Nga ftesa për PD e Reforma në Drejtësi tek Satelitët e punësimet në administratë, Çfarë tha sot Rama!

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot pas mbledhjes së Kryesisë së PS se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS, por e popullit shqiptar dhe se kjo vijë e kuqe do të garantojë kalimin në një nivel tjetër të vetë cilësisë dhe të qasjes së administratës shtetërore.

Rama zbardhi çështjet e diskutuara në mbledhjen e kryesisë për zgjedhjet e 25 prillit dhe foli për analiza të rezultateve.

“Një proces tjetër të transformimi të brendshëm dhe hapjeje dhe në bazë të disa vendimeve puna në territor do të zhvillohet paralelisht për analizat e rezultateve qendër për qendër, për të verifikuar cilësinë e përfshirjes të gjithë anëtarëve të PS në zgjedhje në raport me rezultatet dhe njëkohësisht për ta hapur partinë për prurje të reja nga shoqëria pavarësisht moshës dhe për të krijuar një bazë të re për të ecur më tutje”, tha Rama.

Sa i përket punësimeve, ai theksoi se nëse në shërbimin civil kemi garantuar tanimë që proceset e rekrutimeve kalojnë në kanale ligjore përmes konkurseve të Departamentit të Administratës Publike, në pjesën tjetër të administratës kemi një problematikë serioze.

“Ajo do të nënvizoja shumë të rëndësishme nga kjo mbledhje dhe që falë jush do ta ndaja me të gjithë publikun, por në radhë të parë me të gjithë familjen tonë politike në territor është një vijë e kuqe e cila është vendosur fortë në kongresin e partisë dhe do të thellohet në vijimësi është se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS. Janë pronë e popullit shqiptar dhe janë funksion i qeverisë dhe i gjithë strukturave ekzekutive të Republikës së Shqipërisë bazuar në kushtet dhe ligjet në fuqi. Ta kenë të qartë të gjithë këtë gjë. Kjo nuk është propagandë, është vija ndarëse që do na garantojë kalimin në një nivel tjetër të vetë cilësisë dhe të qasjes së administratës shtetërore në raport me publikun. Nëse në shërbimin civile kemi garantuar tanimë që proceset e rekrutimeve kalojnë në kanale ligjore përmes konkurseve të Departamentit të Administratës Publike, në pjesën tjetër të administratës kemi një problematikë serioze të trashëguar në 30 vjet, por duhet ta qasim me forcë dhe vendosmëri”, tha Rama.

Për Reformën në Drejtësi, Rama tha se nuk do të ketë diskutime me opozitën, pasi ajo është një çështje madhore dhe e vendosur nga partnerët strategjikë si SHBA dhe BE.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike dhe shtoi ftesa e tij për bashkëqeverisje, mbetet ende.

A ka marrëveshje për zgjatjen e organeve të vetingut?

Rama: Kjo është një domosdoshmëri që vjen si rezultat i një procesi që ka treguar se sa i vyer është për pastrimin e llumit të sistemit të drejtësisë dhe ky proces s’mund të ndërpritet. Reforma në drejtësi është një reformë e bazuar te një partneritet i ngushtë dhe i padiskutueshëm me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE. 

Kërkesa për bashkëqeverisje?

Rama: PS është në një proces reflektimi se proceset e reflektimit ne na kanë garantuar që të qëndrojmë në lartësinë e pritshmërive të publikut, na kanë ndihmuar edhe të kuptojmë se vetëpërmirësimi është domosdoshmëri për një forcë politike që merr përsipër të drejtojë vendin.

Ne jemi sot përsëri në qeveri si një forcë e vetme por ne nuk do e harrojmë për asnjë moment se në qeveri ne nuk na kanë sjellë thjesht votat e anëtarësisë sonë por të shumicës dërrmuese të shqiptarëve e atyre duhet t’u japim shansin të përfshihen në familjen tonë politike, duke thyer barriera që koha i vendos dhe inercia i mban aty, e ti japim mundësi shqiptarëve të ndihen mirë për sa na takon jo se ne i bëjmë mirë të gjitha gjërat as se ne nuk bëjmë gabimet tona, por se bëjmë gjithmonë më të mirën tonë që më e mira të bëhet dhe për të tjerët.

