Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka ishte ai që hapi zyrtarisht mbledhjen, ku sot do të zgjidhen anëtarët e rinjtë të kryesisë së partisë.
Gjatë fjalës së tij Paloka e nisi me një urim për rikthimin e Berishës.
“Urime për zotin Berisha, i cili u rikthye në PD pas një periudhe të vërtetë intensive, duke nisur që nga foltorja e parë ku filloi kjo lëvizje që na silli sot këtu. Sot jemi në fazën përmbyllëse të një pune kolosale të energjive të çliruara nga PD, si radhë herë në këto vitet e fundit, mes vështirësive që s’i kishim imagjinuar dhe as nuk i prisnim. Por mesa duket që nga diçka e keqe të nisë dhe të dalë diçka e bukur dhe e mirë. Në fare pak muaj të gjithë bashkërisht, anëtarësia e Partisë Demokratike është angazhuar në disa aktivitete intensive.
Kemi zhvilluar jo vetëm dy kuvende, një prej të cilëve ai i 11 dhjetorit që është në historinë e PD tashmë, zhvilluam edhe Kuvendin e 30 prillit, por ndërkohë kemi pasur një referendum, edhe ai i pari jo vetëm në historinë e PD, por në përgjithësi të partive në Shqipëri, patëm një palë zgjedhje lokale që rezultuan do të thoja determinuese, jo vetëm për PD, dhe jetën tonë të brendshme, por iu tregua shqiptarëve se kjo parti edhe në këto kushte, jo vetëm mund të fitojë, por mund t’ju japë shpresë edhe atyre që i kishin humbur shpresat. E kam fjalën për fitoren që ne arritëm në Shkodër, megjithëse ishim në ato kushte që i dimë të gjithë dhe jo vetëm këta miqtë tanë në thonjëza që vazhdojnë të bëjnë lojën e Ramës, por edhe faktorë të tjerë na u kundërvunë me shpresën se do të humbisnim. Fituam dhe i treguam kujtdo, demokratëve e shqiptarëve, se jemi nisur për një rrugë që e kishim harruar për fat të keq në 8 vite dhe që do të na çojë në fitore”, tha ai.