Gledis Nano do të jetë Drejtori i ri i Policisë së Shtetit Shqiptar.
Emërimi i tij është firmosur këtë të mërkurë në mbledhjen e Qeverisë nga zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj.
Emërimi i tij është bërë me propozim të Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.
Një ditë më parë Ardi Veliu u dorëhoq nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, me argumentin se do i përkushtohej më shumë familjes dhe fëmijëve të tij që siç shkruante në letrën drejtuar Ramës, u kishte munguar shumë këto vite.
Gledis Nano mbante postin e Drejtorit të Anti-Terrorit në Policinë e Shtetit.
Disa kohe me pare ai u vlerësua nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim me Çmim Vlerësimi për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tij në mbështetje të përpjekjeve të përbashkëta të Ambasadës Amerikane me Policinë e Shtetit Shqiptar për të luftuar terrorizmin global.
“Më 17 gusht, Ambasadorja Yuri Kim dorëzoi një Çmim Vlerësimi për Gledis Nano, Drejtor i Anti-Terrorizmit në Policinë e Shtetit Shqiptar. Çmimi e vlerësoi Z. Nano për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tij në mbështetje të përpjekjeve të përbashkëta të Ambasadës Amerikane me Policinë e Shtetit Shqiptar për të luftuar terrorizmin global. Ambasadorja Kim nënvizoi gjithashtu edhe bashkërendimin dhe bashkëpunimin e tij me të gjitha çështjet e Ambasadës për zbatimin e ligjit dhe ato kundër terrorizmit,” thuhej në njoftimin e ambasadës amerikane.
KUSH ESHTE GLEDIS NANO
Ai është bërë i njohur për publikun gjatë operacioneve për riatdhesimin e shqiptarëve nga kampi AlHol, ndërsa gjatë muajve të verës, ambasadorja amerikane në Tiranë i dhuroi certifikatë vlerësimi në luftën ndaj terrorizmit.
Ai gjithashtu ka qenë në krye të disa operacioneve me rëndësi si dëbimi i diplomatëve iranianë nga Shqipëria dhe dosja e “Imamëve”.
Gledis Nano drejton që prej 17 shkurtit të vitit 2016, Drejtorinë e Antiterrorit, pas 17 viteve eksperiencë në Policinë e Shtetit.