Kryetari i zgjedhur i bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja në një intervistë për emisionin “Log.” në Panorama TV tha se puna e tij e parë sapo të marrë detyrën është se do të merret me turizmin, pasi siç tha ai ky qytet ofron atraksione te shumta.
Qosja u shpreh se për të mirën e qytetit të Kavajës, ai do t’i shtrijë dorën edhe kryeministrit Rama.
“Para kemi sezonin turistik, unë do të merrem natë e ditë me këtë. Unë do ti hyj punës me kokë që ti shërbej qytetareve, turistëve.
Unë e kam thënë, do ti shtrij dorën çdo njeri, Ramës si kryeministri jo si kryetar i PS do t’i shtrij dorën. Mjafton ti shërbejmë Kavajës. Unë do ti rri poshtë derës vetëm për të mirën e qytetarëve. Ne jemi zonë e mrekullueshme”, tha Qosja.
Fisnik Qosja tregoi edhe projektin më madhor që ai ka në mandatin e tij 4 vjeçar, që synon ta bëjë realitet.
“Një kavajs brenda mandatit tim të parë do shkojë në bregun e detit duke ecur me biçikletë ose në këmbë. Arteria kryesore e rrugës së bregdetit do ti japë frymëmarrje të jashtëzakonshme qytetit. Ky është projekti më madhor që unë kam në këto 4 vite. Kjo kërkon edhe ndërhyrje nga qeveria, por ne do mundohemi të gjejmë fonde edhe nga organizatat ndërkombëtare për ta bërë realitet”.