Ngjarja në Kavajë/ Dyshohet se 4 turistët ishin nën efektin e alkoolit, policia shoqëron stafin e hotelit ku u gjetën të pajetë

Detaje të tjera dalin në dritë nga ngjarja e rëndë e shënuar mbrëmjen e sotme (15 tetor) në një hotel në zonën e Qerretit në Kavajë.

Sipas News24, dyshohet se pushuesit rus në hotel mund të kenë qenë nën efektin e alkoolit çka ka sjellë dhe humbjen e jetës.

Gjithashtu policia po vijon hetimet mbi një pistë tjetër në atë të sigurisë së sistemit të ajrimit nëse ka pasur një defekt.

Uniformat blu kanë shoqëruar stafin e hotelit në komisariat për të dhënë deklaratat e tyre lidhur me ngjarjen.

Mësohet se shtetasit rusë kanë prenotuar prej disa ditësh në hotelin në Qerret për pushime. Lidhur me këtë zhvillim është njoftuar dhe Ambasada Ruse në Tiranë e cila më pas do të bëjë të mundur transportimin e trupave të pajetë.

Trupat e pajetë u gjetën gjatë mbrëmjes së sotme në orën 22:20 në ambientet e një saune në një hotel të Qerretit në Kavajë. Panorama.al mëson se kanë humbur jetën 4 shtetasit rusë Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe, Nataliia Burenkova 58 vjeçe, Nikita Belousov, 37 vjeç dhe Sergei Burenkov, 60 vjeç.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.