Nisja e negociatave, Grida Duma: Shqiptarët u gënjyen me vitet e pritjes, sot e gjejnë vendin me shpresë të fikur dhe pa asnjë ‘motor’ pune e motivimi të ndezur

Deputetja e PD-së Grida Duma deklaron se negociatat që u hapën sot e gjejnë Shqipërinë me shpresë të fikur dhe pa asnjë motor pune dhe motivimi të ndezur.

Në një postim në “Facebook”, Grida Duma shkruan se shqiptarët u gënjyen me vitet e pritjes nga një qeveri që nuk ngurronte të driblonte duke provokuar me një plan B për Shqipërinë, pra jo vetëm atë europian.

POSTIMI I PLOTË
Hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, pas kaq vitesh shpresash të zhgënjyera, më në fund është, një lajm i vërtetë.
Më në fund, dhe pas kaq shumë vitesh vonese, një lajm i madh dhe kaq shumë i vonuar.
Shqiptarët me të drejtë nuk e gjejnë sot në këtë realitet shpresën që do të duhet të kishin.
Shqiptarët shpresuan t’u hapeshin negociatat 8 vjet më parë, 7 vjet më parë, 6 vjet më parë, 5 vjet më parë e me radhë.
Shqiptarët u gënjyen me vitet e pritjes nga një qeveri që nuk ngurronte të driblonte duke provokuar me një plan B për Shqipërinë, pra jo vetëm atë europian.
Negociatat sot u hapën, e ndonëse është ky një hap i rëndësishëm, ato e gjejnë Shqipërinë me shpresë të fikur dhe pa asnjë ‘motor’ pune e motivimi të ndezur.

Qeverisja Rama humbi 1/3 e kohës së historisë se tranzicionit shqiptar duke fajësuar Europën, për çfarë bënte keq vetë!
Ka punë për të bërë, por si do mundet ta kryeje proçesin serioz të plotësimit të detyrave ndaj BE një qeveri që e ka dhene me konçension vetë qeverisjen?
Pas fasadës me sihariqe, Shqipëria sot humb kohë të vyer, ndërsa është më e vonuara në Ballkan në trenin e zhvillimit.
Hapja e negociatave këtë herë nuk është lajm i rremë, siç ka qenë me vite me radhë.
Është një sfidë reale për punë, jo për ta zhvatur Shqipërinë me tejzgjatje dhjetëra vjeçare aq sa t’i lodhin e t’i ulin besimin edhe tek Europa.