Nga “vrasje nga pakujdesia” në “vrasje me dashje indirekte”, si ndryshoi akuza për policin që vrau 7-vjeçaren me skaf në Himarë, ja arsyetimi i Prokurorisë

Prokuroria e Vlorës ka ndryshuar akuzën e ngritur fillimisht nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për policin Arian Tase, i akuzuar për vrasjen e 7-vjeçares Jonada Avdia më 2 gusht në Potam, Himarë.

Ndërsa AMP e akuzonte për vrasje nga pakujdesia, një vepër penale që parashikon nga dënimi me gjobë deri në 5 vite burg, Prokuroria e Vlorës ndryshoi akuzën në vrasje me dashje indirekte. Me këtë akuzë, sot Gjykata e Vlorës vendosi arrest me burg për 37-vjeçarin Tase.
Në dosjen e prokurorisë të siguruar nga “BalkanWeb” thuhet se “rezulton qartë jo vetëm nga deklarimet e dhëna, por dhe nga të dhënat qoftë të këqyrjes së mjetit lundrues, qoftë të këqyrjes së kufomës, se ka qenë drejtuesi i mjetit lundrues shtetasi Arian Tase, ai që e ka goditur me mjetin lundrues helikat e motorëve) dhe ka i shkaktuar vdekjen të miturës Jonida Avdia”.
ARSYETIMI

Dëmtimet e konstatuara në trupin e viktimës krijojnë dyshimin e arsyeshëm se i arrestuari ka qenë duke drejtuar mjetin lundrues me shpejtësi të lartë. Sa më sipër është proceduar nga policia gjyqësore me kryerjen e arrestimit në flagrancë e dyshuar fillimisht për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 85 Kodit Penal.

Vepra penale e vrasjes nga pakujdesia është një vepër penale që kryhet me faj, në formën e pakujdesisë që shfaqet në formën e vetëbesimit të tepruar ose të neglizhencës. Personi e kryen veprën penale me pakujdesi kur ai parashikon mundësinë e ardhjes së pasojave, nuk i dëshiron ato dhe me mendjelehtësi shpreson që t’i shmangë pasojat ose kur nuk parashikon pasojat, por nisur nga rrethanat duhet dhe kishte mundësi t’i parashikonte. Në situatën e ndodhur, vdekja e të miturës ka ndodhur në një zonë që është kategorikisht e ndaluar për lejimin kalimin e mjeteve lundruese sheta Arian Tase, me detyrë punonjës i policisë së shtetit, që ka objekt të punës të tij zbatimin e ligjit (dhe pse ditën e ngjarjes rezulton të ketë qenë me leje vjetore) ka vepruar në kundërshtim me ligjin. Ai e ka parashikuar që lundrimi me mjet lundrues pikërisht në një zonë detare të ndaluar për të hyrë, në një zonë ku qenësisht evidentohen fëmijë, të rritur, & moshuar që janë duke pushuar dhe argëtuar sjell pasojë në jetën dhe shëndetin e tyre, duke qenë në dijeni se në një hark kohor relativisht të shkurtër kanë ndodhur të tilla raste tashmë të njohura dhe mediatikisht), dhe pse nuk e ka dëshiruar ardhjen e pasojë pra vdekjen e shtetases së mitur, me veprimet e kryera, ai me vetëdije e ka lejuar ardhjen e pasojës.

 

 

Dashje indirekte ose e tërthortë si një nga format e fajësisë nënkupton që personi parashikon që nga veprimi tij mund të vijnë pasoja të kundërligjshme, këto pasoja nuk dëshirohen prej tij, por me vetëdije dhe ndërgjegje lejohet ardhja e pasojave. Në këtë kuptim veprimet e të arrestuarit Arian Tase do te cilësohen sipas nenit 76 të Kodit Penal si vrasje e kryer në formën e dashjes indirekte të tërthortë.