Nga Tirana, Kamza, Kavaja e Rrogozhina, qytetet me më shumë raste me COVID në shkolla. Publikohen shifrat e mësuesve dhe nxënësve të infektuar


1320 mësues dhe edukatore si dhe 850 nxënës kanë rezultuar në total të infektuar me Covid-19 ne 5 qytete deri me sot. Shifrat janë publikuar zyrtarisht për herë të parë nga Prefekti i Qarkut Tiranë, Toni Gogu dhe pesë drejtuesit e Zyrave arsimore të Qarkut Tiranës, Kamzës, Vorë, Kavajë dhe Rrogozhinë. Duket se kulmin përhapja e virusit e ka pasur gjatë muajit tetor pasi kurba ka prekur kulmin me 200 mësues të infektuar në shkollat publike dhe private në 5 bashkitë e sipërpërmendura.

Pas analizimit të të dhënave mbi numrin e mësuesve, edukatorëve dhe nxënësve të infektuar në nivel qarku, drejtuesit e zyrave arsimore theksuan se të gjitha rastet janë infektuar jashtë institucioneve arsimore. Se nuk ka patur vatra infektimi ne shkolla por kryesisht mësuesit dhe edukatoret e kane marre virusin nga të afërm apo familjare qe kane rezultuar pozitiv. Referuar zbatimit të udhëzimit të ri që që përcakton alternimin e mësimit fizik apo online, vetë drejtuesit e zyrave arsimore thanë se skenari po zbatohet në të gjitha shkollat. Për shkollat me pak nxënës drejtoritë kanë vendosur që mësimi të bëhet fizikisht duke zbatuar të gjitha protokollet e përcaktuara nga autoritetet përkatëse.

Ajo çka u konstatua si problem në aplikimin e mësimit online ishte vështirësia e aksesit në internet për shkolla që ndodhen në territore të largëta, prefekti i Tiranës u zotua se kjo problematike do merrte një zgjidhje nga AKEP dhe operatoret e internetit. Përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik thane ne takim se për mësuesit ka nisur aplikimi i testeve të shpejta, përgjigja e të cilëve del për vetëm 15 minuta, dhe kështu bëhet e mundur zgjidhja e mungesës së mësuesve në shkolla.

Prej kohësh vendi ynë po përballet me shifra të larta të rasteve me koronavirus, ndërsa në spitalet ku trajtohen të sëmurët me këtë virus ka fluks.