Nga Shkodra, Kavajë e Përmet, KLP shpall 10 vende vakante për drejtues prokurorie

KLP ka shpallur 10 vende vakante për drejtues prokurorie në Shkodër, Vlorë, Korçë, Tropojë, Përmet, Dibër, Pukë, Gjirokastër, Kavajë e Berat.

Nga 28 vende vakante për drejtues prokurorie, kanë rezultuar 10 zyra ku është mbyllur konkurrimi pa kandidatë ose kandidatë të pakualifikuar.

Me këtë rast 10 Prokurori mbeten pa drejtues dhe KLP ka shpallur procedurat. Kujtojmë se në Shkodër, Korçë e Vlorë bëhet fjalë për Prokuroritë e Apelit, kurse tek të tjerat Prokurori të Shkallës së Parë.

NJOFTIMI NGA KLP

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar sot, më 23.12.2020, mbledhjen plenare të radhës përmes platformës on-line. Në respektim të masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, mbledhja është zhvilluar në prani të të gjithë anëtarëve si dhe të përfaqësuesëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT. Duke iu përmbajtur rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi çështjet si vijon:

Në përfundim të afatit të aplikimit për 28 vende vakante për pozicionin “Drejtues Prokurorie” në prokuroritë të juridiksionit të përgjithshëm dhe të apelit, kanë rezultuar 10 zyra prokurorie, ku është mbyllur procedura e konkurrimit pa kandidim ose pa kandidatë të kualifikuar, nga të cilat 3 zyra prokurorie pranë Gjykatave të Apelit dhe 7 zyra prokurorie pranë Gjykatave të Shkallës së Parë.

Në këto kushte, Këshilli vendosi në unanimitet të shpallë fillimin e procedurave për plotësimin e 10 (dhjetë) vendeve vakante për “Drejtues Prokurorie”, përmes procedurës së ngritjes në detyrë në prokuroritë e mëposhtme:

Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit, Shkodër.
Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit, Korçë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit, Vlorë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tropojë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Dibër.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Përmet.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Gjirokastër.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Pukë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kavajë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat.
Njoftimi i vendeve vakante si dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët do të publikohen në faqen zyrtare të institucionit, jo më vonë se një javë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Me propozim të Komisionit të Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, për numrin e kandidatëve që do t’i caktohen secilit anëtar të këtij Komisioni, Këshilli vendosi për caktimin me short të tre relatorëve: znj. Esmeralda Keshi, z. Kostaq Beluri, Alfred Balla, për procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidatët që kanë kandiduar për pozicion drejtuesi, të shpallur me Vendimin nr. 285, datë 17.18.2020, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Pas hedhjes së shortit, zonja Esmeralda Keshi do të kryej procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidatët Erion Shehaj, Albert Muçaj, Arben Smaçi, Dorina Bejko, Arben Nika, Farie Vata, Violeta Shkurta dhe Arben Dyla; zoti Alfred Balla do të kryej procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidatët Lorenc Mërkuri, Gjon Fusha, Kreshnik Ajazi, Ludovik Doda, Petrit Cano, Albert Kuliçi, Anita Jella dhe Elizabeta Imeraj; zoti Kostaq Beluri do të kryej procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidatët Gentian Stoja, Dorina Theodhori, Abaz Muça, Sali Hasa, Erion çela, Aurel Zarka, Rita Gjati dhe Genti Xholi.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, më 17.12.2020 ka miratuar listën me kandidatët e kualifikuar për “Drejtues” në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, bashkë me 6 vendime shkualifikimi për kandidatët për “Drejtues”, të cilët nuk e kanë kaluar procesin e kualifikimit paraprak.

Për një nga grupet e të shkualifikuarve, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës vlerësoi se aplikimi i tyre (në rrugë elektronike dhe me postë) ka ardhur jashtë afateve të përcaktuara në njoftimin për shprehjen e interesit. Në këtë grup kandidatësh të skualifikuar bënte pjesë edhe magjistratja Marsida Frashëri, e cila konkurronte për postin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër dhe Kukës. Konkretisht, znj.Frashëri, më 17.12.2020 është skualifikuar vetëm nga gara për Drejtues të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kukës, dhe është kualifikuar për postin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër. Komisioni ka bërë verifikimet e nevojshme, ku ka rezultuar se znj. Farshëri i ka sjellë realisht të dy aplikimet në datë 04.12.2020, pra një ditë me vonesë nga afati i specifikuar në njoftim, që ishte data 03.12.2020, ora 24.00.

Për këto arsye, Komisioni i propozoi Këshillit të shfuqizojë pikën 1 të Vendimit nr.285, datë 17.12.2020, vetëm sa i takon kandidates për “Drejtues Prokurorie”, znj. Marsida Frashëri, për Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër. Këshilli vendosi me shumicë votash ndalimin e kandidimit për kandidaten, znj. Marsida Frashëri, për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër.

Këshilli miratoi dy caktime të përkohshme për një afat tremujor në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë, z. Kreshnik Ajazi, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Elbasan (nga data 26.12.2020 – 25.03.2021) dhe znj. Rita Gjati në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kukës (nga data 27.12.2020 – 26.03.2021) . Gjithashtu, Këshilli vendosi me 6 vota pro dhe 3 kundër (z. Gent Ibrahimi, znj. Esmeralda Keshi dhe z. Sandër Beci) caktimin të përkohshëm të znj. Alma Braho si prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës (nga data 29.12.2020 – 28.03.2021).