“Mënyra e vetme për të matur sasinë e nitrateve në ushqime është në laboratorë të specializuar“. Kështu u shpreh eksperti i zhvillimit rural, Fatos Fico duke hedhur poshtë matjet përmes aparateve që janë publikuar së fundmi në internet.
Sipas tij nuk është e mundur që një aparat i tillë të bëjë matje tek ushqimi. Eksperti thekson se aparate të tilla (lodra kineze) nuk janë të certifikuara në vendet e zhvilluara europiane apo amerikane dhe për këtë arsye nuk mund t’u besohet.
“Matja e nitrateve do të ishte e dobishme që të bëhej kaq thjesht me këtë aparat, por nuk është kështu. E vetmja mënyrë është që të bëhet matja e nitratit është përmes laboratorëve të specializuar. Nuk është e mundur që një aparat i tillë të bëjë matje tek ushqimi. Aparati i duhur mund të jetë spektometri ose një aparat elektromekanik që mat rezistencën elektrike kur mostra është e përgatitur dhe e kalibruar, jo thjesht në sekondë. Këto aparate nuk janë të certifikuar nga asnjë institucion shtetëror, as në Amerikë nga Agjencia e Barnave, as në Europë”, tha eksperti Fatos Fico.