Nga “dosjet sekrete” tek prapaskenat e reformës, Llalla: Vlahutin më kërkoi arrestimin e Berishës. Sekretari i SHBA aksioner në Bankers


Ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla tha dje se ishambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, i kishte kërkuar arrestimin e Sali Berishës.

Në një intervistë në televizionin “Syri” me gazetarin Çim Peka, ish-Kryeprokurori Llalla lëshoi akuza të forta kur u pyet në lidhje me skandalin e kompanisë Bankers, që po hetohej nga Prokuroria, për të cilin pati ndërhyrje nga ish-ambasadori Donald Lu.

Ndërkohë, zoti Berisha në mënyrë surprizë është shpallur “non grata” nga SHBA, ashtu si ju me të njëjtat argumente edhe përgjigjja e zëdhënësit të DASH është me motivacioni se opinioni në Shqipëri dhe rajon është i bindur për korrupsionin, por nuk kërkohen prova nga ne. A i është kërkuar Adriatik Llallës si Kryeprokuror të arrestojë Ilir Metën dhe Sali Berishën?

Kjo është temë për të cilën jam shprehur më herët dhe duket e pavend që t’i rikthehemi të tillë diskutimi dhe të mos ta ripërsërisim.

Kohë e kaluar, por a ju është kërkuar konkretisht me emër të arrestohet Sali Berisha konkretisht nga një ambasador?

Për Berishën po, më është kërkuar që të arrestohet. Një kërkesë që është bërë nga ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, që të arrestohet dhe të ndiqet shembulli i Kroacisë. Ajo më tha që Shqipëria të futet në BE duhet të ndjekë rrugën e Kroacisë dhe të arrestojë Sali Berishën dhe ti ke rastin që të tregosh forcën tënde, të ndihmosh Shqipërinë të futet në BE. Ajo ka përfituar nga rasti që ishte në statusin e diplomates, sepse në kushte të tjera kjo është e patolerueshme për secilin qytetar të lirë. Kërkohet arrestim pa prova, është absurditet që kërkon të hysh në zyrat e një shteti të pavarur dhe t’i imponohesh në forma të tilla.

I njoftuat për këtë kërkesë institucionet shqiptare?

Po, kam informuar zotin Nishani, Presidenti i Republikës, dhe zotin Meta që ishte Kryetar Parlamenti.

Si reagoi Nishani?

Zotit Nishani iu duk e pabesueshme. Vlahutin kishte shkuar menjëherë pas takimit me mua në zyrën e Metës për të sqaruar këtë debat, duke i paraprirë ndonjë reagimi të mundshëm të tij, moment në të cilin Meta kontaktoi me mua dhe sqaroi se si ishte situata.

A keni pasur prova ju për Sali Berishën?

Në asnjë rast nuk ka pasur që hetimi të nxjerr prova që Sali Berisha të ishte përfshirë në një situatë paligjshmërie.

A ka pasur ndonjë rast që Berisha të jetë akuzuar nga qeveria Rama në prokurori?

Jo, asnjë rast.

Në një letër që keni dërguar në Kongresin Amerikan është bërë në media publike dhe nuk e di sa e vërtetë përmbajtja, jeni shprehur që ju është kërkuar nga ambasadori amerikan arrestimi i zotit Meta?

Për zotin Meta u pozicionua vetë dhe pas takimit me Lu u shpreh në mënyrë jokorrekte që tha: “Unë i besoj ambasadorit dhe jo prokurorisë shqiptare”.

Për Berishën ka pasur kërkesë për arrestim vetëm nga Vlahutin dhe jo nga ambasadori amerikan?

Jo, ambasadori amerikan.

Ky është email i dërguar nga Donald Lu, çfarë e lidh Donald Lu me Bankers dhe cila është e vërteta? A kishit ju dyshime që prokurori i Fierit i ka kërkuar ryshfet Bankers?

Prokurori i Fierit ka ushtruar në mënyrë korrekte punën. Ai që ka pasur çështjen, ka nisur një hetim në rrugë normale për situatën që ndodhi në disa puse nafte që sollën pasoja në zonën naftëmbajtëse, por edhe pronat e banorëve dhe ka qenë një nga debatet e tjera që kam pasur me zotin Lu.

