Ministria e Drejtësisë shpërndau një njoftim zyrtar të mërkurën, përmes së cilit pretendonte se Shqipëria kishte nisur negociatat me Bashkimin Europian për grupin e kapitujve themelorë, me fokus kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”.
I shoqëruar me një foto nga takimi i grupit negociator për çështjet e gjyqësorit me përfaqësues të Bashkimit Europian, njoftimi theksonte gjithashtu se negociimi i kapitujve themelorë koordinohej nga Ministria e Drejtësisë.
Por ndryshe nga ç’njoftoi Ministria e Drejtësisë, negociatat për grupin e kapitujve themelorë jo vetëm që nuk kanë nisur, por nuk dihet ende me saktësi se kur pritet të nisin.
Shqipëria ndodhet në fazën e parë të negociatave, fazën screening, e cila nisi me konferencën e parë ndërqeveritare Shqipëri-BE dhe parashikohet të zgjasë deri në 14 muaj para se të nisin negociatat për kapitujt.
Ndërsa takimi i lajmëruar nga Ministria e Drejtësisë është pjesë e takimeve shpjeguese për “Acquis”, që përgatisin vendin kandidat për përafrimin e legjislacionit me atë të BE. Kjo u konfirmua përmes një postimi në Twitter edhe nga zv.ministrja e Drejtësisë, Adea Pirdeni, e cila është njëherazi edhe negociatorja e Shqipërisë për kapitullin 23.
E pyetur nga BIRN mbi arsyet e mashtrimit të opinionit publik për ecurinë e procesit, Ministria e Drejtësisë nuk ktheu përgjigje deri në publikun e këtij shkrimi.
Ekspertë në fushën e integrimit europian thonë se nuk mund të ngatërrohen fazat apo terminologjia e përdorur për të përshkruar procesin e negociatave.
Gjergji Vurmo, drejtor programi pranë IDM-së, i tha BIRN-it se “aktualisht po bëhet screening, jo negociata”. “Negociatat reale fillojnë në konferencën e dytë ndërqeveritare, pasi të përfundoje screening i kapitujve,” tha ai duke iu referuar njoftimit të ministrisë.
Qeveria dhe kryeministri Edi Rama kanë luajtur politikisht me termat duke i paraqitur shpesh publikut arritje imagjinare në procesin e integrimit.
Shqipëria mori statusin kandidat në vitin 2014 dhe vetëm në korrik të këtij viti çeli zyrtarisht bisedimet për anëtarësim në konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, por qeveria kishte hapur disa herë shampanjën e çeljes së negociatave, duke përdorur raportet e Komisionit Europian që i sugjeronin Këshillit të BE-së këtë vendim.
Negociatat kalojnë nëpër tre etapa kryesore: Në shqyrtimin analitik të legjislacionit (Screening); në hapjen dhe zhvillimin e tyre për çdo kapitull të “acquis” dhe në mbylljen e negociatave për çdo kapitull dhe nënshkrimin e Traktatit të Aderimit./Reporter.al