Seanca e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë u shoqërua me debate dhe diskutime mbi ndryshimet në buxhetin e shtetit dhe marrëveshjet për kredi që më pas u miratuan nga shumica parlamentare.
Në seancën e parafundit të këtij Parlamenti, deputeti i opozitës Muslim Murrizi, që nuk do jetë deputet në shtator, deklaroi se vetëm në dy seancat e fundit qeveria ka marrë hua 400 milionë euro borxh, duke rritur ndjeshëm borxhin publik. Murrizi ironizoi Parlamentin e ri që do të mblidhet në shtator duke e cilësuar si estradë për pazarin e dyshes Rama-Basha, ndërsa i cilësoi krerët e dy partive si balerinë që do të dredhin belin në Parlamentin e ri. Deklaratës së Murrizit se ku shkojnë paratë që merren në emër të shqiptarëve i është përgjigjur deputeti Ilir Beqja, edhe ai nuk do të jetë më deputet në shtator, se ato do përdoren për investime që sjellin zhvillim dhe vende pune. Jo pa ironi, në seancën e parafundit si deputet, Ralf Gjoni tha se një popull që shet votën, sulltanatin e ka pak, talljen e ka hak. Kjo ishte seanca e parafundit dhe më shumë se gjysma e deputetëve të kësaj legjislature nuk do të jenë në shtator Kuvendin e Shqipërisë.
DISKUTIMET
Myslim Murrizi: Megjithëse ministrja e Financave nuk është në sallë, pas 30 vitesh hiqet neni që detyron qeverisë të ulë borxhin publik. Është akt që i zgjidh qeverisë që të marrë borxh sa i teket. E dyta, është shtim i shpenzimit dhe borxhit publik në raport të zhdrejtë me të ardhurat për të rimëkëmbur ekonominë. Shpenzime që nuk justifikohen. Po rrisni borxhin publik, në dy seanca 400 milionë euro hua. Një votues i 25 prillit ka 7100 euro borxh, 100 i hoqi ngaqë shiti votën i kanë ngelur edhe 7 mijë. Ku i çon paratë e marra në emër të shqiptarëve Fondi Shqiptar i Zhvillimit, apo agjencitë e tjera?! Çfarë është kjo heshtje nga ju që keni artikuluar kaq e kaq deklarata shtypi, nuk kam dëgjuar një deklaratë nga partia e Lulit që i donte listat 100 për qind të hapura. Apo pret shtatorin për t’u ulur në prehrin e tjetrit, do të dalin lakuriq këta “dashnorët” e mëdhenj të listave të hapura. Këtu do të jeni rrogëtarë, duhet të jepni dorëheqjen. Bëjeni për akt moral. Kalimtarë në këtë botë o pseudo deputetë, o ju galaktikë që mezi prisni të hyni në shtator. Lërini mandatet të vijnë ata që duan qytetarët. Presim estradën për pazarin e dyshes Rama-Basha në datë 9 shtator. Kam rastin që në shtator të shoh sesi do të ma dridhni belin ju dy balerinat e turpit të politikës shqiptare. Do të shikojmë se çfarë dredhje beli të radhës do të kemi në shtator.
Ilir Beqaj: Po i përgjigjem deputetit Murrizi që tha se nuk e dimë ku i shpenzon paratë Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Fondi Shqiptar i zhvillimit ka bërë rrugën që të çon në Vermosh, po bën rrugën e lumit të Vlorës, e shumë të tjera. Ç’është ky borxh që merret, thotë z. Murrizi. Po nëse borxhin ta jep KFË-ja do të thotë që ajo është huadhënës dhe çdo kredidhënës është më i interesuar më së pari për të shlyer mbrapsht kredinë huamarrësi. Që do të thotë minimalisht që paratë që sipas tij janë shumë veçanërisht tregojnë që për financat ndërkombëtare këtu është një vend i besueshëm. Kjo është arritur falë përpjekjeve të të gjithë shqiptarëve këto tetë vjet. Unë besoj se qeveria ka meritën e vetë. Po do marrim borxh për “Lungomaren” e Vlorës, sepse pjesa tjetër i dha zhvillim dhe punësim atij qyteti. Po, borxhin duhet ta përdorim me efektivitet. Por është e pa pranueshme që një parti e djathtë të ketë mentalitetin komunist për huamarrjen nga institucionet ndërkombëtare.
Myslim Murrizi: Unë e di mirë konceptin filozofik ku ndan e majta me të djathtën, e nuk pres lektorë veresi pa pagesë, por nuk di se çfarë gjykon z. Beqaj me të qenurit i djathtë kur e bën të barasvlershme apo ekuivalenten e “brekëgrisurit”. Ne po marrim hua! Është borxh me interes! Nuk bën sens, Zengini shet dhe dora e shtrirë nuk është e djathtë. Unë nuk di ndonjë biznesmen që lyp ashtu si nuk di ndonjë shtet që qenka i fortë si ne mburret se ka marrë hua me interes gjithandej. Kredia nuk është as grand as sadaka, por borxh me interes. Çfarë do bëni me këto para apo do t’i shpenzoni dhe pastaj do t’u thoni firmave që zbatojnë investimet “t’i kam”, si ata të dikurshmit. Ndonjë deputet i majtë biznesmen, t’i tregojë z. Beqaj se nuk bëhesh zengjin aq kollaj.
