Peqin/ Arrestohen dy zyrtarë të burgut, dyshohet se falsifikuan kartelën e të “fortit” të Vlorës

Detaje të reja dalin nga arrestimi i dy zyrtarëve të burgut të Peqinit këtë të enjte.

Gani Shehu dhe Lulzim Kadiu janë vendosur në pranga pasi kanë falsifikuar kartelën e punës në burg të Viktor Ymerit, ky një personazh i njohur nga autoritetet shqiptare.

Mësohet se Gani Shehu ishte shefi juridik ndërsa Lulzim Kadiu kartelist. Të dy zyrtarët akuzohen se kanë falsifikuar një sërë dokumentesh të punës së disa të burgosurve, ku mes tyre është dhe Viktor Ymeri.

Nga falsifikimi i kartelave, dyshohet se të burgosurit kanë përfituar ulje të dënimit. Kujtojmë se Viktor Ymeri është cilësuar si një prej personave më problematik të Vlorës. Ai është liruar nga burgu në vitin 2019 pas dënimit prej 25 vitesh burg të marrë për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës.

KUSH ËSHTË VIKTOR YMERI

Viktor Ymeri njihet si një nga njerëzit më problematikë në Vlorë dhe që ka lidhje miqësie e farefisnie me Edison Harizajn, i ekzekutuar në Durrës në vitin 2019. Viktor Ymeri konsiderohej nga Policia dhe Prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, i njohur ndryshe si Gaxhai, i dënuar me burgim përjetë. Ymeri dhe Gaxhai kanë ekzekutuar së bashku në qershor të vitit 1999 me dhjetëra plumba kallashnikovi Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.

Fillimisht, Paja dhe Xhunga të cilët po udhëtonin me një furgon tip “Citroen” në afërsi të Drejtorisë së Policisë Durrës, janë qëlluar me një predhë kundërtanku, e cila edhe pse ka prekur parakolpin e furgonit, fatmirësisht nuk ka plasur. Pas kësaj, mbi Pajën dhe Xhungën janë derdhur breshëri automatiku kallashnikovi, të cilat vinin nga katër krahë, duke i lënë të vdekur në vend. Për këtë ngjarje, Policia e Durrësit në atë kohë arrestoi brenda shtëpisë së një doktori në Durrës Gazmend Brakën dhe Viktor Ymerin.