Në zgjedhjet që do të mbahen për kryetar bashkie në Kukës, opozita do të shkojë sërish e përçarë, nga ku PD do të ketë kandidat të saj e Sali Berisha kandidatin e vet. Sot në një konferencë për mediat, Berisha përjashtoi çdo mundësi mundësi bashkëpunimi me Lulzim Bashën
Edhe gara e pjesshme elektorale për Kukësin, një bashki në të cilën edhe e majta është në sfidën e rikthimit të besimit të qytetarëve përmes kandidatit Albert Halilaj pas video-skandalit Gjici, pritet ta gjejë sërish opozitën të ndarë në dy pjesë.
Vetë PD-ja zyrtare në Kukës kërkon një kandidat të përbashkët, si të vetmen mënyrë që vota e demokratëve të mos ndahet dhe të favorizojë socialistët, por kreu i kampit të Rithemelimit, Sali Berisha, shuan çdo mundësi bashkëpunimi me Lulzim Bashën, kreun e zgjedhur të PD-së në fundkorrik.
“Me Lulzim Bravën ka aleancë aq sa mund të ketë me Taulant Ballën. Kjo është përgjigja ime. Demokratët duhet të bashkohen, por Brava dhe Alibasha janë absolutisht pengje mjerane të keqpëdorura të Edi Ramës”, tha Berisha.
Për deputetin Kreshnik Çollaku demokratët e Kukësit nuk e meritojnë të kenë sërish një bashki të drejtuar nga e majta si pasojë e problemeve brenda të djathtës.
Lulzim Basha ende nuk ka shprehur zyrtarisht se cili do të jetë kandidati i PD-së për garën elektorale të 24 shtatorit, me burime mëson se favorit është kreu i PD-së në Kukës, Arif Rexhmati, e njëjta degë që kërkon një kandidat unik.
“Pra demokratet e Kukësit duhet të sakfrifikohen në opozitë, duhet të vazhdojnë të durojnë shokët e Safetit në Bashki të Kukësit, sepse Rithemelimi më “parë bashkëpunon me Taluant Ballën sesa me pjesën tjetër të PD.” E papërgjegjshme”, shkruan Çollaku.
Berisha nga ana tjetër, të ndarë duket se ka vetëm mungesën e bashkëpunimit për një alternativë të përbashkët, pasi ende në këto momente që doli para gazetarëve në konferencë, nuk e ka një emër kandidati, dhe as mënyrën se si do të zgjidhet.
Anëtarët e degës së Rithemelimit në Kukës duket se nuk janë dakord me qëndrimin e Berishës për të garuar me një kandidat ndryshe nga PD zyrtare.
Dega e Partisë Demokratike, Kukës ka propozuar që opozita të dalë me kandidat të përbashkët fitues, duke lëne prapa konfliktet dhe përçarjen, për një qëllim të përbashkët: të mundin Rilindjen dhe Ramën ne zgjedhjet lokale të 24 shtatorit. Por kreu i Rithemelimit, Sali Berisha, edhe pse tha se ende nuk kanë një emër, u deklarua kategorikisht kundër një kandidati për gjithë opozitën, madje shtoi se më kollaj bën aleancë me Taulant Ballën, se me Bashën.
Mes kandidatëve të propozuar në anëtarët e Rithemelimit janë propozuar: Arif Rexhmati, Admir Sinanmati, Gëzim Shehu, Irel Elezi, Uran Cengu. Më herët në faqen zyrtare të PD-së u dha një mesazh për bashkimin e demokratëve.