Gjashtë deputetë të Partisë Demokratike kanë reaguar pas qëndrimit të kreut të grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj i cili tha sot se PD e drejtuar nga ai do të dalë me kandidatët e saj në zgjedhje duke bërë kështu që opozita të ketë edhe një garë brenda saj në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Kjo pasi pjesa tjetër e opozitës duke u nisur që nga PD e drejtuar nga Sali Berisha, Partia e Lirisë dhe partitë e tjera aleate kanë paralajmëruar se do të dalin me një kandidat të përbashkët.
Në një prononcim për News 24, deputeti Agron Gjekmarkaj ka deklaruar se nuk është informuar në lidhje me këtë vendim të njoftuar nga Alibeaj duke theksuar se vetëm me kandidatë të përbashkët opozita ka shanse reale në garë.
Nuk e kam pare intervistën! Tani po e marr vesh. Pa e dëgjuar s’dua te komentoj, dhe me këte nuk po them qe nuk i besoj fjalës tende. Vetëm me kandidat te përbashkët opozita ka shanse reale gare. Por nuk e di te jete mbledhur grupi parlamentar dhe te jene marre vendime, si i vetmi institucion qe e ka këtë tager ne kushtet ku jemi.”, tha Gjekmarkaj.
I të njëjtin qëndrim është edhe deputeti Ervin Salianji. “Fat i keq për demokratët që të zgjedhurit e tyre janë në garë inati dhe jo në logjikë dhe as arsye! Dua të le mënjanë modestinë, pavarësisht se jam votuar thuajse nga 10.000 qytetarë në Korçë, deri sot askush nuk më ka kontaktuar dhe as pyetur. Mendoj që opozita duhet të jetë e bashkuar.
Beteja mediatike që bëjnë demokratet ndaj njeri-tjetrit nuk i shërben qytetarëve që po përballen me një qeverisje prepotente skandaloze, demokratët po i dëmton deri ne palcë.”, tha Salianji.
Po ashtu edhe deputetja Dhurata Çupi, thotë se është detyrim ndaj demokratëve që në zgjedhje PD të dalë me një kandidat të përbashkët.
“Ne duhet te përpiqemi të gjithë te dalim me nje kandidat. Eshte detyrim i joni ndaj demokrateve te dalim bashke. Eshte detyrim i joni si drejtues, mos te bjerremi pas sedres personale apo interesave personale. Demokratet nuk e duan sjelljen e ndasive dhe ne duhet tju pergjigjemi interesave te tyre. Duhet fituar me Edi Ramen, jo me njeri tjetrin.”, tha ajo.
Saimir Korreshi nga ana tjetër ka paralajmëruar se nëse ndodh që PD të dalë me dy kandidatë, nuk do të marrë pjesë në zgjedhje.
“Unë qëndrimin tim e kam bërë publik. Në një palë zgjedhje si ato të 2023-it, kur mund të këtë 2 kandidate ne zgjedhje te PD-se, nuk do te marr pjesë.”. theksoi Korreshi.
Deputeti Xhelal Mziu tha se çdo subjekt politik opozitar del në zgjedhje me kandidatë të vetët dhe jo në koalicion, do të konsiderohet ‘patericë’ e Ramës. “Çdo subjekt politik opozitar që del në zgjedhjet lokale të 2023 me kandidat te vetet, por jo në koalicion, do të konsiderohet një patericë e Edi Ramës”, u shpreh Mziu.
Kreshnik Çollaku thekson se me rëndësi është bashkimi i PD-së. “Unë mendoj se përcaktuese per fitoren e opozitës si të tërë ka rendësi bashkimi i PD. Nje PD e ndare apo e përçarë sjell automatikisht pikëpyetje mbi suksesin e krejt opozitës. Për mua ka rëndësi qe te këtë vetem nje kandidat nga PD. Pra bashkimi i opozitës percaktohet nga bashkimi i PD. Sigurisht PD eshte forca me e madhe dhe percaktuese e opozites dhe do te mbaje peshen me te madhe te kandidaturave. Nese PD eshte e bashkuar Opozita eshte e bashkuar. E kunderta nuk mund te ndodhe. Sado te shtohen ngjyrat e aleateve apo koalicioneve, pa bashkim te PD nuk ka bashkim te Opozitës”, theksoi ai.