Nga punësimet pa kriter tek humbjet në rrjet, Çfarë u tha Rama kryebashkiakëve

MARIGLEN KUME/ Kryeministri Edi Rama ishte mjaft kritik dje me kryebashkiakët e tij në lidhje me menaxhimin e ujësjellësve dhe furnizimin me ujë të qytetarëve. Në një takim me të zgjedhurit vendorë, të gjithë socialistë, përveç Voltana Ademit të Shkodrës që vijon detyrës si përfaqësuese e PD-së, Rama tha se bashkitë regjistrojnë vetëm humbje në menaxhimin e ujësjellësve.

Ai e konsideroi “gangrenë” të gjithë sektorin, por arriti të veçojë si shembull pozitiv Bashkinë Korçë e Pogradec. Rama tha se abuzimi më i madh bëhet nga bizneset dhe jo nga familjet në nevojë.

“Abuzimin më të madh nuk e bëjnë konsumatorët familjarë, por bizneset, hotelet, ata që kanë më shumë, jo ata që kanë më pak. Se nuk u vjen ujësjellësve e keqja nga familjet në nevojë.

Nuk dua të zgjatem shumë, por dua të them që kjo gjendje është në kufijtë e absurditetit. Ministria e Energjisë do të ndërhyjë menjëherë për të kthyer tendencën, për të ndërtuar një proces ndërveprimi me partnerët dhe ju, për të riorganizuar të gjithë sistemin me themel dhe cilido që nuk do dojë të kuptojë se një ndërmarrje ujësjellësi që nuk mbulon as pagat, as sigurimet shoqërore dhe që mban me borxhe lista të tëra punonjësish, është pasqyra më dëshpëruese e papërgjegjshmërisë”, tha Rama.

INVESTIMET 

Kryeministri i cilësoi ndërmarrjet e ujësjellësve në vend si piramida që gllabërojnë para, ndërsa u kujtoi kryebashkiakëve se deri më tani janë investuar 1.2 miliardë euro, një shifër kjo shumë e lartë dhe asgjë nuk po merret mbrapsht.

“Mbi 1 miliard euro investime ka bërë qeveria shqiptare dhe partnerët për ta zgjidhur një herë e mirë problemin me ujin, po si mund të shkojë uji 24 orë kur humbjet shkojnë si në Vlorë gati 80%? Si mundet?! Është e pamundur.

Ne kemi përgjegjësi që nuk mund ta shmangim dhe delegojmë dot më, duke iu thënë qytetarëve që ujësjellësin e ka bashkia, se qytetarët kërkojnë shërbimin, s’duan të dinë kush e ka. Pjesa dërrmuese bashkive janë në shkelje të ligjit, por më e rënda është që përgjegjësinë e delegojnë te qeveria.

Ne do ta marrim këtë përgjegjësi dhe bashkërisht do ta ndryshojmë kursin e kësaj historie, duke iu lutur donatorëve që të përfshihen në këtë proces dhe me ndihmën e tyre, do të bëjmë një skanim të të gjitha burimeve njerëzore”, tha ai.

PUNËSIMET

Kryeministri tha se nuk do t’i “bihet më me top” votës së qytetarëve, duke punësuar njerëz që marrin rroga pa shkuar në punë, bëjnë dëme pa qenë fare në Shqipëri, sepse ky është një abuzim flagrant dhe fyes me votën e qytetarëve.

“Nuk janë mall i huaj, të cilit prej 30 vitesh i bihet me top, duke shpërdoruar mandatin e dhënë nga qytetarët. Këto nuk janë zyra punësimi për njerëz që nuk duan të punojnë, por vetëm të marrin një rrogë pa qenë fare në Shqipëri apo për njerëz që shkojnë në punë dhe bëjnë dëme. Është shumë e trishtueshme kjo pamje dhe e bëmë që të japim një mesazh për të gjithë dhe për të marrë ne përgjegjësinë në emër të autonomisë, të së drejtës së pushtetit vendor për të qenë i lirë të marrë vendime, nuk mund të shkohet deri këtu. Ky është abuzim i hapur me votën e popullit. Është abuzim flagrant, fyes, arrogant fare me votën e popullit”, tha Rama.

ADMINISTRIMI

Kreu i qeverisë me një gjuhë të ashpër e quan abuzimin në administratat vendore si një kancer që përpin buxhetin e shtetit. Ai ngarkon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për të ndërhyrë dhe për të bërë ndryshime në sistemin e administrimit për ndërmarrjet e ujësjellësve.

