P O R T R E T … A jeni vizituar ndonjëherë tek doktor Justi?

P O R T R E T … A jeni vizituar ndonjëherë tek doktor Justi?

Nga: Rifat Hoxha 

1.

Gjithnjë më ka bërë përshtypje qetësia karakteristike e mjekut obstetër-gjinekolog Justin Mitrushi. Flet me zë të ulët. Gjithmonë buzagaz.  Të shumtë janë ata, që e njohin. 

Të gjithë e thërrasin “doktor Justi”. Mbase kjo i bën të ndjehen më të afërt me të. Mbase, nga që atij nuk i mungon asnjëherë buzëqeshja. Mbase, thjeshtësia e tij i nxit të flasin me të pa ndrojtje. 

Ai që  e ka takuar një herë, ndjen dëshirën ta takojë përsëri, të flasë dhe të bashkëbisedojë, t`i shprehë mirënjohjen. Madje, dikush edhe i kujton, se doktor Justi e ka pritur në lindje, e ka mjekuar dhe është kujdesur, e ka ndjekur  ecurinë e shëndetit të tij dhe të nënës. 

Kur unë i kujtoj sakrificat, që ka bërë dhe bën, duke shkuar në çdo kohë atje ku është nevoja për të, atje ku një grua lehonë kërkon asistencën e tij, ai buzagaz ma kthen: 

…Nëse nuk nisem  menjëherë atje ku më kërkojnë, atëhere  duhet të heq bluzën e bardhë e t’u hap krahun kolegëve të tjerë të papërtuar e të palodhur.

2. 

Doktor Justin Mitrushi është lindur në qytetin e Kavajës më 28 janar 1954.

Arsimin parauniversitar në vendlindje. Në shtator të vitit 1972 nisi studimet në Fakultetin e Mjeksisë në Universitetin e Tiranës, të cilin e përfundoi në vitin 1977 në degën e mjekësisë së përgjithshme. 

Që në fillim e deshi profesionin e ri, i deshi librat, ndaj vuri të gjithë energjinë e tij për të përvetësuar sa më shumë njohuri  në leksione, praktikë mjekësore dhe literaturë. Pedagogët ndikuan në edukimin e tij me dashurinë për njeriun, me humanzimin dhe shpirtin e madh të sakrificës. Studimet dhe përkushtimi i tij u kurorëzuan me sukses në marrjen e diplomës në vitin 1977 në mjekësinë e përgjithshme. 

Ai përmend me nderim të thellë pedagogët e tij të paharruar. I kujton dhe i vlerëson ata si njerëz me karakter të fortë, me cilësi të larta humane, modele dhe shembuj frymëzues për një brez të tërë mjekësh, duke edukuar dhe rrënjosur thellë tek studentët ndjenjën e dashurisë për  profesionin e mjekut, përkushtimin  dhe devotshmërinë për t`i shërbyer popullit.

Wood Flavour

3.

E emëruan në rrethin verior të Kukësit, mjek i përgjithshëm dhe përgjegjës në qendrat shëndetësore në Kolsh dhe Kalimash. 

E përfytyroj atë duke ecur në rrugët e ngrira të dimrit të acartë të Kukësit për të vizituar të sëmurët, Vështronte malet e zbardhur tej e tej ai djalë i ri nga Kavaja, lindur e rritur  në një vend të butë bregdetar, me atë shqetësimin sikur bora me peshën e madhe të rrëshqasë e të hidhet me gjithë zhurmën e potershme tatëpjetë malit duke marrë me vete gjithçka. Punoi pa u lodhur e me përkushtim, duke arritur të ulë dukshëm vdekshmërinë foshnjore.

Doktor Justi punoi dhjetë vjet në rrethin e Kukësit. Atje u njoh edhe me shoqen e tij të jetës, Drita Musliun, aktualisht mjeke laboratori biokimik klinik. 

Në vitin 1987 transferohet në qytetin e lindjes dhe për tre vite specializohet  pranë Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” si mjek obstetër-gjinekolog.

