Egnatia do të marrë pjesë për herë të parë në Champions League. Rrogozhinasit do të debutojnë në një nga kompeticionet më të mëdha për klube dhe kampionët e Shqipërisë do të kërkojnë të shkojnë sa më larg të jetë e mundur.
“Oreksi vjen duke ngrënë” thotë populli dhe kjo shprehje i shkon fiks për shtat Agim Demrozit. Kreu i klubit rrogozhinas ka folur për “Elitë” në ‘Supersport”, ku ka theksuar se nëse do t’i jepej sërish mundësia do të rivotonte për “Final – Four”.
Ndër të tjera Demrozi ka theksuar se tashmë ekipi i tij synon grupet e Conference League. Gjithashtu bëri një premtim për tifozët, teksa deklaroi se shumë shpejt do të nisin punimet për ndërtimin e një kompleksi sportiv dhe të tribunës karshi stadiumit.
“Ishte një sezon i vështirë, e dinim që në fillim që do të kishim ‘Final 4’. Unë kam votuar për këtë formulë dhe në fund ja dolëm pastaj.
Duamena? Humbja e tij ishte një fatkeqësi e madhe për ne dhe futbollin shqiptar, nuk e di nëse do të vijë një lojtar si Duamena në Shqipëri. E ndjemë humbjen e tij dhe vetëm me kalimin e kohës u mësuam disi.
Nuk jam nga ata që të dalë nëpër media dhe të flas për punën time. Reklama më e mirë është kur më vlerësojnë njerëzit. Kemi punuar kokëulur dhe kemi arritur deri këtu. Plani është të shesim lojtarë dhe të afrojmë të tjerë më cilësorë, kemi objektivë grupet e Conference League. Do të na duhet pak fat në short, por shpresoj ta arrijmë.
Për stadiumin do të fillojnë punimet për tribunën karshi, edhe për kompleksin sportiv po studiojmë zonën që ta kemi në një vend të përshtatshëm.
Do të rivotoja për këtë formulë, sepse dy ndeshjet e fundit kishin shumë emocione dhe kampionati nuk ta jep këtë. Kishim shumë tifozë të pranishëm. Ishte një realitet i ri.
Të ardhurat nga ky sezon? 1.5 milionë euro janë të mjaftueshme. Kemi shitur gjashtë lojtarë, presim të shesim edhe dy të tjerë dhe shpresojmë që të mos të fusim dorën në xhep. Nuk i tregoj lojtarët që janë për t’u shitur”, ka përfunduar kreu i klubit.