PD e PS kundër rivënies në skenë të “Prefektit”! Gjekmarkaj: Qazim Mulleti s’ka qenë injorant, por i shkolluar në Perëndim


MARIGLEN KUME/ Rileximi i komedisë “Prefekti” të autorit Besim Levonja në skenën e Teatrit Kombëtar me premisën për t’u vendosur në skenën e këtij teatri shkaktoi reagime edhe në Komisionin e Medias dhe Edukimit. 

Ishin deputetët e Partisë Demokratike të cilët kërkuan që komisioni të dalë me një deklaratë të përbashkët që “Prefekti” të mos vihej në skenë, pasi ishte një vepër e kohës së diktaturës që denigronte ish-prefektin Qazim Mulleti. Po ashtu, deputetët Luçiano Boçi, Agron Gjekmarkaj, Ina Zhupa dhe Flutura Açka kërkuan që të thërrisnin në seancë dëgjimore drejtuesit e teatrit.

Por deputetët e maxhorancës, të cilët gjithashtu nuk ishin dakord që vepra të vihej në skenë, nuk dakordësuan që të zhvillonin seancë dëgjimore dhe të dilnin me deklaratë të përbashkët, pasi sipas Petro Koçit, kjo do të përngjante me kohën e komunizmit dhe do të merrej si censurë. Ndërkohë, në Komisionin e Sigurisë pati një tjetër debat që lidhej me deklaratat e deputetit të PS-së në Lushnjë Bujar Çela ditën e Çlirimit.

Ervin Salianji kërkoi që PS të distancohej nga deklaratat e tij e të merrej masë disiplinore. Ndërkohë, kryetari i Komisionit, Nasip Naço, në përgjigje të deputetit demokrat u shpreh se ai si administrator i grupit të komunikimit në “WhatsApp” që në momentin që është vënë në dijeni për komentet ka tentuar t’i fshijë ato dhe kur nuk ia ka dalë dot, e ka nxjerrë deputetin Bujar Çela nga grupi. Naço u shpreh se mund të japë një gjykim të mëtejshëm në lidhje me ngjarjen pasi të dëgjojë dhe argumentet e deputetit Çela në Këshillin e Etikës, ku pritet të merren masa ndaj tij.

DEBATI NË KOMISIONIN E SIGURISË 

Ervin Salianji: Është në nderin tuaj dhe të komisionit që për ngjarjen që ka ndodhur të kërkoni falje dhe të distancoheni, sidomos për fyerjet që i janë bërë gjithë shoqërisë shqiptare, por sidomos viktimave të komunizmit. Një anëtar i këtij komisionin ka turpëruar, jo komisionin, por gjithë Parlamentin dhe nuk mundet që në mbledhjen e parë të bëhet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nuk bëhet kjo, kërkohet ndjesë, ju distancoheni nga kjo dhe pastaj fillojmë mbledhjen në mënyrë normale. Pastaj vijojmë me rendin e ditës. Përderisa ishte në mbledhjen e këtij komisioni duhet të kërkoni ndjesë dhe pastaj flasim dhe vijojmë punën normal. Duhet të kërkoni ndjesë, sepse ka qenë në grupin zyrtar të komunikimit të këtij komisioni. Keni ju ndonjë reagim apo ndjesë për atë që ka ndodhur?

Nasip Naço: Zotëria në fjalë është anëtar zëvendësues i këtij komisioni, pavarësisht se është në grupin e komunikimit. Kur jam vënë në dijeni të atij lloj komunikimi, kam dashur të kontaktoj, por nuk munda. Kam bërë të mundur për aq sa më lejonte mënyra e komunikimit për të fshirë komentet që ishin bërë. Në momentet që nuk arrija t’i fshija të gjitha e kam nxjerrë nga grupi. Grupin e administrimit e kam unë, e kam nxjerrë nga grupi. Pastaj ka një njoftim nga kreu i Grupit Parlamentar që do t’i nënshtrohet Kodit të Etikës, ju keni bërë një kërkesë për Kodin e Etikës dhe do të thirret, do të dëgjohet brenda rregullave të japë dhe ai gjykimin e vet dhe pastaj mund të diskutojmë gjithë ditën. Është e drejta juaj për qëndrimet, por pa dëgjuar edhe atë zotërinë në Komisionin e Etikës nuk mund të gjykoj më shumë. Aq sa kam bërë është tërheqje e vëmendjes, edhe pse nuk është anëtar i këtij komisioni, por është zëvendësues.

