“Nga humbja në humbje 8 vite rresht, thotë më ndiqni se jam e ardhmja”, Berisha sulmon Bashën nga Fieri: Farë e keqe që ne nuk e kuptuam

Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar nga Fieri kreun e PD-së Lulzim Basha duke deklaruar se në historinë e 30 viteve asnjë njeri nuk ka shfaqur standardet e ulëta morale politike të këtij njeriu, asnjë njeri. Sipas tij, Basha dëshmoi se është i zhveshur nga çdo parim dhe se është i gatshëm që për karrigen e tij të bëjë gjithçka. Berisha i bëri këto deklarata nga aktiviteti i mbajtur me rastin e 31-vjetorit të themelimit të PD Fier.

“Sot të gjithë ne këtu kemi shumë detyrime për t’u përulur me nderim të madh, për të shprehur mirënjohje të thellë ndaj atyre grave dhe burrave të Fierit, intelektualëve, punonjësve të këtij qyteti që themeluan më 6 janar 1991 në Fier, partinë e parë opozitare në një kohë kur e vërteta është që diktatura e llogariste Fierin një bastion të saj. Kohërat e fillimit nuk kanë qenë të lehta, e vërteta është se terrori i kuq na shoqëronte nga një komunë në një tjetër, por ashtu siç ishin dhe idealet e demokratëve të Fierit ne qëndronim në të drejtën tonë të vendosur në rrugë dhe mjete paqësore të realizonim qëllimet tona. Jo të rralla ishin rastet kur në kalim e sipër na gjuanin me gurë, përpiqeshin të bllokonin rrugët ndërsa n armë të vetme kishim tolerancën dhe përpiqeshim me vendosmëri të fitojmë zemrat dhe mendjet e njerëzve. Së shpejti vijnë këtu ditët pas 20 shkurtit. Fieri është një nga qytetet që diktatura e përgjaku dhe unë dua të shpreh nderimin tim më të madh, për ata demokratë të fierit, gjaku i pafajshëm i të cilëve skuqi dhe Gjanicën, por përsëri ata qëndruan të pamposhtur dhe vazhduam rrugën deri në fitoren e madhe. Por dega e PD të Fierit që nga themelimi i saj gjer sot ishte dhe mbetet një nga degët kryesore, të një rëndësie të jashtëzakonshme për PD-në dhe fatet e saj. Unë mund t’u them se në rast se degët e tjera, apo headquarteri, qendra e PD-së do kishte funksionuar siç keni funksionuar ju do kishte dëshmuar guximin tuaj, por edhe standardet tuaja morale, PD do ishte prej kohësh në pushtet dhe do kishte shënuar arritje të tjera shumë të mëdha në programin e transformimit të Shqipërisë.

Ne vijmë në këtë 31-vjetor, pas 8 vitesh në të cilat e vërteta është se udhëheqja e kësaj force politike në Tiranë, dëshmoi dobësi ekstreme, aparimësi dhe mjaft probleme të tjera. Njeriu që e mori në krye, që demokratët i besuan drejtimin, solli forcën tonë politike nga humbja në humbje”, tha Berisha.

 Sipas tij, Basha dështoi në çdo nismë që ndërmori në 8 vite. “Ai nuk u bë kurrë lider i besueshëm dhe jo se ne të gjithë nuk punuam që ai të ishte një lider i besueshëm, por e thotë populli me mençuri të jashtëzakonshme, fara e keqe e tillë mbetet.

Dje më pyeste një mik, më thoshte si ka mundësi ky njeri, asnjë mundësi tjetër nuk ka veçse ishte një farë e keqe që ne nuk e kuptuam. Në historinë e 30 viteve asnjë njeri nuk ka shfaqur standardet e ulëta morale politike të këtij njeriu, asnjë njeri, askërkush. Ky dëshmoi se është i zhveshur nga çdo parim dhe se është i gatshëm që për karrigen e tij të bëjë gjithçka. Pasi kaloi nga humbja në humbje 8 vite rresht u thotë shqiptarëve sot më ndiqni se jam e ardhmja. Në fakt ai është humbja dhe vetëm humbja. 8 vite ju e mbajtët PD-në, ju e sollët PD-në përsëri një forcë madhore politike. 8 vite lumenjtë e djersës që derdhët ju dhe trashëgimia e kësja partie janë shkaqet themelore që u ngrit me një shpejtësi të rrufeshme si feniksi nga hiri dhe ja ku është sot opozitë e fuqishme dhe e vërtetë. Opozitë që po dridh nga themelet narkoshtetin dhe Edi Ramën. Ja ku është sot, opozitë që në 3 muaj i dha vendit në kulmin e vështirësive ato mrekulli që Shqipëria dhe shqiptarët nuk e kishin parë kurrë më parë. I dha vendit kuvendin e lirisë, referendumin e lirisë. Iu tregoi shqiptarëve dhe botës se liria nuk vdes kurrë në zemrat tona.