Lu ndërhyri për çështjen e Bankers dhe te Fevziu keni thënë që ju ka njoftuar një biznesmen i fuqishëm, që nëse nuk do të pushoni çështjen, zoti Lu do të vijë në zyrën tuaj, a ndodhi kjo?

Siç e kam përmendur atje, po.

Zoti Lu ju erdhi me pronarin e Bankers?

Po, ne u prezantuam dhe rezultoi që ai ishte pronari ose menaxheri që vinte nga Kanadaja.

Dhe si u ndatë nga ky takim?

Në të njëjtat rrethana, duke këmbëngulur që prokuroria do të hetojë rastin në mënyrë korrekte deri në fund dhe nëse do të vlerësojë që kishte përgjegjësi penale një punonjës i kompanisë, do të shkonte drejt përgjegjësisë penale, ose në të kundërt, çështja do të merrte një rrugë tjetër.

Ju nuk e ndaluat hetimin?

Jo asnjëherë, i kemi kërkuar kompanisë që të zhdëmtonin banorët e asaj zone që edhe sot besoj se janë pa banesa, por asnjë nuk e mori këtë përgjegjësi.

Sekretari i Shtetit Tillerson që ka firmosur deklarimin “non grata” të Adriatik Llallës ishte aksioner në këtë kompani, a jam korrekt?

Po, është e vërtetë.

Ju po e pranoni që Tillerson, që ka firmosur deklarimin “non grata”, ishte aksioner i kësaj kompanie që ju nuk keni ndalur hetimin ndaj saj, të kërkuar nga Donald Lu. Në përgjigjen e DASH ndaj prokurorisë shqiptare nuk ka asnjë të dhënë konkrete përveç faktit që thuhet se ka kryer korrupsion masiv, sipas opinionit. A e konsideroni këtë rast si një hakmarrje të numrit një të DASH ndaj jush?

Nëse do të shkonte rasti im, që rasti i parë në botë ku do të cenoheshin interesat e Sekretarit të DASH, do të ishte interesante nëse do të lidhej me këtë, por faktin që Tillerson është ortak i kësaj kompanie, mund ta vërtetojë çdokush.

Ju mendoni se u cenuan interesat e zotit Tillerson që u shkarkua më vonë nga Trump?

Pse jo!

Por nuk aludoni deri aty që mendoni se ai u shkarkua për rastin tuaj?

Jo, nuk e besoj.

Sot ambasadori i SHBA nuk është Lu, por Kim dhe ditën që është marrë vendimi për ju që jeni dënuar me 2 vite burg, ka reaguar në “Twitter”, e cila thotë: “Më vjen mirë që shoh që jep rezultate kjo, përfshirë dhe ish-zyrtarë të lartë që u është ndaluar hyrja në SHBA për korrupsion, tregon qe askush pavarësisht sa i fuqishëm nuk është mbi ligjin, kur të gjithë janë të barabartë para ligjit, të gjithë kanë dinjitet”. Ky është dinjiteti i vërtetë; ju drejtohet juve apo Sali Berishës, pasi është dita kur është publikuar reagimi i Blinken për Berishën?

Siç duket nga teksti, ky “Twitter” ka lidhje me mua, nuk e kam ndjekur pasi kur jam larguar, jam tërhequr në jetën time private, në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor, për të parë ecurinë dhe zhvillimet, por nuk e kam ndjekur deklarata e ambasadores.

Duke parë pozitat në të cilat jeni, a jeni penduar që nuk keni dëgjuar këshillat e ambasadorit Lu. Lalla sot si ish-i persekutuar a e kupton që me Amerikën edhe kur s’ka të drejtë nuk luhet?

E kam të vështirë të pranojmë atë që Amerika është e njëjtë me atë që ishin ambasadorët.

Por veproi Sekretari i Shtetit…?!

Po veproi, por megjithatë e kam të vështirë ta pranoj që Amerika vepron në këtë formë. Unë, familja ime, u persekutuam vetëm pasi ishim të njohur për mendimet tona pro-amerikane, prodemokratike, kundër një regjimi totalitar siç ishte diktatura komuniste.

