Robert Necaj, vrojtues i plazheve, së fundmi ka rrezikuar jetën e tij teksa ka shpëtuar nga mbytja dy fëmijë. Ngjarja ndodhi në Shëngjin. Ai ka treguar për mediat se si arriti që të shpëtonte motër e vëlla, por pasi i kishte nxjerrë në breg vetë kishte humbur ndjenjat dhe kishte rëndë me fytyrë përtokë në ujë. Madje ai shkoi edhe më tej, teksa tha se askush nuk e kishte ndihmuar, madje as nuk kishte marrë falënderime për shpëtimin e dy fëmijëve nga Kosova.
“Ishin futur në një zonë shumë të rrezikshme, vajza po i thërriste vëllait të kthehej. Vëllai po dridhej, kishte kriza epilepsie. Motra po përpiqej të shpëtonte vëllanë. Papritur sulmohem nga motra me mjetin e shpëtimit që i kisha dhënë. Ishte goditje e pavullnetshme, ajo ishte duke u mbytur, u trondita. Më tej motra na zhyti të dyve në përpjekje për të shpëtuar. Më pas u godita edhe nga vëllai”, ka deklaruar i riu për mediat.
Ai i kishte nxjerrë ata në breg por kishte mbetur thuajse pa shenja jete pasi askush nuk ishte ofruar për ta ndihmuar.
“Gjatë kthimit për në breg bie pa ndjenja në ujë, bie në dy gjunjë, dhe bie me fytyrë në ujë. Pasi i nxora me këmbë në tokë ata u larguan të dy nga vendi. Pasi rashë në ujë, s’më ndihmoi askush, ata ikën. Me sa duket kanë qenë duke u larë në një tjetër plazh, s’e di ku kanë qenë. Fëmijët janë larguar, ndoshta nga paniku, apo duke më parë mua në gjendje të rëndë, por fëmijëve s’u vë faj. Duke u zvarritur dola në breg, përfundova pa ndjenja”, shtoi ai.