DEBATI NË KOMISIONIN E MEDIAS 

Luçiano Boçi: Ne duhet të reagojmë si komision për këtë gjë. Unë jam i fushës së letërsisë dhe gjetja e ekuilibrit mes censurës dhe lirisë së fjalës dhe të shkruarit është pak e vështirë, por nuk kemi të bëjmë me një vepër letrare, por është një shkrim, gjyq politik që i është bërë një figure të rëndësishme të historisë së Tiranës. Ajo që kërkoj unë si anëtar i këtij komisioni është që të bllokohet vënia në skenë e kësaj. Për këtë duhet të thërrasim dhe në drejtorin e Teatrit Kombëtar për të dhënë një shpjegim përpara komisionit.

Agron Gjekmarkaj: Këto ditë ka pasur disa ngjarje me reminishenca provokative. Qazim Mulletit mund t’i thuhen shumë gjëra, por nuk ka qenë injorant, por i shkolluar në Perëndim. Ne si komision duhet të mbajmë një qëndrim jo vetëm për këtë, por edhe për deputetin e Lushnjës, duke revokuar diktatorin Enver Hoxha në ditën e Çlirimit.

Petro Koçi: Lidhur me çështjen e parë, që ne si komision t’i kërkojmë Teatrit Kombëtar ndalimin e shfaqjes, mendoj se opinioni publik është ngacmuar dhe ata të reagojnë vetë nëse opinioni, ky ngacmim publik, është i mjaftueshëm për të marrë një vendim ndryshe. Nuk e gjykoj se ky komision do duhet të kërkojë ndalimin e një vepre artistike. Sigurisht edhe unë i bashkohem mendimit që komedia ka pasur një mëveshje të qartë politike. Ky është një fakt që duhet ta konsiderojë trupat artistike. Por nëse do ta kërkonim ne këtë, do t’i ngjanim pak diçkaje të së kaluarës. Lidhur me çështjen që është bërë publike të mesazhit në “WhatsApp” të Çelës, mendoj se PS është e distancuar qartazi nga periudha e diktaturës. Kuptohet që në krye të diktaturës ka qenë Enver Hoxha. Lidhur me luftën ka një taktikë nga politika që të lidhin luftën me pasluftën. Lufta Nacional Çlirimtare na ka bërë nder. Natyrisht që lufta nuk është Parlament si ky yni. Sigurisht në luftë ka edhe viktima. PS është distancuar prerazi, siç ka bërë rivlerësim të kohës së Zogut lidhur dimensionin e tij shtetëror që ka pasur shumë drejtime që vlerësohen edhe sot.

Ina Zhupa: Edhe është turpi i kësaj maxhorance që nuk distancohet nga veprimet e deputetit tuaj të Lushnjës Bujar Çela, për të revokuar dhe glorifikuar figurën e një diktatori, i cili më lejoni të ju kujtoj, që ka në rekordet e tij: 6027 persona që janë ekzekutuar për arsye politike si armiq të pushtetit; 17,650 persona janë burgosur nga regjimi diktatorial i tij; 1065 persona kanë vdekur në burgjet e tmerrshme të komunizmit; 22 gjeneralë të ushtrisë dhe drejtues të lartë të shtetit janë burgosur, 29 të tjerë ministra, zv/ministra të tij janë burgosur etj., por mbi të gjitha, 3 milionë shqiptarë kanë jetuar të izoluar në kushtet më të këqija në terrorin e këtij diktatori.

Besion Ajazi: Jam shumë dakord që të kërkojmë, por nuk kemi si ta kthejmë komisionin në një gjyq. Do të ishte e tepërt.

Flutura Açka: Edhe PD ka një pjesë të madhe të fajit që të diskutojmë akoma dekomunistizimin. Çështja e keqpërdorimit të artit në këtë sens është një gjë normale. Ne mund të dalim me një deklaratë si komision që të tërheqim vëmendjen për “Prefektin”. Rastet e përsëritura na çojnë në mendimin se arti po përdoret politikisht.

Marrë nga Gazeta Panorama