I etur për sa më shumë dije, në vitin 1992 specializohet në Tiranë për ekografi nën udhëheqjen e doktor Halim Kosovës. Punoi me ngulm për të marrë sa më shumë njohuri për të qenë i suksesshëm në ekzaminimet mjekësore për të zbuluar rastet e anomalive në barkun e nënës, të bënte diagnostikimin e tyre, t’i mjekonte me sukses në dobi të jetës së fëmijës.

Një vit më pas, më 1993 kualifikohet më tej në Soest të Gjermanisë për ndërhyrjet kirurgjikale në Obstetrikë-Gjinekologji. 

Përgatitja dhe përvoja e tij, dëshira e përhershme për të qenë i informuar për të rejat më të fundit mjekësore në Obstetrikë-Gjinekologji e kanë bërë atë pjesmarrës në shumë konferenca në Tiranë, Prishtinë, Selanik, Stamboll etj.

Dhjetra e dhjetra trajnime, çertifikata e diploma, kualifikime të herëpashershme, pjesëmarrës në kongrese mjekësore përbëjnë CV e plotë të mjekut Justin Mitrushi.

4.

Ndjej një lloj emocioni të veçantë kur dëgjoj gra: 

…A jeni vizituar ndonjëherë tek doktor Justi?

Është një lumturi kjo për gjithkënd që e dëgjon, por veçanërisht për një mjek obstetër- gjinekolog si doktor Justi.  Kur dikush i bën ndonjë vlerësim a lëvdatë të sinqertë, ai  me thjeshtësinë dhe buzagazin e tij karakteristik thotë:   

…Këtë detyrë kam dhe do ta kryej sa kohë që kam jetë. E ndjej ankthin e nënës dhe të të afërmve të saj për lindjen që do të vijë pak çaste më vonë, ndjej merakun dhe shqetësimin e bashkë me to dhe rrahjet e zemrës së vogëlushit dhe të nënës, por edhe të miat. 

Motoja e doktor Justit ka qenë dhe mbetet: 

…Deri sa të kem forca, do të vazhdoj të qëndroj e të punoj si mbrojtës i shëndetit të nënës dhe fëmijës, do të jap gjithçka për të shtuar dhe shpëtuar jetë. 

Gjatë gjithë jetës kështu ka vepruar, ndaj dhe është ndjerë i shpërblyer me një fjalë të mirë, me një falenderim nga zemra. Sakrifica, pagjumësia, lodhja dhe stresi duken sikur dikush ia ka larguar si me dorë dhe ai magjishëm është ndjerë i freskët, i gatshëm për të pritur një lindje tjeter, një jetë që vjen…

Gjatё gjithw karierws sw tij mjekwsore dhe 23 viteve si mjek obstetёr gjinekolog doktor Justin Mitrushit nuk i ka ndodhur as edhe njё vdekje nёne apo fёmije.  

5.

Familja e doktor Justit i përket e tëra shëndetësisë. Bashkëshortja Drita, mjeke me përvojë në specialitetin e laboratorit jep një kontribut të madh në përcaktimin e shumë diagnozave në spital.

E bija, Greta, ka kryer Universitetin Mjekësor të Tiranës. I biri, Mikeli, gjithashtu mjek ka studjuar Fizioterapi në Fakultetin e Shkencave Mjekësore e Teknike. 

Doktor Justi është portreti i mjekut të përkushtuar, i aftë dhe human, që profesionin e tij e don dhe e vlerëson maksimalisht.

…Specialiteti im,- thotë doktor Justi,- është vërtet i madhërishëm.Nuk ka kënaqësi më të madhe kur sjell një jetë të re në botë.  Të jesh njeriu i parw, që mban në duart tuaja një njeri tjetër është, një ndjenjë e mahnitshme.

Sa herë  e shoh doktor Justin, gëzohem. Ai, gjithmonë i qetë, buzagaz, me zë të ulët, rrezaton shpresë  e besim tek pacientët, që e respektojnë dukshëm, ndaj ndjej kënaqësi, kur dëgjoj:

…A jeni vizituar ndonjëherë tek doktor Justi?

 Nga libri “Buzeqeshja e bluzave te bardha“.