Rafl Gjoni: “O Myslym i dashur, se po shkojmë drejt fundit të kësaj legjislature, unë kisha vendosur të mos mbaja fjalim sot, po më ngacmove me dy gjëra, listat e Philip Reeker që shpresoj shumë t’i ketë sjellë ato lista të inkriminuarish dhe t’ia ketë dorëzuar në dorë dhe Edi Ramës edhe Lul Bashës, sepse ti dhe unë e dimë mirë se sa të inkriminuar do të ketë këtu në parlamentin e shtatorit në qoftë se ai parlament do të mblidhet. Doja të tregoja një histori të vogël për replikë! Shkon një deputet i zgjedhur në një qytezë, fshat të vogël të Jugut mbasi sapo ishte zgjedhur deputet dhe ngrihen banorët e zonës e ulërasin, s’kemi rrugë, na premtove rrugën s’na e bëre, s’kemi ujë, s’kemi drita, s’kemi bukë për fëmijët. Gërthiste njëri atje nga fundi i sallës. Kush është i thotë ky? Beqiri thanë këta, Beqir çohu në këmbë i tha, ça ke që flet, unë ty të kam dhënë lekët për votën, i tha, mbylle gojën dhe m’u zhduk jashtë kësaj salle, zhduku. Doli Beqiri me bisht ndër shalë dhe iku nga salla. E vërteta është e hidhur na vret të dyve, na vret të gjithëve, një popull që shet votën, sulltanatin e ka pak, talljen e ka hak”.
Rudina Hajdari: “Ne duhet të bëjmë një reflektim, Shqipëria ke nevojë për më shumë demokraci, për më shumë fuqi në vendimmarrje. Sot është e kundërta, modeli i suksesit që sot ecën përpara është horri me makinën e shtrenjtë, apo modeli i servilizmit, më i përbuzur që shqiptarët nuk duhet ta përfaqësojnë. Kemi 30 vite me këta njerëz që e kanë çuar Shqipërinë në këtë maskaradë ku nuk bëhet asgjë për përparimin. Sot është një thirrje e sinqertë, çlirojeni vendin nga ky mallkim 30-vjeçar dhe jepini shqiptarëve atë që i meriton duke ia lënë atyre në dorë që të zgjedhin deputetët. Mos shikoni më partitë, por vendosni vendin në vend të parë dhe jepini shqiptarëve demokracinë e munguar”.
Denaj: Ndryshimi për të blerë vaksina dhe stimuluar ekonominë
Parlamenti miratoi dje ndryshimin për herë të katërt të buxhetit dhe ligjit organik të buxhetit. Në fjalën e saj në parlament Ministrja e Financave Anila Denaj argumentoi se situata e krijuar nga pandemia diktoi ndryshimet e radhës. Sipas saj dy arsyet kryesore se u bë ndërhyrja e radhës në buxhetin e shtetit ishte blerja e vaksinave dhe stimulimi i rimëkëmbjes së ekonomisë. Një nga zërat që u shtua në buxhetin e shtetit ishte financimi i Teatrit Kombëtar në një kohë që çështja ndodhet në Gjykatën Kushtetuese.
“Qeveria Shqiptare është detyruar të bëjë një sërë ndryshimesh në parashikimet buxhetore dhe makroekonomike, duke krijuar hapësirën e nevojshme fiskale për mbështetjen ndaj qytetarëve dhe bizneseve në vitin 2021, por edhe për te vijuar me mbështetjen e vazhdueshme financiare duke siguruar objektivin primar vaksinimin total të popullsisë. Nevoja për ndryshime, ka si objektiv primar Ofrimin stimuj të nevojshëm fiskalë në krahun e shpenzimeve buxhetore për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit si pasojë e dy goditjeve të njëpasnjëshme. Vlerësimet aktuale të situatës makroekonomike dhe fiskale për vitin 2021 si dhe për periudhën 2022-2024, tregojnë se, një stimul i mëtejshëm fiskal nga ana e shpenzimeve buxhetore do të ishte garanci për nivele më të larta e të qëndrueshme të rritjes ekonomike në afatmesëm dhe afatgjatë. Kjo do të ofronte: Punësim e mirëqenie për qytetarët e vendit dhe më shumë burime financiare për shërbime publike”, tha ministrja Denaj.
Ndërkohë për ndryshimin e buxhetit ku janë rritur shpenzimet me 11.8 miliardë lekë, Denaj ka listuar disa nga arsyet e ndryshimit, dhe se ku do të shkojnë fondet. “Shtesa në masën 2 miliardë lekë për Fondin Rezervë të Buxhetit të shtetit, me qëllim financimin e: Fushata e vaksinimit anti-COVID, në masën 1 miliard lekë. Projektit prioritar të Ministrisë së Mbrojtjes për pajisjen me drone, për rritjen e kontrollit të territorit dhe sigurisë kombëtare në tërësi në vlerë 1 miliardë lekë. Shtesën në masën 200 milionë lekë për mbulimin e shpenzimeve për pjesëmarrjen si anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit në OKB. Shtesën në masën 500 milionë lekë për financimin shtesë të nevojave të qirave të strehimit të familjeve të dëmtuara nga tërmeti. Shtesën në masën 1 miliardë lekë për AKSHI-n, me qëllim financimin e nevojave për mirëmbajtjen e sistemeve IT”, tha ministrja.