Partia Demokratike e ndarë në dy axhenda!
Nga: Arnold Kariqi
Axhenda e parë është ajo e tryezave me grupet e interesit, takimet me qytetarët, konstituimin e degëve dhe kontakti me bazën në përgatitje të strukturës për betejën elektorale të zgjedhjeve lokale pas më pak se një viti.
Hartimi i një programi dhe modeli ndryshe nga ajo ç’ka kjo parti ofroi për vite me radhë dhe nuk arriti kurrë të bindte Shqiptarët për të qenë fituese. Një model ndryshe nga ai i politikanit pa karakter, pa burrni, pa formë dhe pa identitet!
Axhenda e dytë, është e tellallëve, ata që dalin nëpër media duke sharë e sulmuar gjoja në të “mirë të partisë” a thua se u digjet xhani për PD-në që e lanë 12 vite në opozitë! Pika që s’ju bie!
Këta janë ata të “betejave të nisura” dhe bashkive të lëna në tavolinë (mijëra demokratë u hodhën në rrugë e mbetën të papunë…ndërsa ju me makina luksoze, naftë të paguar dhe shoferë e truproja me vete), “betejave të nisura” dhe demokratëve të lënë nëpër burgje edhe sot e kësaj dite akoma në procese gjyqësore, “betejave të nisura” por shndërrimi i Ramës në sulltan, i vetëm në qeveri dhe absolut në 60 Bashki.( mos harroni se atë të Shkodrës e shpëtuan ata të axhendës së parë, se këta të dytët fërkonin duart me kandidatët derdimen që i futën si shkopin ndër rrota në 6 Mars).
Ju fatkeqësisht mendoni se opozita është të dalësh e të sulmosh bashkëpunëtorët e tu nëpër media…keni provuar të dilni njëherë në bazë? Prej një viti nuk takoni askënd pasi nuk ju pret më askush!
Atë që ju i bëtë demokratëve, edhe hasmit do ti dhimbsej, do ti vinte keq e do ndalej në një moment! Por ju nuk njihkeni kufij!
Populli jonë është i varfër, i shtypur nga forca e regjimit autoritar në vend, i pashpresë për tu ngritur e për ta kundërshtuar këtë qeveri pasi deri dje alternativa që kishin përballë ishte ajo e “betejave” qesharake me mullinjtë e erës gjatë ditës dhe “puthjeve” të fshehta gjatë natës…ishte pikërisht fotokopja e shëmtuar e asaj që kishin…por ama, boll i morët për budallenj Shqiptarët!
Ju që vendin e latë 9 vite pa opozitë, sot, nëse ju dhimbset sadopak Shqipëria, minimalisht duhet të heshtni, të ulni kokën dhe të kërkoni ndjesë, pasi jeni shkaktarët kryesorë pas qeverisë për ikjen masive të mijëra Shqiptarëve, u vratë shpresën për një të ardhme në dheun që i rriti pranë familjeve të tyre, sot, duke hequr lloj lloj peripecish të shpërndarë nëpër botë sepse ju kurrë nuk i bindët ata se ishit më të mirë se ky që kishin…sepse ju mor zotërinj ishit në pushtet, nuk ju mungonte asgjë dhe nuk është se e njihnit apo ndjenit kuptimin e të qenit në opozitë!
Heshtni nëse ju ka mbetur sadopak dinjitet, dhembshuri dhe respekt për Shqiptarët…jo gjithçka është politikë!