Çështja e pasaportave të arta shqiptare, që qeveria e Kryeministrit Edi Rama planifikon për t’ua lëshuar investitorëve të huaj ka marrë vëmendjen e mediave holandeze.
Njëra prej tyre, në një shkrim me titull ‘Një vend i varfër që ofron pasaporta të arta’, shkruan se propozimi i Edi Ramës po shihet me shqetësim nga Bashkimi Evropian sepse kjo praktikë rrezikon t’i hapë rrugë skemës së pastrimit të parave. Sipas medias holandeze, “Sargasso”, me këtë propozim Edi Rama vë në rrezik anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ndërsa sjell si shembull praktikat e Maltës dhe Qipros ndaj investitorëve të huaj që deri më tani kanë qenë problematike, ku përfitojnë oligarkët rusë, kinezët e pasur dhe sheikët e naftës.
SHKRIMI I PLOTË
Shqipëria kërkon t’u sigurojë investitorëve të mëdhenj një pasaportë shqiptare. Plani është pjesë e legjislacionit të Partneritetit PublikPrivat (PPP), që lejon qeverinë t’ua shesë tokën kompanive të huaja të pasura. Me këtë, Kryeministri Edi Rama po rrezikon të krijojë shumë probleme me pranimin e vendit të tij në BE. Në Bruksel po rritet kundërshtimi ndaj të ashtuquajturave ‘pasaporta të arta’, të cilat, në veçanti, shtetet më të vogla anëtare si Qiproja dhe Malta kanë sjellë investitorë të huaj.
Kushdo që investon më një shumë të caktuar në prona të paluajtshme ose në një kompani do të marrë një pasaportë në këto vende që i jep akses në të gjithë BE-në, udhëtim falas, por mbi të gjitha sipërmarrje falas. Oligarkët rusë, kinezët e pasur dhe sheikët e naftës kanë përfituar tashmë nga kjo. Tregtia e pasaportave kryhet përmes Byrosë Zvicerane “Henley & Partners”. Byroja mori këshilla nga profesori i Groningenit Kochenov, i cili përfundimisht duhej të jepte dorëheqjen pas një raporti nga “Nieuwsuur” për përdorimin e ekspertizës së tij. Malta ka pezulluar programin e saj për rusët dhe bjellorusët pas pushtimit rus të Ukrainës.
Qiproja përpunon vetëm aplikimet në pritje. Parlamenti Evropian ka votuar në favor të ndalimit. Por lëshimi i pasaportave është ende një çështje e vetë shteteve anëtare.
PASAPORTAT E ARTA TË NJË VENDI I VARFËR
Kryeministri Rama duket se prej disa vitesh ka qenë në favor të ‘pasaportave të arta’, pasi mori pjesë në një konferencë të “Henley & Partners” në Londër.
Me sa duket, të ardhurat nga investimet e huaja, të çfarëdo natyre, tejkalojnë përshtatjen me kërkesat e BE-së. Interesi i investitorëve në këtë rast nuk është plotësisht i qartë. Çfarë duhet të bëjnë ata me një pasaportë shqiptare që nuk mund ta përdorin për momentin në BE dhe që Shqipëria mund të anëtarësohet me vonesë në Union? Çfarë ka për të ofruar Rama? Përjashtim nga taksat në kurriz të buxhetit të shtetit? A mos është një rrugë për pastrimin e parave? Kjo e fundit bie në kundërshtim me politikat e BE-së, si ato ndaj praktikave të Qipros dhe Maltës.
Në Shqipëri, pasaportat e arta janë parë me shqetësim, sepse në thelb kjo është çështje sigurie. Qeveria tashmë ka krijuar një agjenci të posaçme për të, Agjencinë për Programet e Veçanta të Shtetësisë. Kreu i Agjencisë tha se mund të merret edhe një agjenci ndërkombëtare që mund të promovojë pasaportën shqiptare. Lëshimi aktual i shtetësisë dhe kontrollet e nevojshme të sigurisë do të mbeten nën juridiksionin e shtetit. Është e dyshimtë nëse kjo do ta qetësojë Bashkimin Evropian.
SHITJA E ZONAVE TË MBROJTURA
Arkeologët dhe ambientalistët janë gjithashtu të shqetësuar për shitjen e zonave të mbrojtura tek investitorët e huaj. Blerina Gjoka e “Balkan Insight” tregoi dokumente se në shkurt të vitit të kaluar Komiteti i Shqipërisë për Investimet Strategjike – i drejtuar nga Kryeministri Rama – dha dritën jeshile për të ndërtuar 636 vila dhe objekte të tjera turistike në një pikat e virgjëra të bregdetit përballë ishullit të Korfuzit. Parku Kombëtar i Butrintit përmban ligatina të mbrojtura dhe burime arkeologjike që tregojnë banim që prej 5 mijë vjet para Krishtit.
Është një vend që ruhet nga UNESCO-s për “kombinimin e tij shumë të rrallë të arkeologjisë dhe natyrës” dhe si “mikrokozmos i historisë së Mesdheut”.
Vendimi për shitjen e kësaj toke nuk u bë kurrë publik. Komisioni i Posaçëm i Ramës funksionon mbi bazën e një ligji të posaçëm të miratuar nga Parlamenti në vitin 2015, fillimisht për një periudhë trevjeçare, por që nga ajo kohë ligji është shtyrë tashmë dy herë.
Ligji u jep status të veçantë projekteve të miratuara nga Komiteti, duke i lejuar shtetit të transferojë pronësinë publike tek investitorët privatë dhe të shpenzojë paratë publike në infrastrukturën e nevojshme për të realizuar projekte private. Pas 7 vjetësh, duket qartë se bizneset vendase kanë përfituar më shumë nga procedurat favorizuese, të lehtësuara dhe të përshpejtuara të parashikuara nga ligji.
TRAFIKIMI I QENIEVE NJERËZORE
Ndërkohë, varfëria dhe papunësia po rritet te popullsia shqiptare. Të rinjtë shqiptarë ende kërkojnë strehim kryesisht jashtë vendit, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar. Ata rrezikojnë duke kaluar me gomone në brigjet angleze, përmes trafikantëve që fitojnë para në kurriz të tyre.
Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Priti Patel, e inkurajuar nga ishlideri i UKIP-it, Nigel Farage, nënshkroi një marrëveshje me homologun e saj shqiptar, Bledi Çuçi, për të rikthyer sa më parë shqiptarët që kapen në brigjet e Britanisë së Madhe.