KELMENT BAÇI/ Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ishte i ashpër dhe ironik gjatë fjalës së djeshme në Kuvend, kur akuzoi maxhorancën se nuk e njeh gjendjen reale të ekonomisë në terren dhe qëndron mbi makina të shtrenjta dhe bën jetë luksi.
Sula ironizoi ministrat se para se të kishin postet që kanë sot dhe kur ishin në opozitë, “hanin byrekë me dhallë”, ndërsa pas dy vitesh u majmën nga pasuria me “Benz”- a. Deputeti i PD-së akuzoi se Kryeministri Rama në një vit shpenzon 700 mijë euro vetëm për udhëtimet me charter.
Kjo deklaratë nuk u prit mirë nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila u shpreh se të mos flisnin për modë, pasi sipas saj nga veshja ato nuk dallojnë nga vajzat e gardës sepse janë të veshura me kostume të zeza dhe me pantallona për shkak të takimeve në terren çdo ditë.
Sipas Ballukut, kreu i qeverisë udhëton shumë, por vetëm për punë. Për ministren Elisa Spiropali, të thuash ministret bëjnë paradë mode është stereotip gjinor, ndërsa theksoi se gratë ministre nuk bëjnë modë, por mbajnë peshën më të rëndësishme të në qeveri.
DEBATI
Dashnor Sula: Tri gjëra di të bëjë qeveria: di të vjedhë zgjedhjet, dini të vidhni shumë bukur, jo të gjithë, por jam i sigurt që maksimumi 50 vetë menaxhojnë financat publike të këtij shteti. Kjo ka ndodhur përgjatë 30 viteve, edhe në vitet 2005-2013. Ju jeni më specialistë për vjedhur sesa maxhoranca e djeshme, i fshini shumë mirë gjurmët. Por mos harroni që ndëshkimi një ditë do vijë edhe për hajdutët e maxhorancës së sotme. U bëj thirrje organeve të drejtësisë të mos heshtin dhe flenë gjumë. Faktet nxjerrin zbuluar propagandën tuaj. Shqipëria është në varfëri ekstreme vetëm oligarkët jetojnë në luks.
I bëj thirrje Kryeministrit dhe ministrave të kamuflohen dhe të dalin jashtë Tirane, jo me ‘Benzi’-in e tij 150 mijë euro apo ‘Kadillakun’ e blinduar, por të parë gjendjen e qytetarëve sot. Çmimet e shportës janë rritur shumë, janë bërë të papërballueshme. Dalin ministrat këtu për paradë mode. Akuzojnë opozitën pse i denoncon, por po na hoqët edhe fjalën, ky Parlament nuk duhet të ekzistojë. A e dini që çmimet e karburanteve rriten për ditë?
Në bursë ka rënë çmimi i naftës, ndërsa në treg jo sepse këtu reflektohen vetëm çmimet e rritjes dhe jo uljet. Harruat përpara tetë vitesh kur ishit në opozitë çfarë gjendje ishit? Të njëjtën gjë ua kam thënë dhe ministrave të PDsë në vitin 2007, që brenda dy viteve harruan nga vinin. Përpara vitit 2005 te “Bar Kalaja” hanin byrekë me dhallë, pas dy vitesh u majmën nga pasuria me “Benz”- a me makina, madje edhe me problemet e tyre familjare, filluan t’u ndryshuar nga mirëqenia e madhe, e njëjta gjë po u ndodh edhe ju. Edhe hak ju pastë Zoti se në shqiptarët nuk kemi cfarë t’u bëjmë juve.
Belinda Balluku: Për sa i përket thirrjes që të lëmë kadillakun dhe të dalim të shohim, them se nëse do mblidhnin kilometrat që ka bërë Kryeministri dhe zonat që ka shkelur, sepse ju keni kadillakë më të bukur se ne, ju siguroj se nuk iu dalin fare llogaritë mirë. Kilometra vazhdojmë e bëjmë përditë. Juve ju takon më shumë të shkoni në terren, por nuk shkoni. Thatë do flas me shifra, por u morët me modën e ministrave.
Ne dallohemi pak nga vajzat e gardës se jemi të gjitha të veshura me kostume të zeza dhe me pantallona se na duhet të shkojmë edhe nëpër rrethe. Mos t’i futemi kush bën modë më shumë. Nuk është kjo çështja, nuk e di ku i patë numrat. Kur dilni këtu, duhet të dilni me numra dhe fakte. Nuk mund të thonë që do dalë biznesi i madh në treg se ka dalë në 2018. Juve nuk ju pëlqen se ju prish narrativën politike dhe sharjet. Ne do vazhdojmë të mbrojmë biznesin e vogël dhe familjarin. Asnjë qindarkë nuk do rritet energjia elektrike sepse qeveria ka marrë përsipër ta mbrojë këtë fashë.
DASHNOR SULA KËRKON FJALËN PËR REPLIKË
Lindita Nikolla: Jo! Nuk ju ka përmendur emër. Ju lutem! Boll me shkeljen e rregullores së Kuvendit.
Dashnor Sula: Sigurisht që shquheni për të bërë kilometra. Kryeministri ynë i ka bërë kilometrat me charter. 700 mijë euro për një vit me charter, fluturon! Edhe “Benz”-i i kushton 150 mijë euro dhe kandillaku 200 mijë euro që ka ardhur nga Amerika, që ia ka sjellë i vëllai. Këto janë të vërteta. Ky është luksi. Ka dhe zonja të nderuara në qeveri dhe jo të korruptuara. Ka dhe deputetë të ndershëm dhe me integritet. Ka dhe deputetë që kanë zonat e tyre të parajsës. Unë fola me shifra. Për të bërë paradë mode mua, nuk më pëlqen dhe unë nuk di ta bëj paradën e modës, në qoftë se ministres i pëlqen, edhe mund ta bëjë.
Elisa Spiropali: Të thuash ministret bëjnë paradë mode, është stereotip gjinor. Përdorimi i gjuhës sjell edhe çështje të tjera. Shembuj të tillë le t’i shmangim. Çështjet e punës, duhet ta dini që këto gra këtu mbajnë peshën më të madhe të qeverisjes së vendit. Sa për udhëtimet e Kryeministrit, sigurisht që do udhëtojë Kryeministri se ka për të marrë çmime. Të jeni të sigurt që kilometrat që ne bëjmë në tokë, det apo ajër janë për t’i shërbyer këtij vendi. Për model e për flokë e për xhel e të tjera ju dihet kë keni.
Marrë nga Gazeta Panorama