Nga hakmarrja te konflikti me një subjekt të OFL, detaje nga vrasja në Fier. Sekuestrohen dy armë zjarri

Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me krimin e rëndë që tronditi mbrëmë Fierin, ku u vra një 57-vjeçar. Demir Backa u qëllua për vdekje nga një automjet në lëvizje.

Raportohet se në makinën e djegur në vendin e quajtur Daullas në Bay-pass e cila ishte e tipit ‘C Class’ me portobagazh policia ka gjetur 2 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur për krimin, një kallashnikov dhe një pistoletë, të cilat janë çuar në laborator për ekzaminim. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes janë sekuestruar 16 gëzhoja.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se atentati mafioz është kryer për hakmarrje. Policia është përqendruar ne te shkuarën e Demir Backës dhe rezulton se disa muaj me parë ai ka prishur ekuilibrat dhe ka pasur një konflikt me një person me influence në Fier, i cili ishte subjekt i OFL.

Nga kamerat e sigurisë ka rezultuar se në atentat kanë marrë pjesë 2 persona. Kujtojmë se viktima është vëllai i ish-anëtarit të bandës së Fierit, Medi Backës, i cili është vrarë në 1997-ën.