Nikollë Lesi tregon parashikimin e radhës: Berisha arrestohet, Basha shpëton, PD shkrihet dhe në pushtet rri Rama për shumë gjatë

Nikollë Lesi ka bërë një tjetër parashikim.

Në gazetën e tij “Koha Jonë” është publikuar një editorial ku thuhet se, Sali Berisha mund arrestohet, Lulzim Basha shpëton nga aksioni kundër tij, PD shkrihet si forcë politike dhe në pushtet rri Edi Rama, për shumë gjatë si kryeministër.

Sipas Lesit, Basha shpreson te arrestimi i Berishës dhe se ka angazhuar të gjithë njohjet e tij.

Shkrimi i plotë

Konflikti mes Berishës dhe Bashës po nxjerr përditë ngjarje e fakte të reja për marrëdhëniet e tyre si dhe publiku po bëhet më i qartë se kush mbetet i pabesi në këtë rast.

Nga Dibra, dje, Berisha e sakatoi Lulzim Bashën edhe me argumenta, edhe me ironi, por kryesisht me elektorat. Rrugët e Dibrës ishin plot demokratë që priten ish-liderin e tyre, sikurse salla e tejmbushur tregoi se sa ishin të zjarrtë mbështetësit e Berishës. Thirrjet e sallës që i drejtoheshin Sali Berishës se nuk ke nevojë për firma delegatësh, pasi ke krejt PD-në, por na udhëhiq drejt kryeministrisë që të fillojmë protestë ditë-natë deri në rrëzimin e kryeministrit Rama, pra kjo tregon se demokratët e thjeshtë, të lodhur nga varfëria dhe nga humbjet e njëpasnjëshme të kryetarit Basha në disa zgjedhje, nuk durojnë më, por duan përballje me regjimin.

Ndërkohë sot doli Lulzim Basha dhe përçmoi Berishën, bile e ironizoi kur tha se “Kam dalë më shumë se çdo kryetar i PD në këtë 30 vite e do dal përsëri. Unë nuk jam nga ata që shfrytëzoj momente të tilla për të bërë garë se kush e ka autokolonën më të gjatë e kush i mbush sallat më shumë, se e di që ajo është një garë e lehtë për mua. Inatçorëve iu them se rruga pa krye ku janë futur dhe abuzimit që i bëjnë do iu vijë me faturën që s’ua kam dhënë këto tetë vite”, u shpreh Basha.

Me tej Lulzim Basha shtoi se atë e mbështesin 95 përqind e demokratëve, kurse Berisha është në minorancë.

Si të mos mjaftonte kjo mënjëherë reagoi Edi Paloka, që është kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Ai shkroi në facebook:

“Lul!

Nëse ke bindjen se 95% e demokratëve të mbështesin, atëherë na e hiq këtë siklet ku na ke futur të gjithëve. Mos jep dorëheqje, nëse ke bindjen që ke vepruar drejtë dhe për këtë ke mbështetjen e 95% të demokratëve, kërko votëbesimin e tyre dhe ndale përçarjen që po thellohet çdo ditë e më shumë prej vendimit tënd personal të 9 shtatorit-tha ndër të tjera Paloka.

Por Lulzim Basha po luan ndryshe, pa shumë zhurmë dhe siç e njoftoi përjashtimin e Berishës pa lajmëruar njeri në PD, dhe një ditë para, ka mundësi të veprojë edhe në skenarin që po luhet për të arrestuar ish-kryeministrin Berisha.

Burime shumë të besueshme tregojnë se SPAK po nxiton në dosjen e ish-kryeministrit Berisha, pasi janë dërguar me urgjencë shumë dokumenta nga kryeministria dhe nga ministritë e ndryshme për të gjetur fakte komprementuese ndaj Sali Berishës.

Natyrisht që cdo politikan apo zyrtarë i lartë duhet hetuar apo nxjerrë para drejtësisë nëse ka shkelur ligjet e vendit apo ka futur dorën në buxhetin e shtetit. E në këtë rast Sali Berisha e di vetë se cfarë ka firmosur dhe duhet të përgjigjet nëse SPAK ia verteton shkeljet. Por nxitimi nga segmente të drejtësisë apo qeverisë për ta arrestuar duket se con ujë në mullirin e Lulzim Bashës, e indirekt te kryeministri Edi Rama.

Ndaj Lulzim Basha rri me njerin sy nga SPAK dhe tjetrin nga rruga e Elbasanit që të shpëtojë vulën e PD-së.

Nëse arrestohet Sali Berisha, shpëton Lulzim Basha! Por PD-ja shkrihet ose mbetet gjithë jetën në opozitë. Dhe po kaq gjatë do kemi majë pushtetit Edi Ramën.