KELMENT BAÇI/ Konferenca e Kryetarëve miratoi dje dërgimin në seancën e së enjtes në Kuvend ngritjen e tri komisioneve hetimore parlamentare të kërkuara nga Partia Demokratike.
Krerët e grupeve parlamentare vendosën që Komisioni hetimor për çështjen “Becchetti”, për hetimin e zgjedhjeve të 25 prillit dhe Komisioni hetimor për inceneratorët të diskutohen dhe të vendoset se çfarë do të ndodhë më tej. Partia Socialiste ka vendosur të mos tërhiqet nga vendimi për të rrëzuar ngritjen e Komisionit për çështjen “Becchetti”.
Brime për gazetën “Panorama” thanë se në mbledhjen me dyer të mbyllura kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, ka argumentuar se kanë marrë një rekomandim nga avokati i shtetit në të cilin thuhet se nisja e një hetimi nga ana e deputetëve në Parlament do të cenonte interesin e Shqipërisë në procesin ndërkombëtar. Ky pretendim i socialistëve është hedhur poshtë nga kreu i Grupit të PD-së, Afred Rushaj, i cili ka deklaruar se Shqipëria i ka humbur të gjitha proceset për këtë çështje dhe se shqiptarët do t’i paguajnë Becchetti-t 120 milionë euro për shkak të sjelljes së Kryeministrit Edi Rama.
Rushaj është shprehur se janë mbledhur 38 firmat e nevojshme për ngritjen e këtij Komisioni dhe arsyetimin e PS-së për të mos hetuar e ka konsideruar si antikushtetues. Pas mbledhjes me dyer të mbyllura, Balla ka deklaruar sërish se maxhoranca do të rrëzojë Komisionin për çështjen “Becchetti” dhe do të miratojë dy komisionet e tjera hetimore që ka kërkuar opozita, atë për zgjedhjet e 25 prillit dhe për inceneratorët.
“Diskutuam ngritjen e komisionit për hetimin e zgjedhjet të 25 prillit, ngritja e të cilit do të votohet të enjten. Jemi duke punuar për dakordësimin për projektvendimin për komisionin hetimor për çështjen e trajtimit të mbetjeve, ndërkohë që do të rrëzohet komisioni hetimor për çështjen ‘Becchetti’”, tha ai. Edhe dje në Konferencën e Kryetarëve, PS ka deklaruar të njëjtën arsye për votimin kundër ngritjes së komisionit hetimor “Becchetti”.
Dy ditë më parë Balla u shpreh për mediat se ngritja e këtij komisioni cenonte interesat e Shqipërisë në proceset gjyqësore për këtë çështje, pasi ky ka qenë edhe sugjerimi i avokatit të shtetit që ka paraqitur edhe një letër, ndërsa la të hapur mundësinë e ngritjes së këtij komisioni në një moment të dytë.
“Njëra prej kërkesave bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka sqaruar qasjet, pakica ka të drejtë të ngrihet një komision hetimor dhe nuk vihet në dyshim ngritja e një komisioni hetimor, por kur kërkesa bie në kundërshtim me Kushtetutën, mendoj që bie në kundërshtim me interesat e Shqipërisë në raport me disa procese gjyqësore që po zhvillon Shqipëria.
Interesi më i madh që duhet të prevalojë është interesi i Shqipërisë. Shqipëria duhet të vazhdojë të mbrojë interesat e saj dhe ky ka qenë sugjerim edhe i avokatit të shtetit, i cili kërkon që kjo çështje të shtyhet dhe sapo Shqipëria të ketë ecur në procesin juridik, ligjor për këtë çështje, ne mund ta ngremë këtë komision në një moment të dytë. Unë do të mbaj qëndrimin e plotë të maxhorancës në seancë plenare në lidhje me këtë çështje”, tha Balla.
QËNDRIMI I PD
Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj, vendimin e Partisë Socialiste për mosngritjen e Komisionit hetimor “Becchetti” e ka cilësuar si një vendim antikushtetues. Në një komunikim me gazetarët pas mbledhjes, nënkryetari i PD-së tha se është e turpshme që PS barazon interesin e shqiptarëve me interesin e Edi Ramës. “Ka një dakordësi për objektin e hetimit për Komisionin hetimor për zgjedhjet sipas propozimit që ne bëmë. Nuk ka dakordësi për inceneratorët. Duket që pala tjetër është duke shqyrtuar propozimet tona dhe do të vijë përpara seancës sot dhe nesër, për të shkuar në një objekt të dakordësuar.
Ndërkohë, duket që ka një vendim të palës tjetër për të mos pranuar ngritjen e Komisionit hetimor ‘Becchetti’. Justifikimi për këtë është një letër që paska sjellë avokati i shtetit dhe socialistët thonë se ngritja e Komisionit hetimor “Becchetti”, që do të hetonte përse shqiptarët do të paguajnë thuajse 120 milionë euro, është kundër interesit të Shqipërisë. Në fakt mosngritja e këtij Komisioni është në interes të Edi Ramës. Është e turpshme që PS barazon interesin e shqiptarëve me interesin e Edi Ramës dhe të disa nëpunësve të tij.
Kjo në shkelje të plotë të Kushtetutës, në shkelje të plotë të vendimeve të qarta të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë krijuar jurisprudencë të qartë për çdo aspekt të këtij komisioni. Natyrisht ne nuk do ta pranojmë këtë pjesë, do të bëjmë çfarë ne kemi në dorë, çfarë ne kemi mundësi të bëjmë që ky komision të ngrihet dhe shqiptarët ta dinë se përse do të paguajnë 120 milionë euro”, tha Rushaj.
TRI KOMISIONET E KËRKUARA NGA PD
• Ngritjen e Komisionit hetimor të Kuvendit për kontrollin e keqpërdorimit të burimeve të administratës shtetërore, si dhe të asgjësimit të kufirit midis Shtetit dhe PS në pushtet për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021
• Ngritjen e Komisionit hetimor për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve administrative dhe procedurës së ndjekur nga ana e organeve ekzekutive në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane në Tiranë, Elbasan dhe Fier.
• Ngritjen e Komisionit hetimor Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë në çështjet që kanë sjell si pasojë vendimin e arbitrazhit ‘Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë’
Marrë nga Gazeta Panorama.al