastaj ka pasur edhe shkelje të tjera, nuk ka pasur rregulla fushate, janë ndarë lekë, janë shtruar rrugë”, tha Hoxha.
Ndërsa i pyetur nëse janë bërë denoncime për këto shkelje, ai u shpreh se “është njësoj sikur të bësh luftë me mullinjtë e erës”.
“Ne presim që vota e qytetarëve të shkojë aty ku ishte nisur. Unë jam i bindur 100% se do kemi rezultat më të mirë dhe do shpallem fitues”, tha Hoxha.
Ai u shpreh se sërish do të ketë tentativa për manipulim: “Tentativa do të ketë dhe jam i sigurt që do ketë, por ne do bëjmë punën tonë. Por këtë radhë dimë ku janë pikat e dobëta”.
Shkëlqim Hoxha kishte edhe një mesazh për të gjithë qytetarët: “Dua ti falënderoj për mbështetjen e madhe që më kanë dhënë këto ditë, kanë qenë çdo ditë më mua. Dua ti ftoj që të bëhemi akoma më shumë se herën e parë për të arritur fitoren e sigurt dhe për të çuar drejtësinë në vend.