Partia Socialiste ka mbledhur ditën e sotme Asamblenë Kombëtare. Mbledhja nisi në orën 10:00 dhe po zhvillohet te Pallati i Kongreseve.
Mbledhja është hapur me fjalën e kryeministrit Edi Rama, i cili kujtoi mënyrën si erdhi në pushtet Partia Socialiste dhe si u rikonfirmua tashmë për herë të tretë. Mes të tjerash, Rama u shpreh se do bëjë gjithçka që të rikonfirmohet edhe herën e katërt në pushtet, ndërsa tha se sfidat për fitore sa vijnë e bëhen më të vështira.
“Ishim një parti që vuante humbjen demoralizuese, pasojë e çarjes së egër, fryrjes nga dhjami i pushtetit, shurdhimi ndaj zërit të njerëzve të zakonshëm dhe sfilitjes nga lufta e brendshme. Një forcë politike pa disiplinë dhe orientim, e çoroditur dhe besimhumbur. U ngritëm me vështirësi, duke u përpjekur shumë.
Ripërtërihemi, bashkohemi, për t’u rikthyer në krye të vendit si alternativë e re qeverisëse. Nuk ja dolëm dot që në provën e parë të 4 viteve më vonë, humbëm me një diferencë kilometrike. Historia e atyre zgjedhjeve është e njohur. Ajo që duhet kujtuar gjithmonë e që na ktheu në pushtet pas 8 vitesh në opozitë ishte këmbëngulja e madhe për t’ia dalë, për t’u forcuar e përmirësuar në çdo hap të një rrugë përpjetë. Arritëm të ngremë një makineri elektorale të fuqishme, duke ndërtuar një skuadër përfaqësuese, duke harmonizuar eksperiencën me energjitë e reja.
Fituam mandatin e parë 8 vite të shkuara, u konfirmuam në të dytin, dhe si askush më parë në historinë e zgjedhjeve shqiptare u rikonfirmuam këtë vit për të tretën herë radhazi. Kjo është fitorja më e vështirë që kemi arritur. Thjesht fakti që jemi ne të parët që e arrijmë flet vetë për veçorinë, por dhe vështirësinë e kësaj fitoreje. Por, kjo është edhe fitorja jonë më e vështirë për t’u merituar. Në politikë fitoret meritohen pasi arrihen. Fitoret e zgjedhjeve janë mundësia për të zhvilluar beteja të vazhdueshme, për t’iu kthyer zgjedhjeve me punë kredinë e lartë të përfaqësimit që ata u japin borxh fituesve me votën e tyre.
Herën e katërt do ta kemi më të vështirë se sa këtë të tretën, por ama nuk e luan topi që detyra jonë ndaj atyre që na besuan dhe ndaj vetë Shqipërisë, që kemi nderin e jashtëzakonshëm ta udhëheqim, është të bëjmë të pamundurën për t’ia dalë të rikonfirmohemi përsëri pas 4 vitesh”, tha Rama.
Rendi i ditës:
Mbështetur në Statutin e Partisë dhe në Rregulloren për Organizimin dhe Funksionimin e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Neni 4, Sekretari i Përgjithshëm thërret Mbledhjen e Asamblesë Kombëtare me këtë rend dite:
I. Hapja e mbledhjes dhe miratimi i rendit të ditës.
II. Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste Edi RAMA.
III. Zgjedhja e Kryesisë së re, drejtuesve politikë të qarqeve dhe sekretariatit ekzekutiv të partisë.