Babai juaj është dënuar nga regjimi komunist si një agjent i CIA-s, ndërsa ju, djali i tij, jeni shpallur “non grata” po nga SHBA, a e keni imagjinuar ndonjëherë një situatë të tillë?

Babai ka bërë 15 vite burg.

A keni pyetur ndonjëherë nëse ka qenë agjent i CIA-s?

Gjatë gjithë kohës që babi ishte gjallë në diktaturë kur ishte koha për të dëgjuar “Zërin e Amerikës”, ne mblidheshim në një dhomë të fshehtë dhe shpresonim se çfarë do të bëhej, kur do të ndërhynte Amerika dhe do të na mbështeste në rrugën tonë drejt demokracisë. Çfarëdo mund të ketë ndodhur, por në dijeninë time nuk di që të ketë shërbyer si agjent, përveç faktit që babi im ka mbaruar një shkollë amerikane dhe ka shërbyer në shumë aktivitete të ndryshme dhe ato janë tema që gjithkush i merr në varr.

Duke pasur parasysh Donald Lu, Sekretarin Tillerson rasti konkret a është kjo Amerika që shpresonim të ishte kur e dëgjonim “Zërin e Amerikës” fshehurazi?

Realisht ndjej një zhgënjim, nisur që nga Ambasada që kemi këtu, e cila pala shqiptare, personeli është i gjithi pasardhës të nomenklaturës së kuqe të zyrtarëve më të lartë të kohës së komunizmit, dhe çuditërisht të gjithë ata që zgjidhen nga lotaria amerikane janë nga kjo kategori.

Ju thoni se po drejtoheni padrejtësisht dhe me presionin Ambasadës, a është SPAK nën ndikim e Ambasadës amerikane?

Po!

Jeni i bindur për këtë?

Jam i bindur që gjërat e bëra publike dhe seancat e mia ndiqeshin nga përfaqësuesit të Ambasadës dhe gjyqtarja gjithë kohës mbante një kontakt vizual me një çift që ndodhej në sallë dhe mesa duket, merrte aprovimet nëse do të miratoni një veprim të caktuar duket qartë ndikimi i tyre në sallën e gjyqit.

Llalla ekziston një perceptim që ju keni materiale komprometuese për politikanët tanë, por edhe përfaqësuesit e huaj aktivë në vendin tonë, materiale që do të shkaktonin tërmet në politikën shqiptare, por ndoshta edhe në diplomacitë e huaja në Shqipëri. Si qëndron e vërteta dhe a keni realisht një koment për këto, nuk dua t’ju krahasoj me çantën e zezë të Spartak Brahos. Pra po flasim për momentin kur keni drejtuar Prokurorinë në kohën kur korrupsioni ka arritur nivele të frikshme?

Nuk dua të bëj një krahasim me rastin e deputetëve ish-sigurimsa të shtetit që mbanin çanta dhe kërcënonin zyrtarë të shtetit. Natyrisht që gjatë kohës që drejtoja organin e akuzës ashtu dhe më para ligji i jepte kompetenca më shumë Kryeprokurorit se sa ka sot, me ligjin aktual. Pra duhet të funksiononte si institucion i centralizuar. Informacionet në atë kohë vinin nga drejtime dhe burime të ndryshme, që kishin dhe detyrën të raportonin, duke përfshirë veprat që nga siguria kombëtare që përfshin korrupsion, vrasje, trafikime etj. Po e nisim nga siguria kombëtare dhe kur vinin informacione të tilla, Prokurori i Përgjithshëm është i detyruar të informojë dhe komunikojë me drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, drejtuesit e Policisë për të rakorduar punë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Dhe është normale që në zyrën e Kryeprokurorit të mblidhet shumë informacion, që krahas formalisht, ka edhe materialisht dhe sigurisht skaliten edhe në mendjen.

Pra i keni jo vetëm në mendje?

Ka materiale të bollshme.

Do ishte mirë që për ato materiale të bollshme të ishte nisur një hetim ose të kishte një ekzekutim që në atë kohë, por e rëndësishme është që materiale ka të bollshme.