“Fjalët të gjitha janë thënë, është koha për të vepruar. Natyrisht që siç folëm për mbetjet, dhe në këtë drejtim qeveria nuk do rrijë në pozitën e financuesit të këtyre shërbimeve, por do të përfshihet në këto shërbime. Nuk do të lejojmë që paratë e popullit të abuzohen në këtë farë feje të qeverisjes ekstreme të këtij sektori. Më të mirët janë në pozitë shumë të disfavorshme me shifrat.

Është një problem administrimi dhe keqqeverisjeje. Është kronikë e shumë viteve, ne nuk mund ta pranojmë të tillë. Është një tendencë e një kanceri agresiv që përpin nga shteti të ardhura marramendëse. Rezulton si një ofendim i madh për familjet që paguajnë. Në radhë të parë për pensionistët, është një ofendim shumë i madh.

Ata që nuk paguajnë ankohen se nuk ka bukë, ndërkohë ata që ishin më keq ekonomikisht i paguanin faturat. Këtu abuzimet më të mëdha i bëjnë bizneset, hotelet. Abuzimin më të madh e bëjnë ata që kanë më shumë. Se nuk u vjen ujësjellësve e keqja nga familjet në nevojë.

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës duhet të ndërhyjë menjëherë, duke ndërtuar një proces ndërveprimi me partnerët dhe me ju, kryetarët e bashkive, për të riorganizuar të gjithë sistemin me themel. Cilido që nuk do të kuptojë që një ujësjellës nuk mbulon as pagat dhe sigurimet shoqërore dhe mban me borxhe lista të tëra punonjësish, është pasqyra e papërgjegjshmërisë”, tha Rama.

Kryeministri paralajmëron mbylljen e guroreve

Kompanitë e guroreve që shfrytëzojnë malet shqiptare do të kenë afat deri më 31 dhjetor të këtij viti që të zbatojnë marrëveshjet për kalendarin e pyllëzimit, në të kundërt të gjitha do të mbyllen dhe nuk do ta ushtrojnë më aktivitetin. Ky ishte paralajmërimi që dha sot Kryeministri Edi Rama në mbledhjen me kryebashkiakët e vendit.

“Guroreve ju dilni për zot ju kur ju thuhet që do të mbyllen, por çuditërisht nuk ka asnjë letër nga ana e bashkive në Ministrinë e Mjedisit, ku të thuhet që kjo kompani që po shfrytëzon këtë gurore nuk ka mbjellë asnjë pemë, siç është marrëveshja. Nuk ka asnjë ngritje shqetësimi dhe sa u përket guroreve, do t’ju lutesha shumë t’i qëndroni larg kësaj pune, shumë larg, se këtu që do jemi herës tjetër e kisha për donatorët, se këtu herën tjetër do të jenë kompanitë që shfrytëzojnë malet, ndërsa ju si bashki duhet t’i qëndroni larg shumë larg kësaj pune, se ato ndërhyrjet sociale mbajnë erë të keqe, për fat të keq. Shfrytëzuesit e guroreve duhet ta kuptojnë që ose do të vijnë tani e do të nënshkruajnë marrëveshjet e pyllëzimit dhe do të pranojnë kalendarin e pyllëzimit, ose të gjitha do të mbyllen pa kthim”.

RAMA, KRITIK ME LELIN EDHE PËR UJËSJELLËSIN

Kryeministri Rama ishte po aq kritik me kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli, edhe për menaxhimin e ujësjellësit. Një javë më parë, Leli ishte delja e zezë e Kryeministrit në takimin me kryebashkiakët për menaxhimin e mbetjeve urbane.

“Po marr kampionen, Bashkinë e Vlorës, 78.9% humbje. Ça domethënë kjo? Një kompani e falimentuar si piramidë që vazhdon e merr para nga shteti dhe si lapidar abuzimi me faktin që uji është jetik dhe jo një mall që mund të trajtohet si çdo mall tjetër”.

“Dele e zezë” e takimit ishte edhe kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro, kritikat ndaj të cilit ishin pa kursim, sa i takon menaxhimit të plehrave gjatë sezonit turistik

. “Natyrisht, unë nuk mund ta konceptoj dot, se në këtë pikë jam dëshmitar, jam dhe viktimë, si një nga qytetarët e shumtë që në periudhën e pushimeve shkojnë në Himarë, në Dhërmi më saktë. Nuk e konceptoj dot. Një pedonale ka Dhërmiu, që përshkohet në këmbë. Sikur Jorgua, Gjergji, të çohej vetë në katër të mëngjesit e ta merrte vetë rrugën me një trastë në dorë, i mblidhte vetë ato. Por çohem unë më përpara sesa Jorgua dhe shikoj mbetjet, zgjoj Jorgon nga gjumi e pastaj vjen një dumdum, një lloj makinerie që nuk e di se e çfarë viti prodhimi është dhe bën sikur mbledh plehrat”, tha Rama në takimin me bashkiakët një javë më parë.