Sepse ne jemi dhe do të qëndrojmë të pamposhtur në mbrojtje të saj dhe vlerave të saj. Pasi dështuan në marrjen peng të PD-së, pasi dështuan në përpjekjet e tyre primitive gjysmë terroriste për të dekurajuar foltoren, Kuvendin e Lirisë, për të dekurajuar memorandumin, kampion i lirisë, tani këta mjeran Edi Rama me pengun e tij, kërkojnë të marrin peng shtëpinë e lirisë.

Më lejoni, për secilin prej jush, për çdo shqiptar t’u sqaroj, t’u garantoj se këtu nuk është problemi për një karrige, apo një zyrë sepse ne jemi aq zemërgjerë sa do i falnim Lulzim Bashës 20 karrige e brava. Problemi është tek parimi themelor i çdo demokracie të vërtetë, në të cilën shumica qeveris dhe pakica respektohet. Shkelmimi i këtij parimi është i pari i të gjitha regjimeve diktatoriale”, deklaroi Berisha.

Ai tha më tej se Basha është peng i dosjes Muzin, Toyota, dhe është i lidhur në afera biznesi në portin e Durrësit me vetë Ramën.

“Ne vendosëm mençurisht t’ja u sjellim te ju që kishit votuar në qershor të vendosni ju, përveç Kuvendit për shkarkimin e tij. Kur ju firmosët shkarkimin e tij, ai deklaroi se nuk e njeh referendumin ku votuan 10 mijë demokratë më shumë se në qershor për zgjedhjen e tij. Pa asnjë lloj standardi e norme për të bindur shqiptarët se është bërë famoz në matematikë, iu thotë se nuk ishin as çereku i tyre delegatë, në pallatin e kongreseve ishin 5004 delegatë. Shumë e kanë shtruar problemin nëse është me çështje të shëndetit mendor, JO, është me çështje madhore të moralit, është peng i dosjes Muzin, Toyota, dhe është i lidhur në afera biznesi në portin e Durrësit me vetë Ramën. Pra, kemi të bëjmë me një farë të keqe të moralit njerëzor, që nuk njeh asnjë normë e standard.

Data 8 është një datë historike, jo vetëm për PD, po për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Për herë të parë në histori, vendimin suprem të referendumit dhe anëtarësisë e zbaton në një protestë festive, paqësore vetë anëtarësia e PD”, tha Berisha.

Ai e akuzoi Bashën dhe për largimin e gazetës Rilindja Demokratike. Berisha i dërgoi një mesazh dhe kryeministrit Edi Rama.

“Në 31-vjetorin e saj, përzuri si armike gazetën e fjalës së lirë, RD, e cila për meritën e madhe të gazetarëve qëndroi organ i fjalës së lirë. Ndaj dhe kemi arsye të festojmë ditën e shtunë më 8 janar. Natyrisht një mesazh kam për Edi Ramën, hiq dorë nga skenarët e thurura bashkë me pengun tënd! Hiq dorë, sepse absolutisht ne merremi njëlloj si me pengun dhe me pengmarrësin. Ne nuk mposhtemi nga asgjë. Ne kërkojmë asgjë tjetër veçse shtëpinë tonë të uzurpuar, shtëpinë tonë të shndërruar në një burg të vërtetë, shtëpinë tonë në të cilën nuk futet dot asnjë prej jush, ta shndërrojmë siç duhet të jetë, në shtëpinë e vërtetë të lirisë, të demokratëve.

Duke ju uruar gëzuar këtë ditë, duke falënderuar demokratët e Fierit, të gjithë ata që udhëhoqën nga kjo degë e PD-së, të gjithë ju që këto 8 vite qëndruat të pamposhtur, me protestat tuaja u bëtë zëri i vetëm i shqiptarëve. Qëndruat dhëmbë për dhëmbë ndaj falangave të krimit, shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj drejtuesve, anëtarëve të kësaj dege që firmosën ngritjen në këmbë të opozitës shqiptare”, tha Berisha.