ADA HAZIZOLLI/ Çmimi i energjisë për familjet që harxhojnë më shumë se 800 kilovatorë në muaj do të 4-fishohet, konkretisht nga 9.5 lekë që është aktualisht në 42 lekë.
Qeveria ka prezantuar një ditë më parë planin e masave për kursimin e energjisë ku përcaktohet faturimi me çmim tregu për abonentët familjarë që harxhojnë mbi pragun e vendosur. Kjo do ti sjellë shtetit të ardhura në vlerën e 100 milionë eurove për një periudhë 15 mujore. Pjesë e planit për kursim janë edhe kufizimet e vendosura për institucionet si edhe rimbursimi në masën 70 për qind për familjet që instalojnë panele diellore.
ÇMIMI I DRITAVE
Por si do të reflektohet në faturën mujore rikthimi i fashës? Aktualisht abonentët familjarë e paguajnë një kilovatorë me 9.5 lekë. Por duke filluar nga data 1 tetor, deri në 800 Kwh do të aplikohet çmimi i reduktuar, mbi këtë prag çmimi deri në fund të këtij viti do të jetë 42 lekë, pra, rreth 4 herë më i lartë. Për ta konkretizuar, një familje që harxhon në një muaj 900 kilovatë, me skemën aktuale detyrimi mujor është (900 X 9.5 lekë/kwh) 8550 lekë. Kësaj shume i shtohet edhe TVSH (20 për qind) dhe fatura mujore në këtë rast është (8550 +1710) 10 260 lekë.
E njëjta familje pas aplikimit të fashës do të paguajë për të njëjtën sasi energjie të harxhuar, pra, 900 kilovatorë një faturë në vlerën e rreth 14 160 lekë, pra, rreth 4 mijë lekë më shumë ose 38 për qind. Kjo pasi deri në 800 Kwh çmimi do të jetë 9.5 lekë, ndërsa për diferencën që në këtë rast është 100 Kwh çmimi do të jetë 42 lekë. Me këtë logjikë, detyrimi mujor rritet në mënyrë progresive mbi bazën e energjisë së harxhuar. Sa më i lartë të jetë konsumi, aq më shumë do të rëndojë barra financiare për qytetarët.
Gjatë prezantimit të planit të masave nga ambientet e Kryeministrisë, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, tha se nga ndryshimi i skemës preken 4 për qind e familjeve, por me një konsum energjie rreth 19 për qind të totalit. “Mbi 96% e abonentëve familjarë konsumojnë nën 800 kilovatorë në muaj. Ndërkohë, kjo 4% e abonentëve familjarë përbën 19% të volumit të konsumit vendas. Çdo kilovatorë mbi 800 kilovatorë, pra, nga 801 kilovatorë e sipër, çmimi që do të aplikohet është 35 lekë për kilovatorë, plus 7 lekë tarifat e transmetimit dhe të shpërndarjes, një total prej 42 lekë.
Ndërkohë që duhet ta krahasojmë me çmimin që ne aplikojmë dhe çmimin që nuk e kemi ndryshuar, pra atë çmim që qeveria shqiptare e ka mbrojtur, që është nga 0 deri në 800 kilovatorë dhe mbetet i pandryshuar 9.5 lekë. Ndërkohë, duhet thënë që ky çmim do të dërgohet menjëherë në Entin Rregullator të Energjisë për t’u aprovuar dhe është një çmim të cilin ne do ta mbajmë në fuqi, pra, çmimi i shtuar prej 42 lekësh që i përket 801 kilovatorë e sipër do të jetë i vlefshëm deri në datën 31 dhjetor. Në datë 31 dhjetor ne do të rianalizojmë tregun, sigurisht çmimet e importit, sasinë që vjen nga prodhimi vendas për të vendosur një çmim të ri për fashën mbi 800 kilovatorë”, tha Balluku.
KUFIZIMET
Ministrja tha se nuk do të ketë ndërprerje të furnizimit me energji. Por ndërkohë kufizime do të jetë në institucione, të cilat do të jenë të detyruara të ulin konsumin me 15 për qind. ”Institucionet publike konsumojmë 5% të konsumit total në vendin tonë. Për këtë arsye një ulje me 15% e konsumit mujor është targeti që ne duam të arrijmë. 1% ulje e konsumit total vjetor në sistemin energjetik, ashtu siç përmenda edhe më lart, është ekuivalente e 28 milionë eurove. Për këtë arsye në të gjitha institucionet shtetërore, ne do të kërkojmë emërimin, pra brenda stafit, gjetjen e një personi, i cili ka sensitivitet dhe do ta marrë këtë detyrë për ta kryer ashtu siç duhet, që do të quhet administratori i energjisë, që duhet të kujdeset për të arritur tragetin që do ketë çdo ndërmarrje, çdo institucion për të ulur konsumin energjetik me 15% të faturave aktuale”, tha ministrja.
