Nuk iu mjafojnë rrogat/ Deputetëve u paguhet edhe nafta, telefoni, qeraja dhe dieta


Kelment Baçi/ Në muajin shkurt, në bazë të listëpagesave të bëra publike nga Kuvendi, rezulton që vetëm për karburant deputetët të kenë përfituar një shumë prej 4 443 348 lekë ose 40 mijë euro.

Deputetët e Kuvendit përpos rrogës, kanë edhe përfitime të tjera shtesë për punën që bëjnë si të zgjedhur dhe përfaqësues të qytetarëve, edhe në një periudhë krize.

Shifrën prej 40 mijë eurosh vetëm për karburantin e kanë përfituar të gjithë ligjvënësit, 124 të zgjedhur. Ajo që bie në sy është se asnjë deputet nuk e ka refuzuar këtë pagesë.

Duke i hedhur një sy listës së deputetëve rezulton se ata që kanë përfituar më shumë ose pagesën maksimale prej 40 mijë lekësh janë ata që përfaqësojnë edhe qarqet më të largëta. Në krye të listës qëndrojnë deputetët e Shkodrës, Vlorës dhe Korçës, të cilët kanë një kosto më të lartë për buxhetin e shtetit.

Një nga zërat për të cilat është paguar më shumë në muajin shkurt është edhe dieta e deputetëve. Gjatë këtij muaji, janë shpenzuar 50 mijë euro ose 6 272 177 lekë vetëm për dietat për 117 ligjvënësit, pasi 10 prej tyre e kanë refuzuar këtë lloj pagese.

Pjesa më e madhe e deputetëve, 97 kanë përfituar të njëjtën shifër, 75 250 lekë. Pjesë e kësaj liste janë edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, apo kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, që kanë përfituar shifrën 75 250 lekë.

13 deputetë kanë përfituar shifrën e njëjtë prej 37 625 lekë dhe 3 deputetë kanë përfituar 39 506 lekë. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka përfituar në muajin shkurt 54 895 lekë dieta, ndërsa dy nënkryetarët, respektivisht Ermonela Felaj 45 026 lekë dhe Agron Gjekmarkaj 75 250 lekë dieta.

Një nga përfitimet e përmuajshme të deputetëve është edhe pagesa e komunikimeve në telefon.

Në bazë të listëpagesave të Kuvendit, rezulton se për muajin shkurt 124 deputetët kanë përfituar 2 135 000 lekë ose rreth 20 mijë euro shpenzime për telefonin e tyre.

Pagesat për këtë përfitim janë të ndarë në dy shifra, 20 mijë lekë në muaj dhe 17 mijë lekë në muaj. 20 mijë lekë në muajin shkurt për telefonin përfituan Taulant Balla, Arben Pëllumbi, Eduard Shalsi, Jorida Tabaku, Grida Duma, Nasip Naço, Flutura Açka, Mimi Kodheli, Klotilda Bushka. Pagesa për qira për deputetët, të cilët përfaqësojnë zona të largëta janë paguar në muajin shkurt plot 585 666 lekë.

Ketë shifër e kanë përfituar 17 deputetë, pjesa më e madhe e tyre kanë marrë shifrën 35 mijë lekë në muaj.

Po ashtu, gjatë muajit shkurt janë bërë edhe pagesa për hotel, për 6 deputetë në shumë prej 129 000 lekë. Në total, 127 ligjvënës shqiptarë përpos pagës mujore i kanë kushtuar buxhetit të shtetit plot 14 774 306 lekë ose rreth 120 mijë euro.

Lista, kush janë 10 deputetët që refuzuan dietat

Pavarësisht se kanë të drejtë ta marrin si përfitim, 10 deputetë kanë refuzuar të marrin në muajin shkurt shpërblimin e dietës. Në total, 6 272 177 lekë ose rreth 50 mijë euro janë shpenzuar nga buxheti i shtetit vetëm për dieta për ligjvënësit. Por, ajo që bie më shumë në sy është fakti që janë disa deputetë e kanë refuzuar këtë përfitim ndryshe nga shumica.

Në listën e parlamentarëve që e kanë refuzuar këtë përfitim janë 6 deputetë socialistë dhe 4 demokratë.

Shumica socialiste përfaqësohet në këtë listë me kreun i grupit parlamentar Taulant Balla, kryetaren e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka, dy ish-ministrat e Drejtësisë Fatmir Xhafaj dhe Etilda Gjonaj, ish-ministrin dhe sekretarin e Përgjithshëm të partisë Damian Gjiknuri dhe biznesmenin Vullnet Sinaj.

4 demokratët që kanë refuzuar përftimin e dietës janë deputeti i qarkut të Vlorës Bujar Leskaj, ish-kreu i grupit të PD-së dhe deputeti i Tiranës Alfred Rushaj, ish-kryetarja e Forumit të Gruas, Albana Voksh,i dhe deputeti i qarkut të Durrësit Oerd Bylykbashi.

Përftimin e dietës e kanë marrë plot 117 deputetë. Mes tyre, një listë e gjatë prej 97 ligjvënësish kanë marrë një shifër të konsiderueshme prej 75 250 lekësh ose rreth 600 euro që është edhe shuma më e madhe e përfituar për muajin shkurt.

Të njëjtën shifër kanë përfituar gjatë këtij muaji edhe ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në atë kohë kryetar i demokratëve, ish-Kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, të cilët kanë përfituar 75 250 lekë dieta në muajin shkurt.

Marrë nga Gazeta Panorama