Reforma në Drejtësi?

Rama: Reforma në Drejtësi s’është për t’u negociuar, por për t’u kryer. Është shumë e qartë të gjithë që kthim mbrapa nuk ka dhe kush i bie ndesh Reformës në Drejtësi i bie ndesh të ardhmes së vendit. Reforma në Drejtësi s’është kërkesë partiake, por historike, kombëtare, për të gjithë fëmijët e këtij vendi, ndërsa të tjerat janë çështje që do diskutohet. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë çdo gjë me PD. 

A do të ketë aksion konkret për të ndaluar këtë lloj punësimet, sepse në rastin e Shkodrës janë anëkuar që Tom Doshi ka marrë vendet më të mëdha të punës?

Rama: Unë nuk futem në thashetheme që dalin rrugës, nga mbledhje që dalin nga konteksti. Deputetët janë aty për të dëgjuar njerëzit dhe për të sjellë në grupin parlamentar, në veshët e të gjithë anëtarëve të qeverisë shqetësimet e njerëzve. Deputetët nuk janë as punëdhënës, as zyra pune. Proceset se si organizohet puna e shtetit dhe si rekrutohen njerëzit për administratë, janë procese që rregullohen dhe i takojnë strukturave të shtetit

Sakaq, i pyetur për opinionin e Komisionit të Venecias për zgjedhjet vendore, Rama tha se nuk vendos qeveria për këtë çështje. 

“Për këtë nuk duhet të më pyesni mua, por kë i ka në dorë këto punë. Unë nuk i kam në dorë këtë punë. Qeveria nuk vendos si bëhen këto procese. Proceset normalisht duhet të ishin me kohë”, tha ai.

Pyetje: Satelitë në orbitë, sa do të kushtojnë?

Rama: Kini durim. Qeshni, sepse e qeshura shëndet është dhe u bën mirë të gjithëve. Shqipëria do ketë satelitë dhe do ti ketë shpejtë, për të forcuar kontrollin mbi territorin. Do ketë edhe dronë inteligjentë që do na ndihmojnë për ta çuar vendin në një nivel tjetër. Janë mjete të një teknologjie të re, që garantojnë një monitorim të territorit për shumë gjëra, nga kufijtë, te ndërtimet, te monitorimi lidhur me informacionin që u duhet strukturave për luftën kundër trafiqeve, çuarjen deri në fund të përpjekjeve për të zëruar kultivimin e lëndëve narkotike, të mbjellat e bujqësisë, për të luftuar krimin e organizuar duket pasur kapacitete monitoruese. Nuk do bëjmë asgjë që ndodh për herë të parë në Shqipëri, vende të tjera të zhvilluara e bëjnë këtë gjë. Nuk ka nevojë të jesh një vend i zhvilluar për të bërë një kapërcim epokal. Shqipëria do ti ketë satelitët e saj dhe do ti ketë shpejt, edhe dronet inteligjent. Do rrisë kontrollin për zjarret, emergjencat civile. Do jetë një përdorim për çështje që kanë të bëjnë me punët civile dhe luftën ndaj krimit të organizuar. Nuk do jenë të natyrës së ofensivave ushtarake.

Pyetje: Kush është prioritare për qeverinë, uji 24 orë apo satelitët?

Rama: Po nëse u them që satelitët lidhen edhe me ujin 24 orë, çfarë do thoni?! Të gjitha bashkë. Ideja meqë nuk kemi ujë 24 orë, nuk duhet ta kontrollojmë territorin është e gabuar. Përmes dronëve dhe satelitëve do kemi një kontroll. Do kontrollojmë ndërhyrjet e paligjshme në shtretërit e lumenjve, do monitorojmë në kohë reale mjedisin, mbetjet, dhe prerjen ilegale të pyjeve. Nuk do çojmë satelitë për kërkime në Mars. Na duhet sy inteligjent për të pasur në kohë reale informacion mbi territorin tonë. Gjithkush që cenon territorin duhet të ketë parasysh që është duke e parë dikush tjetër që nuk mund të kompromentohet.