RIMBURSIMI
Pjesë e planit të masave për kursim është edhe rimbursmi në masën 70 për qind, fillimisht për 2 mijë familje që do të instalojnë panele diellore. “Kemi vendosur që përmes Agjencisë së Eficiencës së Energjisë që të nisim një projekt, i cili do të nisë me 2 mijë abonentë konsiston në mbështetjen financiare 70% të kostos për vendosjen e paneleve diellore në tarracat e pallateve dhe si rrjedhojë ngrohjen e ujit, që konsiston në një ulje të konsumit energjetik me 20 deri në 30%”, vuri në dukje më tej ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
“Task Forcë, me synim uljen e humbjeve në rrjet”
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, paralajmëroi edhe ngritjen e një task-force të posaçme me synimin sipas saj të minimizuar humbjet në rrjet. “Për të arritur gjithçka që ne do të ndërmarrim në të ardhmen, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ashtu siç e kemi deklaruar, do të ringrejë Task-Forcën, e cila do të ketë si synim uljen e humbjeve në rrjet, kontrollin e të gjitha faturave dhe matjeve të tyre, monitorimi në terren i punonjësve të OSHEE-së dhe pa dyshim të gjitha masat e eficencës së energjisë nëse do të zbatohen.
Të vendosur në këto kushte kur importi ka arritur çmime stratosferike, kur situata hidrike nuk është e mirë në këto momente, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën, çelësi për të pasur sukses në përballimin e kësaj sfide të re, e kësaj krize me të cilën po përballet e gjithë bota është padyshim kursimi. E kemi thënë disa herë, e kemi përsëritur, kemi nisur një fushatë prej disa javësh, por sigurisht është me të vërtetë e vështirë ndoshta për t’u perceptuar kur fatura vazhdon dhe vjen me të njëjtin çmim” tha Balluku.
Nga pensionet te pagat, shtesa për çdo kategori
Duke nisur nga ky muaj, pensionistët do të marrin edhe një shtesë, e cila varion nga 5 00 deri në 1800 lekë mbi masën e përfitimit.Rritja e re do të aplikohet për të gjithë kategoritë e pensionistëve, përfshirë edhe ata që trajtohen me pension social.
PAKETA
Qeveria ka prezantuar një ditë më parë paketën e dytë anti-krizë. Ndryshe nga çfarë pritej, të moshuarit dhe familjet që trajtohen me asistencë nuk do të marrin kompensim siç ndodhi në fazën e parë të mbështetjes, por një shtesë që në rastin e të moshuarve do të jetë me 6 për qind, ndërsa për familjet në nevojë 10 për qind. Në skemë janë përfshirë edhe punonjësit e administratës dhe punonjësit e Policisë, për këto kategori rritja e aplikuar do të jetë me 7 për qind.
“Nga pensioni i muajit shtator, i cili do të fillojë të paguhet në tetor, ne do të indeksojmë 6 për qind të gjitha kategoritë e pensioneve, dhe duke i shtuar 3.3 për qind që u indeksuan në muajin prill, ne kemi bërë një rritje prej 9.5 për qind në krahasim me pensionin që pensionistët merrnin gjatë vitit të kaluar, pra më të lartë se sa në fakt është rritja e shportës së pensionistëve që për periudhën janar-korrik ka pësuar një rritje prej 5.9 për qind. Janë 674 mijë përfitues të cilët do të përfitojmë nga indeksimi i pensioneve.
Nga ana tjetër, si kosto në buxhet, kjo parashikohet të jetë 2 miliardë lekë për këtë vit dhe duke qenë se kjo është një paketë e qëndrueshme, ajo do të ketë një kosto në buxhet prej 8.4 miliardë lekësh në vitin e ardhshëm. Ne do të rrisim pagat në sektorin publik me 7 për qind, që është parashikimi i rritjes së inflacionit që ne kemi për vitin 2022. Janë 41 mijë punonjës të administratës publike, të cilët do të mbështeten me këtë masë. Janë 3600 punonjës të policisë së burgjeve dhe 10.800 policë të cilët do të përfitojnë.
