Për disa minuta lagjja “Apolonia” në Fier është përfshirë nga paniku pasi forca të shumta policie kanë zbarkuar të armatosur duke kontrolluar zonën.
Gazetari Ervis Kuçi raportoi për “BalkanWeb” se në spitalin e Fierit ka mbërritur një telefonatë për një person të plagosur brenda një pallati në lagjen “Apolonia” dhe bluzat e bardha kanë njoftuar policinë e cila ka nisur operacionin.
Një apartament është kontrolluar dhe në ajër ka pasur edhe dron. Policia ka bllokuar lëvizjen e mjeteve dhe qytetarëve. Janë kontrolluar banesa, ndërsa kontrolle ka pasur dhe në spitalin e Fierit. Një person është shoqëruar nga policia dhe sipas burimeve bëhet fjalë për 39-vjeçarin Nuredin Dumani, i dyshuar dhe i kërkuar për disa krime.
Dumani dyshohet se ka lidhje dhe me atentatin e mbrëmjes së sotme në Elbasan. Aksioni ka zgjatur pak minuta dhe më pas në zonë është rikthyer normaliteti.