Partia Demokratike e Shqipërisë të shtunën është e ndarë mes Kuvendit të partisë të organizuar nga kryetari, Lulzim Basha, dhe një referendumi për ta larguar Bashën nga PD-ja, i organizuar nga ish-kryetari i kësaj partie, Sali Berisha.
Prej orës 08:00 të së shtunës, anëtarët e Partisë Demokratike kanë nisur të marrin pjesë në referendumin për shkarkimin e kreut të partisë, Lulzim Basha.
Referendumi është thirrur pas Kuvendit të mbledhur nga firmat e ish-kryeministrit Sali Berisha. Procesi i votimi në të gjitha degët e PD-së në rrethe pritet të përfundojë në orën 17:00.
Në të gjithë vendin janë 106 qendra votimi.
“Ftoj Departamentin amerikan të Shtetit, çdo qeveri, çdo individ të paraqesë çdo fakt, dokument, provë që ka kundër Sali Berishës, por u siguroj se sikundër deri sot, edhe 100 vjet të tjera do të mbeten duarbosh”, deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha pas votimit për shkarkimin e Lulzim Bashës nga kreu i PD-së.
Kjo situatë e paprecedente politike në Shqipëri vjen gati pas tre muajsh akuzash e kundërakuzash që krerët dhe strukturat kyçe partiake i bënë ndaj njëri-tjetrit.
Zhvillimet e sotme u paraprin nga tubime disa javësh që mblodhën mijëra simpatizantë të ish-kryeministrit dhe themeluesit të PD-së, Sali Berisha, në përpjekje për t’u rikthyer në skenën politike pas shpalljes si person non grata (person i padëshiruar) nga administrate aktuale amerikane.
Këto tubime kulmuan me një miting në Tiranë, të mbajtur një javë më parë, prej nga Berisha tha se synon shkarkimin e Bashës dhe rikthimin e tij në parti, përkundër paralajmërimeve të shumta të zyrtarëve amerikanë që një veprim i tillë do të acaronte marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me PD-në dhe Shqipërinë.
Këtë iniciativë të vetën dhe të një grupi të madh të PD-së, Berisha e quan “Komisioni për Rithemelimin e Partisë”, për të cilin thotë se është jetik për të ardhmen e Shqipërisë.
Në anën tjetër, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Partia Demokratike po mban Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Lulzim Basha.
“Partia Demokratike nuk do t’i dorëzohet fatit të një personi. Partia Demokratike do të jetë e gjithë demokratëve, nga themeluesit te më i riu apo më e reja mes nesh”, tha Basha gjatë kuvendit.
Ai shtoi se kjo parti duhet të fokusohet në opozitarizëm, në mënyrë që të përballet me Qeverinë e udhëhequr nga Edi Rama.
“Partia Demokratike është e vendosur të përballet me këtë regjim që e do Shqipërinë pa të drejta, pa liri, pa të vërteta. Që shkel ligjet, pasurohet duke vrarë shëndetin dhe ekonominë, grabit buxhetin e shqiptarëve, shantazhon dhe blen drejtësinë dhe median. Askush nuk mund të pretendojë se nuk e sheh dhe nuk e kupton”, u shpreh Basha.
Në Kuvend pritet të merren vendime për zhvillimet e fundit brenda partisë dhe si një kundërpërgjigje për Kuvendin e thirrur nga ish-kryeministri Berisha. Janë 15 komisione të ndarë sipas qarqeve dhe një komision i veçantë për deputetët dhe Këshillin Kombëtar.
Një prej vendimeve të Kuvendit të thirrur nga Basha pritet të jetë përjashtimi i marrjes së roleve drejtuese në parti për personat që do të shpallen ‘non grata’.
Basha në përgjigje ndaj Berishës, ka thënë se PD-ja ka rrëzuar “kultin e individit”.
Përplasjet brenda Partisë Demokratike filluan qysh në muajin shtator kur kreu aktual i kësaj partie, Lulzim Basha u rreshtua në mbështetje të kërkesave të administratës amerikane për ta larguar Berishën nga grupi parlamentar i partisë.
Më pas Berisha paditi Sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken në një gjykatë në Francë për t’i kontestuar akuzat për korrupsion që përbëjnë bazën e veprimit amerikan për ta shpallur atë person të padëshirueshëm.
Berisha vazhdoi me akuza ndaj administratës amerikane duke theksuar se nuk do të lejojë që zyrtarët amerikanë të sillen si guvernatorë në Shqipëri.
Në maj, Departamenti amerikan i Shtetit i ndaloi hyrjen në territorin amerikan Berishës dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në, siç është thënë korrupsion të gjerë./REL