Janë më shumë se 20 mijë punonjës të administratës publike dhe punonjës mbështetës të cilët do të përfitojnë nga rritja e pagave me 7 për qind”, tha Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj në konferencën e mbajtur dje në ambientet e Kryeministrisë ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku. Për gratë kryefamiljare me dy fëmijë dhe pensionistët e vetmuar ndihma ekonomike do të dyfishohet. Sakaq, me 7.5 për qind do të rritet paga edhe për personat me aftësi të kufizuara.
PAGA MINIMIMALE
Për herë të dytë brenda këtij viti, do të njoh rritje me 2 mijë lekë edhe paga minimale. “Ne do të rrisim pagën minimale për herë të dytë gjatë këtij viti me 7 për qind, duke pasur një rritje neto për të gjithë ata qytetarë që paguhen me pagë minimale, rreth 200 mijë qytetarë, me 3500 lekë në krahasim me një vit më parë”, tha Ibrahimaj. Ndërkohë, mbështetja për biznesin do të jetë e kufizuar, vetëm në sektorët më të ekspozuar ndaj krizës. “Përmes kësaj paketë do të vazhdojmë të targetojmë ato sektorë të biznesit të cilët janë më të prekur nga kriza.
Ne do të vazhdojmë të mbështesim fermerët duke shtuar masën për naftën pa taksa, duke e çuar numrin e fermerëve përfitues në rreth 34 mijë nga 19 mijë që ka qenë një vit më parë. Kemi menduar për një subvencion shtesë për mbjelljen e grurit në vlerën 500 milionë lekë, pikërisht për ta garantuar mbjelljen e grurit dhe ofertën e grurit në vend për vitin e ardhshëm, në kushtet kur kriza do të vijojë, pasi lufta në Ukrainë po vijon. Gjithashtu, kemi mbështetur sektorin e peshkimit me koston shtesë për karburante. Do të vijojmë të mbështesim transportin dhe sigurisht do të vijojmë të mbështesim qytetarët dhe bizneset e vogla për energjinë elektrike”, tha ministrja e Financave Delina Ibrahimaj.
Mbështetja për PAK
Janë më shumë se 70 mijë persona me aftësi të kufizuar që duke nisur nga ky muaj do të marrin një shtesë prej 7.5 për qind. Në të njëjtën kohë janë mbi 18 mijë ndihmës apo kujdestarë të tyre, që po ashtu përfitojnë nga indeksimi. Paketa e dytë e rezistencë sociale parashikon po ashtu rritje të pagesës së ndihmës ekonomike me 10 për qind dhe dyfishim të saj për kategori të caktuara, si nënat me shumë fëmijë, jetimët, vajzat dhe gratë viktima të dhunës dhe trafikimit.
“Paketa e dytë e Rezistencës Sociale mundëson rritja e pagesës së ndihmës ekonomike me 10 për qind për të gjithë familjet përfituese të skemës; dyfishimin e ndihmës ekonomike për 15 mijë gra kryefamiljare dhe fëmijë; dyfishimin e ndihmës ekonomike për më shumë se 5900 të moshuar të vetmuar pa pension pleqërie dhe pa pension social. Mbështetje ofrohet po ashtu për 90 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre me indeksimin 7.5% të pagesës mujore të aftësisë së kufizuar si dhe rrit mbështetjen për energjinë për mbi 11 mijë persona të verbër, paraplegjikë dhe tetraplegjikë”, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.
PAKETA E PARË
Paketa e parë të rezistencës sociale të prezantuar nga qeveria në muajin mars kishte një efekt financiar rreth 50 miliardë lekë ose rreth gjysmë miliardi dollarë. Por, pjesa dërrmuese e kësaj fature shkoi për sektorin energjetik, për të mos ndryshuar çmimin e energjisë. Mbështetja që qeveria ofroi është konsideruar më e ulëta në krahasim me vendet e rajonit.
“Më shumë se 500 mijë individë u ndihmuan me anë të Paketës së parë, pikërisht me aq sa ishte rritja e çmimeve të ushqimeve në atë moment. Rreth 9 mijë lekë për familje u dhanë pikërisht për këtë arsye. Nga ana tjetër ne ndikuam në mos rritjen e kostove të prodhimit, duke subvencionuar energjinë elektrike për bizneset e vogla shqiptare, duke subvencionuar rritjen e çmimit të naftës për ato sektorë të cilët janë më të prekur nga rritja e çmimit, pra fermerët, transportin, e tashmë edhe peshkatarët”, tha Ibrahimaj. /Panorama.al