Përplasja e tifozëve boshnjakë me policinë, çfarë ndodhi mbrëmë pas sfidës me Tiranën. Lëndohet efektivi. Momentet nga sherri

Sherr mes tifozëve të skuadrës boshnjake të Zrinjskit mbrëmë në Tiranë. Tifozët janë përplasur me efektivët e policisë të stacionuar për të mbarëvajtur rendin dhe sigurinë gjatë përballjes në kuadër të Conference League me skuadrën kampione të Shqipërisë, Tiranën.

Përplasja e dhunshme ndodhi jashtë ambienteve të stadiumit “Air Albania” pak minuta pasi arbitri fishkëlleu për përfundimin e takimit që u mbyll me shifrat 0-1 për kundërshtarët.

Siç u njoftua edhe dje, tifozët hodhën shishe dhe sende të marra nga lokalet përreth në drejtim të policisë, ndërsa efektivët janë kundërpërgjigjur edhe me gaz lotsjellës. Ndërkohë, nga sherri një efektiv policie u plagos në vendngjarje gjatë momentit kur janë konfrontuar dy tifozeritë. Ndërkohë uniformat blu kanë bërë shoqërimin e disa 25 tifozëve miq. Po ashtu, u tha se ultrasit e Zrinjskit kishin konsumuar alkool, çka mesa duket ka nxitur edhe ngjarjen.

ÇFARË THA POLICIA
Më datë 19.07.2022, në stadiumin “Air Albania”, pas përfundimit të ndeshjes Tirana-HSK Zrinjeski Mostar i Bosnje Hercegovinës, gjatë daljes së tifozëve, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë për të shoqëruar disa tifozë të ekipit të Bosnje Hercegovinës, të cilët gjatë zhvillimit të ndeshjes kanë hedhur sende të forta dhe lëndë piroteknike.

Gjatë momentit të shoqërimit të tyre, pjesa tjetër e tifozëve të këtij ekipi, ka kundërshtuar me forcë dhe me sende të forta punonjësit e Policisë, për të mos lejuar shoqërimin e tyre. Shërbimet e Policisë, për të neutralizuar aktet e dhunshme të tifozëve, kanë përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë ata.

Si pasojë e akteve të dhunës nga ana e tifozëve, është dëmtuar një punonjës Policie si dhe një tifoz, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Nga shërbimet e Policisë deri tani janë shoqëruar 25 tifozë. Sqarojmë opinionin publik që nuk ka pasur të shtëna me armë dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në akte të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.